Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, është një festë që mbahet çdo 1 maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.
Dita e Punëtorëve është e njohur në shumë vende të botës, por jo në të gjitha. Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve që synonin një të drejtë të madhe dhe që konsistonte në orarin e punës, në 8 orë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois (SHBA).
Ndërkohë, kongresi i Internacionales së parë kërkoi që ligje të ngjashme të miratohen dhe në Evropë. Origjina e kësaj feste daton nga manifestimi i organizuar në Shtetet e Bashkuara nga Kalorësit e Punës (Knights of Labor), një shoqatë e themeluar në 1869) në Nju Jork, 5 shtator 1882. Dy vjet më vonë, më 1884, një manifestim i ngjashëm i Kavalierëve të Punës miratoi një rezolutë që ngjarja të kishte bazë vjetore. Revolucioni industrial solli makineri të reja që punonin pareshtur, dhe si pasojë pronarët e fabrikave kërkonin që punëtorët të punonin të paktën 16 orë në ditë, përveç të dielave. Për të përmirësuar jetën e tyre, një federatë punëtorësh e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, kërkoi që dita e punës të bëhej 8-orëshe, duke filluar nga 1 Maji i vitit 1886. Pjesa më e madhe e punëdhënësve nuk ranë dakord, dhe si pasojë më 1 Maj, mijëra punëtorë hynë në grevë. Ndërkohë, incidente të rënda ndodhën në ditët e para të majit 1886 në Çikago (SHBA) dhe që njihet si kryengritja e Haymarket. Këto ngjarje arritën kulmin e tyre më 4 maj, kur policia qëlloi mbi demonstruesit duke shkaktuar shumë viktima. Njerëzit e parë që humbën jetën sepse përkrahën lëvizjen punëtore në Shtetet e Bashkuara, vdiqën në kryengritjen e Haymarket të Çikagos, Ilinois. Punëtorët në Angli, Francë, Holandë, Itali, Rusi dhe Spanjë u bashkuan me ta. Në vitin 1889, në Paris u mbajt një kongres i partive socialiste të të gjithë botës, dhe e shpalli 1 Majin e vitit 1890 ditën ndërkombëtare të demonstratave në mbështetje të kërkesës për t’i pasur ditët e punës 8-orëshe. Që nga ky vit, në ditën e 1 Majit punëtorët ngriheshin për të kërkuar të drejtat për kushte më të mira pune.
Data e 1 maj është miratuar në Kanada në 1894 edhe pse koncepti i festës së punëtorëve i referohej këtu Marshimeve të mëparshme të punëtorëve të mbajtur në Toronto dhe Otava në 1872.
Në Evropë 1 maji festa e punëtorëve është bërë zyrtare nga ana e delegatëve socialistë të kongresit të Internacionales së dytë në Paris në vitin 1889 dhe ratifikuar në Itali dy vjet më vonë.
Në republikat e Bashkimit Sovjetik, festimi tradicional i 1 Majit bëhej me parada ushtarake dhe tregoheshin arritjet në fushën e teknologjisë. Sot, shumë vende e kanë 1 Majin ditë pushimi dhe quhet Dita e Punëtorëve ose Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Kurse, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja e festojnë Ditën e Punëtorëve, të hënën e parë të shtatorit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.