Fëmija duhet të përgatitet me kohë dhe ndarja duhet të bëhet gradualisht. Gjyshërve duhet t’iu shpjegosh zakonet e nipit të tyre dhe gjëja më e rëndësishme është ta bëni të voglin tuaj ta ndiejë se ju keni besim te ai.
Këtu janë 10 këshilla për të menaxhuar më mirë pushimet e fëmijëve tuaj me gjyshërit e tij:
- Para largimit, përgatisni fëmijën për pushimet me gjyshërit
Nëse kjo është hera e parë, është e rëndësishme përgatitja, sigurimi i fëmijës dhe dhënia e informacioneve thelbësore tek gjyshërit rreth zakoneve të nipit ose mbesës së tyre. Sepse nëse është e vërtetë që fëmijët përshtaten mjaft lehtë, është gjithashtu e vërtetë që mbajtja e zakoneve të caktuara edhe gjatë pushimeve (për shembull: leximi i një libri para se të bjerë në gjumë, të njëjtat drithëra për mëngjes) mund ta bëjë më të lehtë kalimin e ditëve larg shtëpisë. Shpjegojini edhe fëmijës se ai do të kalojë disa kohë vetëm me gjyshërit e tij ndërsa ju punoni. Tregojini për pushimet që do të bëjë. Tregojini fotografitë e vendit ku ai do të shkojë dhe lëreni të jetë i pranishëm kur i përgatisni valixhen, në mënyrë që të zgjedhë vetë disa sende që do t’i marrë: lodrën e tij të veçantë, gotën e tij të mëngjesit etj.”.
- Nëse janë pushimet e para me gjyshërit, largimi duhet të jetë gradual
Kohëzgjatja e pushimeve është mirë që të matet, përveç disponueshmërisë së gjyshërve, edhe mbi fazën e rritjes së fëmijës. Për fëmijët e vegjël, për shembull, është e këshillueshme që largimi të bëhet gradualisht – ditët e para është më mirë që të qëndrojë me gjyshërit në shtëpi dhe të jeni të gjithë së bashku. Fëmijët kanë kështu mundësinë të ambientohen dhe në fund nuk është për t’u habitur nëse ata do të kërkojnë të qëndrojnë sa më shumë që të jetë e mundur me pushime me gjyshërit e tyre dhe të përsërisin përvojën edhe vitet e ardhshme
- Gjyshërit duhet të jenë në dispozicion për të luajtur me nipin e tyre
Pushimi me gjyshërit mund të jetë një eksperiencë shumë e bukur. Nëse fëmija ka mundësi të takohet dhe të luajë me fëmijë të tjerë dhe gjyshërit janë të lirë nga angazhimet dhe të gatshëm të përfshihen në lojë (gjë që nënkupton edhe lodhjen) pushimet funksionojnë më mirë. Me fjalë të tjera, gjyshërit duhet të jenë të gatshëm të ndryshojnë rutinën e tyre, të luajnë, të propozojnë aktivitete argëtuese për kohën e lirë.
- Nëse fëmija bëhet melankolik, gjyshi mund të tregojë një histori
Veçanërisht në tre vitet e para të jetës, është e mundur që fëmijët mund të ndiejnë pak nostalgji për prindërit e tyre, sidomos në mbrëmje, para se të shkojnë në shtrat. Tregimi i një përralle/historie të bukur apo leximi i një libri mund të jetë një mënyrë e mirë për t’i qetësuar ata. Fëmijët janë kureshtarë dhe të etur për tregime, kështu që gjyshërit mund të shfrytëzojnë mundësinë për të treguar anekdota për të kaluarën e tyre.
- Mbani kontakte të përditshme telefonike
Për më tepër, mbajtja e kontakteve ditore, nëpërmjet telefonit ose nëpërmjet Skype, mund të përdoret për të mbajtur një lidhje të drejtpërdrejtë me prindërit. Dhe nëse melankolia është e tepërt, gjyshërit duhet të tregojnë mirëkuptim dhe të inkurajojnë nipin tuaj të vogël duke i thënë atij se së shpejti do ta dëgjojë mamanë.
- Mos i tregoni fëmijës tuaj ankthin tuaj kur e lini atë tek gjyshërit e tij
Sidoqoftë, një rekomandim duhet t’u jepet edhe prindërve: Mos e tregoni se jeni të shqetësuar dhe në momentin e nisjes, përshëndesni fëmijën tuaj me ngrohtësi dhe entuziazëm: ai do t’ia dalë edhe pa ju.
- Mos u tregoni shumë të rreptë nëse gjyshërit i mësojnë fëmijës ndonjë ves
Për më tepër, është mirë që prindërit nëse vendosin t’ia besojnë fëmijëve gjyshërve të tyre, të mos pretendojnë se ata do i përmbahen rregullave strikte. Është mirë që “t’i ofroni atyre një ‘udhërrëfyes’ me orët e zakonshme të ushqimit të foshnjës, gjumit dhe pushimit në drekë, por nuk duhet të bëheni kontrollues në distancë, përmes telefonit, me detaje të hollësishme se kur fëmija ka ngrënë, kur ka fjetur, sa orë etj. Gjysheve u lejohet të bëjnë shkelje të vogla dhe disa “zakone të vogla të këqija”, kështu që fëmijët e dinë që kur të kthehen në shtëpi do të kenë sërish rregullat e zakonshme.
- Tregojini fëmijës që të ketë besim të plotë tek gjyshërit e tij
Dhe në çdo rast, para largimit, kur t’i tregoni gjyshërve rreth zakoneve të fëmijës, menaxhimit të situatave kur ai dekurajohet etj, mos e bëni në sy të fëmijës. Kjo pasi në sy të tij ju duhet të bëni sikur keni besim të plotë tek gjyshërit.
- Pushimet me gjyshërit janë një mundësi për të pasur përvoja të reja
Fëmija, larg nga nëna dhe babai i tij, por nën shikimin vigjilent dhe të dashur të gjyshërve të tij, dalëngadalë përjeton autonominë e tij, në një mjedis të ndryshëm nga ai i zakonshmi. Nëse pushimi është në shtëpinë e (ose me) gjyshërit që zakonisht jetojnë larg, vera është momenti i duhur për të krijuar një lidhje emocionale që mbetet gjithmonë në kujtesën e të dyja palëve.
- Dhe ndërsa fëmija është larg, përmirësoni jetën tuaj në çift
Nuk duhet nënvlerësuar se ndërsa qëndroni në qytet për të punuar, ju mund të shijoni këtë periudhë të shkëputur nga përgjegjësitë prindërore, duke jetuar plotësisht lidhjen në çift.
Burimi / pernenat.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.