FB

May 3, 2021 | 8:11

Rolet dhe stereotipet gjinore në përballje me realitetin

Dëgjojmë shpesh gjatë jetës shprehje të tipit: “Djemtë nuk qajnë” ose “vajzat duhet të jenë delikate”. Edukohemi që në fëmijëri se nga vajzat dhe nga djemtë ka pritshmëri të ndryshme, si për sjelljen, ashtu edhe për mënyrën e edukimit. Këto janë koncepte të cilat i marrin aq të mirëqëna sa që rrallëherë na qëllon të pyesim veten ose të tjerët, pse është kështu. Në fakt, edhe kur pyesim, përgjigjja që marrim është: “Ka qenë gjithmonë kështu!”.

Nga Edlira ÇEPANI / Koordinatore Kombëtare Politike, Analiste

Realisht rolet gjinore janë sjellje sociale që shoqëria i ka pranuar si të përshtatshme për gratë dhe burrat, apo vajzat dhe djemtë. Kjo do të thotë që në vende të ndryshme rolet gjinore janë të ndryshme, që do të thotë gjithashtu se, përtej perceptimit të mosndryshueshmërisë së tyre, janë në fakt të ndryshueshme.

Pyetja tjetër që hasim shpesh është: “çfarë problemi ka me rolet gjinore që janë trashëguar ndër breza dhe pse u dashkan ndryshuar në ditët e sotme?”. Në fakt një nga aspektet më negative që mbartin stereotipet dhe në këtë rast, stereotipet gjinore, janë pikërisht kornizat e ngurta ku tentojnë të kategorizojnë këdo, përtej individualitetit, por në bazë të gjinisë. Në procesin e rritjes, formimit, edukimit, por edhe jetës së përditshme në moshë të rritur, secili prej nesh ka shumë inpute nga më të ndryshmet që e përcaktojnë në këndvështrimin dhe në mënyrën si reagon ndaj gjërave.

Pikërisht kjo bën që stereotipizimet dhe trajtimi në kategori të mëdha të dy gjinive sjell problematikat të cilat më pas shkaktojnë problem në sjellje dhe në marrëdhëniet e shëndetshme shoqërore. Stereotipet nisin që nga veshja, sjellja dhe kalojnë edhe tek karakteri. Për shkak të stereotipeve gjinore, kemi tendencën të paragjykojmë si shoqëri, edhe në rastet kur vajzat zgjedhin profesione që zakonisht duket se i takojnë djemve (për shembull pilote) dhe e anasjellta (për shembull infermier).

Këto tendenca në dukje të pafajshme dhe të paravendosura nga shoqëria krijojnë korniza të cilat pengojnë lirinë dhe zhvillimin e plotë të individëve, përtej gjinisë së tyre. Presioni që shoqëria vendos mbi individin për shkak të roleve gjinore, krijon problematika të ndryshme të zhvillimit integral dhe të shëndetshëm individual. Është e vërtetë që biologjikisht femra dhe mashkulli janë të ndryshëm, por rolet gjinore nuk kanë tërësisht lidhje me këtë ndryshim, më shumë se sa me rregulla të pranuara nga shoqëria për mënyrën e përcaktimit të roleve të të dy gjinive.

Siç u përmend edhe pak më lart, rolet gjinore janë të ndryshueshme nga një kulturë në tjetrën, nga një shoqëri në tjetrën, pikërisht prandaj edhe në terma kohorë, është pozitive që të ecin sipas kohës dhe të mos pengojnë zhvillime potenciale të gjinive me përcaktime të një kohë tjetër. Thuajse të gjithë, shpesh pa dashje dhe pa e vënë re, përforcojmë në jetën e përditshme stereotipe të dëmshme gjinore, të cilat më pas sjellin edhe problematika ekstreme si dhuna me bazë gjinore. Në një studim dhe monitorim të medias të kryer kohët e fundit, rezulton se gratë dhe vajzat janë të pranishme si eksperte në media, aty ku diskutohet për kulturën, shtëpinë, çështjet sociale, etj, përgjithësisht në emisionet e mëngjesit dhe të pasdites me karakter social.

Ndërkohë, burrat dhe djemtë janë të pranishëm me ekspertizën e tyre në fusha të ndryshme si politika, mbrojtja, ekonomia, etj, më shumë në prime time, pra në emisionet më të ndjekura ku diskutohen këto çështje. Cili është mesazhi i fshehur që merr shoqëria, prej këtij përfaqësimi? Që gratë dhe vajzat nuk do dinin të flisnin për çështje si politika, ekonomia, etj., kurse burrat dhe djemtë nuk do të dinin të flisnin për çështje sociale dhe kulturore. Duke filluar që nga familja, por edhe shkolla, edhe komuniteti, dëgjojmë shpesh që vajzave u kërkohet të ndihmojnë në punët e shtëpisë, apo të përgatiten për “të gjetur burrë”, kurse djemve u kërkohet të përgatiten për jetën, sepse roli gjinor për ta është që duhet të mbajnë familjen nga ana ekonomike (dhe një burrë që nuk arrin ta mbajë familjen nuk është një burrë “i vërtetë”).

Krahasime si këto mund të gjenden rëndom në çdo ambient, ndaj është tejet e rëndësishme të kujdesemi që të mos pengojmë zhvillimin, përgatitjen, talentet dhe lirinë e jetës të dy gjinive, por t’i inkurajojmë të zhvillohen përtej kornizave aty ku mund të kontribuojnë më mirë, duke promovuar një shoqëri të shëndetshme dhe pa problematika, që mund të nisin ngërçet zhvillimore e mund të përfundojnë tek dhuna. Një nga elementët kyç të parandalimit të dhunës (dhe sidomos dhunës me bazë gjinore), është pikërisht thyerja e stereotipeve gjinore.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 157

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top