Në fokus

March 28, 2017 | 13:49

​A i përkasim vetes?

“Trupi yt, jeta jote, zgjedhja jote” janë sloganet që shpesh dëgjohen të publikohen për të na ndërgjegjësuar dhe të largojmë nga vetja veset e këqija, duke marrë parasysh se jemi vetë ata që zgjedhim për jetën tonë. Thirrje të tilla janë të vleshme, pasi na bindin ne njerëzve të bëjmë zgjedhje sa më fitimprurëse, duke analizuar se kush janë sjelljet e dëmshme dhe kush janë dobiprurëse. Kujtoni dikur pyetjet e mësuesve kur hartonim ese nëpër letra. Na kërkonin të thonim se trupi ynë na përkiste vetëm ne.

Nga Marsida Simo Sociologe

Nga Marsida Simo
Sociologe

Megjithatë edhe pyetjet që ndonjëherë janë kaq të thjeshta për t’i dhënë një përgjigje, në thelb kanë diçka më tepër. Kthehemi mbrapa në kohë dhe kujtojmë moshën kur ruajmë kujtimet e para që i përket 4 ose 5 vjeç. Si çdo fëmijë në atë moshë edhe mendja mbushet me pyetje të shumta rreth trupit dhe rreth çdo gjëje që na rrethon. Pyetja më kryesore ka të bëjë se si kemi ardhur në jetë. Edhe pse përgjigjet mbartin gënjeshtra të ndryshme, me kalimin e kohës shumë prej tyre qartësohen së bashku me vetëdijen e ekzistencës. Fillimi i jetës nuk është zgjedhja jonë, por të paktën vazhdon shpresa se në një kohë të mëvonshme do jemi pronarë të vetëm të trupit.

Po nëse ne nuk do të ishim të vetëdijshëm për ekzistencën tonë a do të ishte trupi jonë, i yni?

Është dija ajo që vendos që trupi të jetë apo mos të jetë i yti. Pushteti i të diturit na jep forcën për të pranuar ata që jemi, na jep mundësinë për t’u përmirësuar, na jep lirinë për ta pasur këtë trup dhe për ta administruar sipas zgjedhjeve që i kemi krijuar vetes.

Përsëri vijnë dyshime nëse trupi është tërësisht i yni apo jo. Thuhet që njerëzit nga kafsha i ndan të pasurit e arsyetimit. Por në momentet kur nevojat fiziologjike na thërrasin, bëhemi aq të dobët dhe të pa pushtetshëm për të kontrolluar ato. Nëse njeriu nuk ushqehet e ka të pamundur të jetojë. Trupi i tij është i varur nga faktorë të jashtëm, të cilët nuk ofrojnë qoftë dhe as dy alternativa zgjedhjeje. Në këtë mënyrë, trupi nuk është tërësisht i yni.

christian-schloe-corpo-anima-spirito-600x431

Megjithatë kalojmë në një fazë më njerëzore jo thjesht te nevojat fiziologjike. Shpeshherë flitet se, nëse zgjedh atë që do, atëherë ndihesh i realizuar dhe i kënaqur. Nëse kryejmë një veprim, normalisht duhet të përfshihemi brenda rregullave të shoqërisë dhe ligjit të shtetit. Ndaj për shumë aspekte të jetës, i kanë vendosur të tjerët. Ne thjesht na duhet të bëjmë atë që shoqërisë i duket e drejtë, ose në të kundërtën, trupi i dorëzohet autoriteteve përkatëse për ta çuar drejt izolimit, që shoqëria i ka vënë emrin burg. Ndaj, pretendimi që trupi është tërësisht i yti është gënjeshtër. Duket sikur gjithçka ofrohet dhe miratohet nga të tjerët.

Vështirësitë vazhdojnë edhe koha kalon. Rritemi dhe plakemi dhe nuk mund të ndalojmë kohën, e cila na thinj flokët, na rrudh lëkurën dhe na heq fuqinë. Deri tani kuptojmë se, përveçse trupit që nuk e kemi zgjedhur, jeta varet nga mënyra sesi e miratojnë të tjerët. Edhe zgjedhjet mund të shtohen vetëm atëherë kur plotësojmë nevojat fiziologjike. Nuk dua që në këto mendime të nxjerrim konkluzione rebelizmi, duke i bërë thirrje të tjerëve që bëni çfarë të doni me trupin tuaj. Të shprehej kjo ide do të ishte absurde, pasi siç u përmend dhe më lart, është arsyetimi ai që e dallon njeriun nga kafsha.

Gjithashtu nuk duhet të jemi pesimistë, duke shfaqur hapur pamundësinë e të paturit në pronësi trupin tonë, por të tregohemi realistë se në fund të fundit, trupi nuk është tërësisht i yni pa rregulla dhe pa dije. Po ashtu mos të bëjmë asnjë lëshim që të tjerët të ndërhyjnë në çdo qelizë të jetës tonë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top