Të mërzitur me lidhjen apo martesën tuaj? Mendoni se jeni mbërthyer në një rutinë, në një martesë të shurdhët? Nuk di çfarë të flasësh me partneren? Asgjë nuk po funksionon si në fillim? Ndoshta jeni të vetëdijshëm për këtë, por shpresoni se mund të kalojë. Shkak për këtë janë një sërë arsyesh e problematikash në një raport. Monotonia lind nga shkëputja e lidhjeve të respektit dhe dashurisë midis dy individëve.
Dashuria duhet mbrojtur, duhet mbajtur e gjallë, duhet mahnitje, dëfrim e të festoni edhe për gjërat më të parëndësishme. Kur dy persona lidhen kanë shpresën se do të jetë përgjithmonë. Shpesh, marrëdhëniet përfundojnë për mungesë vëmendjeje, sepse diçka “ngec” dhe jo sepse dashuria mbaron. Nëse një raport zgjat prej disa vjetësh dhe fillohet të ndihet mërzia apo monotonia e të qëndruarit bashkë, është rasti të bëni diçka që s’e keni bërë më parë. Në fillimet e marrëdhënies, çiftet e vendosin veten në qendër të jetës së njëri-tjetrit, si dhe vlerësojnë njëtrajtësisht mendimet dhe dëshirat e tyre. Me kalimin e kohës, ky përqendrim kalon për gruan te fëmija dhe për burrin te puna. Edhe gratë pa fëmijë e zënë kohën me punët e shtëpisë. Dhe kështu vijon rrjedha e jetës.
Si karakterizohet një marrëdhënie monotone:
1. Mungesa e dialogut – Paraqet fazën më negative të një lidhjeje. Të mos dialogësh përbën arsye për pakënaqësi.
2. Mos përkushtimi i kohës – puna deri orët e vona, përkujdesja e tepërt e fëmijëve, kalimi i kohës vetëm me shoqërinë, rrezikon marrëdhënien me partnerin/partneren.
3.Mungesa e vëmendjes – Një armik tjetër i madh është dhe mungesa e vëmendjes. Partneri apo partnerja ndihet i lënë mbas dore n.q.s ju nuk shikoni çdo gjë, nuk vëzhgoni ndryshimet, nuk kushtoni vëmendje rreth tij/saj.
4.Mos kujdesi për veten – Fakti që keni shumë vite së bashku nuk do të thotë që të tregoni parregullsi në disa aspekte të mënyrës së jetesës që bëni. Pamja e jashtme është gjithmonë e rëndësishme.
5.Mungesa e jetës intime – Me kalimin e kohës fantazitë ngecin, marrëdhënia intime rrallohet. Raporti intim midis dy partnerëve është pak a shumë si uji për jetën, i domosdoshëm në raportin në çift.
6.Xhelozia e tepërt – Kontrollet e tepërta, mosbesimi në partnerin apo partneren tuaj, çon në fund të një marrëdhënieje.
7.Mungesa e projekteve të përbashkëta – Mungesa e planeve, qëllimeve të përbashkëta, qoftë edhe planifikimi i pushimeve apo një darkë jashtë, çon në mosfunksionimin e marrëdhënies suaj.
8.Afërsia e tepruar me familjarët – Detyrimi i partnerit apo partneres pa dëshirë të vizitojë pafund prindërit reciprokë shkakton acarim. E njëjta gjë vlen edhe për shoqërinë apo kolegët tuaj të punës.
9.Heqja dorë e aktiviteteve së bashku – Fillimi i heqjes dorë nga shumica e argëtimeve së bashku, përfshirë dhe mbrëmjet jashtë, vajtja në kinema apo ambientet me muzikë. E dala rrallë çon në rrezik marrëdhënien tuaj.
10.Televizioni – Çiftet kalojnë shumë kohë para TV i cili është vrasësi kryesor i pasionit. Një darkë e ngrënë në shoqërinë e TV sigurisht nuk ndihmon në bashkimin tuaj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.