Revista “Psikologjia” shënon 10 vjet nga dita kur doli në treg numri i parë. Sot kemi 125 numra të saj. Një punë voluminoze e mjaft profesionale. Edhe pse shohim përpara, gjithsesi kokën e kthejmë pas, për kujtesë pozitive a qoftë dhe për të bërë një bilanc të shkurtër…
Ishte shtatori i vitit 2009. Lidhjet me median televizive, në të cilën kisha një përvojë jo të paktë, i kisha “mbyllur”. Jo se i kisha vënë kapak një kapitulli, por sepse në krye të interesave të mia qëndronte një arsye më madhore, e cila kërkonte krejt impenjimin tim. Natyrisht që familja për mua zinte vendin e parë në çdo lloj aspekt të jetës. Rastësia, në kërkim të një vendi pune që të krijonte kushte të favorshme midis familjes dhe profesionit, më dha një mundësi tejet optimale për të qenë pjesë e revistës “Psikologjia”, të veçantë në llojin e saj dhe me një mbështetje nga sipërmarrësit pa kursim. Ishte fillimi i muajit nëntor, i po të njëjtit vit.
U gjenda në një mjedis të ri, por jo nga njerëzit. Vitet në gazetari m’i kishin bërë të njohura kontaktet, ndërsa profili kërkonte një lloj tjetër angazhimi. Nuk do të merresha më me kronika që duheshin përmbledhur në një apo dy minuta, por do të shtrohesha më gjatë në mendim, për të përcjellë një shkrim, prej të cilit, gazetaria duhej të bëhej njësh me psikologjinë.
U bëra pjesë e revistës “Psikologjia” kur ajo kish mbërritur në numrin 33, por njohja e parë më vuri në kontakt në majin e vitit 2007. Ishte kopertina e parë me në foto, aktoren e njohur Yllka Mujo, tejet tërheqëse për periudhën ku nuk ishte e lehtë të gjeje për protagonist kopertinash, personazhe që rrëfimin në këtë fushë e kishin të vështirë. Mandej mjaft personazhe publikë i besuan kopertinës së revistës “Psikologjia” në rrëfime ndjesore, në një rrafsh të gjerë pikëvështrimesh për jetën personale dhe jo vetëm.
Tematika e revistës deri në muajt e mi të parë të punës, ishte përgjithësisht psiko-sociologjike. Kishte mjaft shkrime të kësaj natyre nga autorë të huaj e vendas, si dhe dëshmi që përforconin brendinë logjike e jetësore të tyre. Natyrisht që kësaj rrjedhshmërie i kemi dhënë udhë edhe në kohët që flasim, por me një përsiatje përshtatur risive dhe përparimit të kohës. Në funksion të lexuesit dhe ndjekësve besnikë në dhjetë vite përvojë, përpiqemi të alternojmë interesat e tyre mes dëshmive dhe studimeve më të fundit shkencore të fushës.
Ajo që kemi përparuar dhe ka tregues mirënjohjeje, janë letrat dhe shkrimet që vijnë të adresuara në postën dhe e-mailet e revistës “Psikologjia”, duke bashkëndarë kërkesat, nevojat dhe ndihmesën karshi atyre që i besojnë produktit tonë. I janë bashkuar këtij rrugëtimi mjaft psikologë, sociologë, filozofë e specialistë të fushave të ndryshme. Mirënjohje e pamat për të gjithë!
Ndërsa besojmë se ky investim i vlerë, përtej një misioni fisnik për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kërkojnë këshilla dhe mendime rreth dilemave që kanë, do të jetë një avantazh për të gjithë ata që duan një jetë më cilësore, e cila vjen përmes leximit, interpretimit, dëshmive dhe arritjeve që shkenca përparon në fushën e psikologjisë.
Jemi në numrin e 125, në dekadën e përmbushjes së një qëllimi, e cila sa vjen e shton gjurmët e profesionalizmit në të bërit të një reviste unike në llojin e saj, e para dhe e vetmja revistë e spektrit psikologjik në Shqipëri, e cila përçohet në mbarë vendin, atje ku lexuesit kërkojnë e bëhen më të vetëdijshëm për pyetjet që kanë. Bindjes për t’i besuar e për ta çuar para revistën “Psikologjia”, i është bashkuar që në prezantimin e parë, vetë investitori, presidenti i “Hysenbelliu Group” Irfan Hysenbelliu, i cili në krahun e një mbështetësi parimor dhe logjistik, na është gjendur gjithmonë pranë.
Por, një kahje edhe më të larmishme do të njihte pas vitit 2010. Nën drejtimin e zv.presidentes, Fabiola Hysenbelliu, revista “Psikologjia” do të përballej me kohën e evoluimit, ashtu sikundër ishte dhe për mjaft sipërmarrje mediatike. Jemi në një kapitull që ri, që shkruan gjithaq një stad të ri.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.