Ajo që ngremë zërin çdo ditë mes problematikash të ndryshme, ka të bëjë në fakt me një grupmoshë të veçantë, fëmijët. Priremi të evidentojmë raste të pafundme dhune mes bashkëmoshatarësh, në marrëdhënie prind-fëmijë, mësues-nxënës etj. Por ajo që para syve tanë rritet çdo ditë si gangrenë, na gërryen së brendshmi pak e nga pak dhe vonë kujtohemi të mbajmë vesh, janë shqetësimet reale psikofizike që kanë fëmijët. Shifrat e përmbledhura në një raport të tillë, janë një sinjal alarmi për shoqërinë. Askush deri më tani nuk ka dijeni të qartë rreth faktit se 1 në 10 fëmijë në Shqipëri jeton me aftësi të kufizuara. Dhe ato përfshijnë vështirësitë e tipit në të kuptuarit nga të tjerët, vështirësitë me shikimin, ato në lëvizje dhe kujdesin për veten.
World Vision dhe Save the Children në dëshmitë e fëmijëve të moshës 2-17 vjeç në Shqipëri ka zbuluar raste të tipit: Erlinda është 10 vjeçe. Ajo nuk i shqipton dot disa shkronja dhe fjalë, sepse ka një deformim që në gjuhën popullore quhet “buzë lepuri”. Në klasën e saj janë edhe 5 fëmijë të tjerë me aftësi të kufizuara. Si ajo edhe 8% e fëmijëve në Shqipëri kanë vështirësi për t’u kuptuar nga të tjerët. Juliani është 12 vjeç. Nuk mund të luajë as futboll dhe as lojëra të tjera, sepse kristalina e syrit mund të rrëshqasë dhe ai të humbasë shikimin përgjithmonë. Si ai, edhe 6% e fëmijëve në Shqipëri kanë vështirësi me shikimin. Eduarti është një nga 6 fëmijët e familjes së tij të varfër në Librazhd. Ai dhe 2 vëllezërit jetojnë me prindërit, ndërsa 3 fëmijët e tjerë në jetimoren e Elbasanit. 10 vjeçari vuan nga ishemia cerebrale spastike. Ai ka vështirësi në të lëvizur, por nuk heziton të ecë çdo ditë dy orë në këmbë për në shkollë. Si ai, edhe 6% e fëmijëve në Shqipëri kanë vështirësi në lëvizje. Irda është 15 vjeçe. Ajo vuan nga aftësia e kufizuar intelektuale e moderuar dhe nga disleksia, paaftësia për të mbajtur mend numrat dhe shkronjat. Irda shkon çdo ditë në shkollë. Atë e shoqëron gjyshja 76 vjeçare ose motra më e vogël, pasi e ëma është me aftësi të kufizuara ndërsa babai e ka braktisur. Si ajo, edhe 7% e fëmijëve në Shqipëri kanë vështirësi për t’u kujdesur për veten. 15-vjeçarja është tani pjesë e planit edukativ individual, i cili e ka ndihmuar të jetë më e shoqërueshme, por edhe të kujdeset për veten. Ky është studimi i parë kombëtar për përhapjen e aftësisë së kufizuar te fëmijët në Shqipëri. Ai synon të evidentojë faktorët kryesorë dhe cilësinë e shërbimeve në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, shërbime mbështetëse si dhe mundësinë për t’i përballuar ato. Studimi bazohet në instrumentet matës të Organizatës Botërore të Shëndetit dhe përfshin fushat bio-psiko-sociale të zhvillimit të fëmijës.
Nga totali i 13,000 familjeve, të përfshira në studim, 55% e prindërve raportuan se, fëmija i tyre ka të paktën një vështirësi, në të paktën një nga fushat e zhvillimit. Më konkretisht, prindërit janë pyetur nëse fëmijët e tyre kanë vështirësi në: shikim, dëgjim, në të ecur, folur, në kujtesë, kujdesin ndaj vetes, komunikim, në të nxënë, kontrollin e sjelljes, pranimin e ndryshimeve, ndërtimin e marrëdhënieve, përqendrim, të luajturit dhe shoqërimin në grup. Të dhënat e plota dhe përfundimtare të këtij studimi do t’i vihen në dispozicion institucioneve, organizatave dhe palëve të interesuara me qëllim, përmirësimin e politikave dhe shërbimeve për fëmijët.
Toni Gogu, Drejtori Kombëtar i World Vision shprehet se: “Janë 10% e familjeve shqiptare që gjenden në këtë realitet, të cilin e ndeshim çdo ditë në më shumë se 200 komunitete ku organizata jonë punon. Ne besojmë se ky studim do të informojë dhe nxisë autoritetet shtetërore dhe strukturat shoqërore të ofrojnë shërbimet dhe mbështetjen e duhur, që këta fëmijë të kenë mundësi të jetojnë si gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Vendi ku jetojmë mund të bëhet më i mirë! Jeta njerëzore në qenien e vet kur çlirohet krijon bukuri e madhështi, pavarësisht se ndonjëherë trupit njerëzor i mungojnë disa aftësi. Anila Meço, Drejtore e Save the Children pohon se: “Studimi kombëtar mbi prevalencën e aftësisë së kufizuar, është vetëm një pjesë e përpjekjeve strategjike kombëtare që synon sigurimin e investimeve dhe eliminimin e pengesave për të fuqizuar fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre të aksesojnë shërbime cilësore dhe gjithëpërfshirëse”.
Zela Koka drejtuese e MEDPAK në Librazh, por në radhë të parë nëna e një djali me aftësi të kufizuar, kërkon të jetë mbështetje edhe për ato fëmijë e të rinj me aftësi të kufizuara.“Kemi akoma familje që i mbajnë fëmijët brenda mureve të shtëpisë për shkak të stigmës. Terapia më e mirë është që t’i ndihmojmë fëmijët të shkojnë në shkollë”, u shpreh ajo.
Duke u bazuar në këto gjetje të studimit, World Vision dhe Save the Children besojnë se, është koha që të niset një debat kombëtar, i cili duhet të na çojë në politika dhe shërbime të qëndrueshme për aftësinë e kufizuar. Në Librazhd është ngritur një qendër komunitare për ofrimin e shërbimeve të integruara. Janë rreth 470 fëmijë dhe prindër që do të përfitojnë nga këto shërbime. Gjithashtu do t’u ofrohet këshillim psikosocial përmes një ekipi specialistësh.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.