Marrëdhënie

June 16, 2016 | 7:51

10 pyetje mbi miqësinë

1- Çfarë është miqësia?

Fjalët mik dhe miqësi kanë kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm, ashtu siç kanë kuptime të ndryshme për të njëjtët njerëz në kohë të ndryshme. Për disa, miqësia është besimi se ai/ajo nuk do t’i lëndojë. Për të tjerë është përkrahje e pakushtëzuar. Zakonisht njerëzit e kupto – jnë miqësinë në bazë të eksperiencave që kanë pasur. Psikologjikisht miqësia është një marrëdhënie dinamike, reciproke midis dy individëve që përshtaten midis tyre.

2- A mund të lindë një miqësi rastësisht?

Miqësia nis të zhvillohet që në fëmijëri me procesin e shoqërizimit. Të qenit pjesë e grupit të duhur shoqëror është shumë e rëndësishme për zhvillimin e personalitetit të individit. Zakonisht, miqësitë kërkojnë kohë dhe përpjekje për t’u ndërtuar. Ndërtohen ngadalë… Psikologjikisht, duhen të paktën tre vjet për të ndërtuar bazat e një miqësie. Miqtë janë të ngjashëm, pa ngjashmëri nuk mund të ketë miqësi të ngushtë. Miqtë kanë vlera të ngjashme. Sistemi ynë i vlerave duhet të jetë i afërt me sistemin e vlerave të tjetrit, përndryshe nuk do të kemi respekt për atë mik. Respekti dhe të gjitha më sipër nuk vijnë rastësisht, duhet kohë që këto të provohen.

3- Aristoteli dallon tre tipe miqësie

Miqësi të bazuar mbi tërheqjen Miqësi të bazuar mbi interesin Miqësi të bazuar mbi mirësinë Si mund t’i detajoni në mënyrë pak më të hollësishme? Ne në përgjithësi për të komunikuar efektiv – isht dallojmë miq të vërtetë, miq të ngushtë, miq të mirë, miq të rastit, miq të punës. Miqësia e bazuar mbi tërheqjen ka të bëjë me shtysat e brendshme për ta pasur mik dikë, sepse të tërheq në aspekte të ndryshme: fizikisht, intelektualisht, të tërheqin gjërat që bën, është i suksesshëm, është interesant në sytë e tu, është një shembull i mirë. Mund të jetë një dëshirë e mirë për ta zgjedhur mikun më të mirë se veten.

Miqësia e bazuar mbi interesin lind sepse tjetri është i dobishëm në një moment ose disa momente të caktuara, por jo për atë që është. Këto miqësi janë aksidentale dhe jetojnë për të siguruar disa të mira nga tjetri. Miqësia e bazuar mbi mirësinë është atëherë kur njerëzit janë të mirë dhe të ngjashëm në virtyte, ata ndihen mirë kur tjetri është mirë.

4- Ku dallon një miqësi mes mesh – kujsh dhe një mes femrash?

Në përgjithësi meshkujt dhe femrat ndry shojnë në vlera, zakone dhe prioritete. Femrat mes tyre janë mikesha, sepse flasin dhe i kthehen problemit vazhdimisht. Për to e vetmja mënyrë për të mos menduar më për problemin është duke folur vazhdimisht për të, pra femrat nuk kërkojnë zgjidhje, ato thjesht kanë nevojë që miket t’i dëgjojnë shqetësimet e tyre. Ato fokusohen tek detajet dhe nuancat, kjo i karakterizon dhe në miqësi. Për sa i përket meshkujve, janë pikërisht miqësitë mes tyre më të idealizuarat. Meshkujt kanë më pak miq të ngushtë se femrat. Ata nuk i ndajnë shumë nga gjërat e tyre intime dhe në shoqërinë mes meshkujsh ekziston sterotipi i “mashkullit të vërtetë”.

5- Çfarë do të thoni për shprehjen: një miqësi mes një burri dhe një gruaje nuk zgjat? Nuk ekziston një marrëveshje e përgjith -shme se si duhet të ndërtohet një miqësi. Varet nga rrethanat, stili i jetës dhe kohëzgjatja e marrëdhënies. Veçanërisht kjo paraqet sfidë kur flitet për marrëdhënien mashkull-femër. Një raport midis dy njerëzve ndikohet nga kushte të caktuara, të cilat përcaktojnë suksesin ose dështimin. Zakonisht, ky proces bazohet te sjelljet, reagimet dhe rastësitë. Miqësia shoqëron dashurinë, por mund të ndodhë dhe pa të. Është e rëndësishme aftësia për të ndarë dy kategoritë e ndjenjave, një detyrë sfiduese kjo kur janë të përfshirë dy sekse të ndryshme. Ndonjëherë kjo lloj ndarje mund të jetë haptazi e pamundur. I gjithë procesi që nga takimi i parë, njohja, zhvillimi i emocioneve është i gjatë. Varet vetëm nga dy individët se në cilin nivel mbaron varësia. Ndonjëherë mund të jetë dashuri, ndonjëherë thjesht finalizimi i një nevoje për miqësi midis burrit dhe gruas. Problemet lindin kur mashkulli dhe femra fillojnë të shprehin mirëkuptim, pranim, admirim, afirmim, inkurajim dhe në fund nevojë për intimitet. Ndonjëherë shoqëria kthehet në xhelozi, gjë që tregon se në fakt kemi të bëjmë me ndjenja dashurie. Marrëdhëniet intime të lindura pas një miqësie janë të dyshueshme për shumë probleme. Një mik nuk të kritikon kur del për të pirë, nuk të tërheq veshin kur kthehesh vonë, ose të të pengojë për të dalë me shokët. Në këto kushte, këto dy ndjenja grinden me njëra-tjetrën dhe për pasojë vuajnë të dyja. Fara për ta shtyrë miqësinë drejt dashurisë është në pavetëdijen e çdo njeriu, duke pritur kushtet që mund ta favorizojnë. Pavetëdija përbëhet nga dëshirat e fshehura, fantazitë, emocionet, kujtimet për të cilat nuk jemi gjatë gjithë kohës të përgjegjshëm. Kur dominojnë emocionet, mund të na përmbyset bota. Miqësitë mashkull-femër janë tepër të vështira. Pa u ankuar që janë të pamundura, mund të them se janë të rralla. Këto lloj miqësish është e vështirë të mos jenë egoiste dhe gjithçka mund të ndodhë… Siç thotë shprehja “Miqësia midis një burri dhe një gruaje është si të ecësh mbi një rrugicë tejet të ngushtë, që ndan fushën e njohjes nga oqeani i dashurisë, prandaj mjafton një baticë që rrugica të shembet”.

