Posta

January 29, 2020 | 8:05

Posta nga Denata Toçe / Si ta ndihmoj mikun tim?

 

Jam Sonila 33-vjeçe. Kam nevojë për një mendim, për një mikun tim dhe të bijën. Në katin tim ka rreth tri vjet që ka ardhur të banojë një djalë në moshën time, i divorcuar. Pikërisht, duke qenë se jemi moshatarë, u bëmë miq shumë të mirë. Mora vesh që ka një vajzë trevjeçare, e cila jeton me të ëmën dhe shumë shpesh vjen të rrijë edhe me të atin. Mamaja e vajzës është e pasur, por e sëmurë dhe abuzon shumë me alkoolin. Miku im më ka thënë se vajza rritet larg së ëmës, nga gjyshërit, dhe se ai e di shumë mirë që më e mira për vajzën është ta mbajë ai gjithë kohës, por i vjen keq për ish-bashkëshorten. Si mundem ta ndihmoj, së pari mikun tim, e më pas edhe vajzën duke qenë se kur ikën për tek shtëpia e gjyshërve, sytë i mbushen plotë trishtim.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Këto janë situata shumë të trishta dhe delikate. Më vjen vërtet keq për vajzën dhe për babanë e saj. Mbi të gjitha, ndiej keqardhje për nënën e cila gjithashtu ndodhet në vështirësi. Jam e bindur që ajo do të donte shumë që t’i qëndronte pranë vajzës së saj. Një individ i cili i dorëzohet pijes, nuk ndodh pa arsye edhe pse kjo e fundit shpesh e paragjykuar. Një njeri që pi ka nevojë për një ndihmë profesionale. E mirëkuptoj mikun tuaj për keqardhjen që ndjen për të.

Nëse ju kërkoni ta ndihmoni, është e udhës që ta drejtoni te një profesionist, psikolog, që të mund të drejtojë sjelljen e tij dhe veprimet ndaj njerëzve që do në mënyrën e dëshiruar. Nuk është e lehtë të marrësh vendime të kësaj natyre. Është e mira që vet babai, miku juaj të kërkojë ndihmë se si të zgjidhë situatën që ka. Nëse kjo është një situatë që atij i shkakton vështirësi, por nuk di se si ta zgjidhë, atëherë do të duhet që të jetë ai që të kërkojë ndihmën për ta realizuar. Ju mund të jeni vetëm mbështetëse, një mikeshë e mirë në këtë situatë.

Ne nuk mund të marrim vendime për të tjerët, por mund të ndërtojmë marrëdhënie mbështetëse, të cilat çojnë në sigurinë se miqtë tanë nuk janë vetëm dhe kjo i jep atyre motivim dhe forcë. Kam shpresën që më e mira do të bëhet për vajzën e vogël.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top