Editorial

December 12, 2025 | 8:30

​​Nga Orjona Tresa: Dhjetori që na kujton njerëzoren brenda nesh

 

Në fund të çdo viti, njeriu ndalet. Jo sepse koha ndalon, por sepse ritmi i brendshëm kërkon një frymëmarrje, një çast për të kuptuar çfarë kemi kaluar, çfarë kemi mësuar, çfarë kemi lënë pas. Këto dymbëdhjetë muaj nuk kanë qenë të lehtë. Jemi sprovuar, jemi sfiduar, jemi përballur me emocione që na kanë lodhur, por edhe na kanë rritur. Herë jemi ngritur me forcë, herë me vështirësi, por gjithmonë me dëshirën për të ecur përpara. Sfidat e dymbëdhjetë muajve janë në thelb laboratorë të brendshëm, ku testohen dhe skaliten themelet e qëndrueshmërisë sonë.

dhjetori-njerezore

365 ditë të vitit mbartin mbi vete çdo lloj peshe që jeta di të sjellë, herë si dhuratë, herë si sprovë. Çdo ditë lë pas një ngjarje, një kujtim, një plagë, një mësim. Por edhe këtë vit, peshorja e jetës është tronditur më shumë nga dhimbja sesa nga drita. Aksidentet me humbje jete u bënë përsëri lajm i përditshëm; krimi në familje dhe në shoqëri mori fytyrën e njerëzve që, dikur, mbase ishin në paqe me veten. Mbi të gjitha, sfida më e madhe mbetet ajo e shëndetit, beteja e gjatë e pacientëve të onkologjikut. Në spitale ku mungojnë ilaçet për kimioterapi, ku aparaturat që duhet të shpëtonin jetë janë jashtë funksionit, vuajtja shndërrohet në heshtje dhe, nganjëherë, në mohim jete. Ka pasur të tjerë që kanë ndier shijen e hidhur të papunësisë, zhgënjimin e një dokumenti zyrtar të mohuar padrejtësisht, apo ankthin e të jetuarit pa strehë, pa ujë e pa drita, për shkak të një burokracie që shpesh harron se pas çdo dosjeje ndodhet një njeri.

Jeta na shërbeu me një simfoni të plotë emocionesh. Në një çast ndoshta kemi dëgjuar kakofoninë e ankthit dhe pasigurisë, ndërsa në tjetrin, notat e qeta dhe shëruese të gëzimit të papritur. Kjo kontradiktë, individualisht, nuk duhet të na dobësojë, por duhet të na përcaktojë. Secila sfidë shërben si një mundësi për të njohur më thellë hijen tonë, atë pjesë të vetes që kërkon ndriçim, dhe për të zbuluar dritën e fuqisë sonë të vërtetë. Psikologjikisht, asgjë nuk vjen apo ndodh duke i shmangur vështirësitë, por duke mësuar t’i përpunojmë dhe të integrohemi me to. Kjo është pjesa më e shëndetshme e qenies njerëzore.

Jeta është si një mozaik ngjyrash, herë të forta e herë të zymta, herë të buta e herë plot dritë. Por, në çdo ngjyrë, kemi gjetur një kuptim, një mësim, një arsye për të vazhduar. Dhe tani, ky dhjetor është muaji që na mëson të ndalemi, të falim, të kujtojmë dhe të vlerësojmë gjithçka që na ka bërë më njerëzorë. E vërteta e thellë e dhjetorit nuk qëndron në dritat e shumta festive, por në aktin vullnetar të lëshimit. Është koha për të pajtuar shpirtin me gabimet, për të ndalur autokritikën e ashpër që na torturon dhe për të kthyer faljen, nga bota e jashtme, drejt vetes. Duke u bërë më të butë dhe më të dhembshur me historinë tonë, ne çlirojmë energji jetike për të rimbushur shpresën, atë forcë bazike që na lidh me të ardhmen. Për aq kohë sa mbajmë gjallë dëshirën për të kuptuar dhe për të dashur, drita brenda nesh është e pashuar.

Dhjetori ka diçka magjike. Për një çast, harrojmë ato që na kanë peshuar fort dhe zgjojmë ndjesitë e bukura që ndoshta rrugës i kemi lënë pas. Na kujton se drita nuk shuhet kurrë, për sa kohë mbajmë gjallë shpresën, mirësinë dhe dëshirën për të dashur jetën.

Për “Revistën Psikologjia”, ky fundvit shënon një moment mirënjohjeje të thellë për Ju, lexues të dashur, lexuesit tanë besnikë, ju falënderojmë me zemër! Jeni ju ata që çdo ditë ndaleni për të lexuar, reflektuar dhe ndarë mendimet tuaja me ne. Ju jeni arsyeja pse çdo shkrim merr frymë, dhe çdo faqe në print ka kuptim. Falë jush, vazhdojmë të besojmë se fjala ka forcë për të ndriçuar mendjen dhe për të ngrohur shpirtin.

Urojmë që dhjetori t’ju gjejë me paqe në zemër, me dashuri rreth jush dhe me shpresë për një vit të ri më të butë, më të ndritshëm, më njerëzor.

Gëzuar fundvitin, me dashuri nga Revista Psikologjia!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top