6- A ka shenja që mundësojnë qysh në krye të herës të kuptojmë se po krijojmë një miqësi reciproke?

Thuhet se gjërat e mira duken që në fillim. Zakonisht femrat janë më intuitive në këtë gjë, por nuk mund të nxitohemi për të arritur në konkluzione të prera, sidomos pa provuar se si kapërcehen konfliktet në shoqëri. Natyrisht, çdo gur ka vlerë, por duhet të kuptojmë arsyet pse tjetri na e kthen miqësinë, ndjesitë tona ..

7- Pothuaj në të gjitha kulturat, miqësia është një raport të barabartësh.

Nisur nga ky koncept: a mund të ketë miqësi reciproke mes njerësish me diferenca kulturore, sociale, ekonomike, intelektuale…? Pa diskutim që miqësia është një raport mes të barabartës, por miqësia mund të ekzistojë edhe midis njerëzve të kulturave të ndryshme, të shtresave të ndryshme sociale, ekonomike dhe intelektuale. Për këtë kërkohet një investim i madh reciprok. Varet nga shkala e tolerancës ndaj të ndryshmes dhe nga karakteristikat e personalitetit të individit. Psh. pabarazia financiare bën që miqtë të mos kenë luksin të frekuentojnë të njëjtat vende, një detaj i vogël, por që i kufizon kohën që shpenzojnë me njëri-tjetrin dhe rrit mundësinë që të tjerë miq të zënë vendin. Marrëdhëniet e pabarabarta janë të cenueshme ose ka të ngjarë të jenë kalimtare.

8- Pse është kaq e cenueshme miqësia? Këtu më vjen ndër mend një shprehje e Albert Kamy: “Mos më kalo përpara, sepse unë nuk do të të ndjek; mos ec prapa meje, sepse unë nuk do të të drejtoj; kalo anash dhe përpiqu të jesh thjesht mik”. Miqësia e vërtetë është e vetmja marrëdhënie që i reziston turbullimeve të kohës. Ndershmëria dhe respekti janë dy gjëra që përshkruajnë më mirë kuptimin e vërtetë të miqësisë. Miqësi është atëherë kur ti duhet të peshosh mendimet dhe të matësh fjalët, sidomos për ata që besojnë se miqësia ka të bëjë me sigurinë se tjetri nuk do t’ju lëndojë. Prandaj është shumë e rëndësishme që miqtë të përshtaten në nivel psikologjik.

9- A është e pakthyeshme prishja e një miqësie? Mes miqve të ngushtë ndahen disa mendime private, miqtë bëhen dëgjues të mirë të problemeve, miqtë të bëjnë të ndihesh i kuptuar, miqtë kushtojnë vëmendje, miqtë flasin, janë të ndershëm me ty, ruajnë sekretet. Me miqtë atashohesh dhe deatashohesh. Prishja e një miqësie në shumicën e rasteve ndodh kur një prej miqve ndjen një diskomfort të madh ose një lëndim të madh nga tjetri, diçka që nuk kapërcehet lehtë prej tij. Miqësia është e pakthyeshme kur individit i duhet të dalë nga vetja, pra kur i duhet të sforcohet “për të qenë miq si më parë”. Gjithsesi, jo gjithmonë është kështu, kthyeshmëria varet nga rrethanat dhe karakteristikat e individëve të përfshirë në të.

10- “Gjej kohën për të qenë mik, është rruga drejt lumturisë”. Kjo frazë e Nënë Terezës, si mund të interpretohet nga psikologu? Është shumë e rëndësishme të ndërgjegjësohemi se të gjithë duhet të japim, që të marrim. Nuk mund të kesh miq pa qenë vetë mik. Miqtë janë të çmueshëm dhe duke qenë mik i dikujt, ke shanset për t’u ndjerë i çmueshëm. Miqtë janë pjesë e lumturisë, por të kesh miq duhet të japësh nga koha jote.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top