Në fokus

December 18, 2015 | 12:30

100 vjet vetmi në kohën e internetit

“Një qind vjet vetmi” është titulli i romanit më të famshëm të Gabriel Garcia Marquez. Por është edhe një sëmundje e kohës sonë, ndoshta “sëmundja” e shekullit XXI: shekulli i revolucionit dixhital, i smartphone-ve, i videolojërave që luhen në rrjet në grup me të tjerë… pra shekulli i çdo gjëje që na jep ndjesinë se jemi në kontakt me njerëzit, por që në fakt kontribuon për të na izoluar brenda katër mureve të shtëpisë, brenda jetës sonë… Shkurt e thjeshtë: nuk kemi më miq…

Qëndrimi për shumë kohë para kompjuterit duke lundruar nëpër rrjetet sociale rrit ndjesinë e vetmisë dhe ndihemi të përjashtuar nga rrethi shoqëror. Kjo gjë ka efekte negative për mirëqenien psikologjike, pavarësisht numrit të ekzagjeruar të “miqve” virtualë. Kjo është teza më e përhapur nëpër rrjetet sociale. Megjithatë, disa studime kanë nxjerrë këndvështrime të reja më komplekse: kur interneti dhe rrjetet sociale bëhen mënyra për të shfaqur dhe treguar vetveten, bëjnë të mundur një burim të papritur mbështetjeje sociale duke ndikuar pozitivisht në mirëqenien psikologjike. Qëndrimi shumë orë para kompjuterit dëmton… ndoshta është e vërtetë por… varet. Sipas disa studimeve të fundit, vetmia mund të “luftohet” edhe në rrjetet sociale nëse e konsiderojmë si vendin ku mund të rrëfejmë problemet tona, pasi mund të marrim mbështetje nga miqtë virtualë.

Të ndershëm apo strategjikë…

Një studim i mëparshëm amerikan në vitin 2011 arriti në përfundime analoge duke ilustruar pasojat e mënyrave të ndryshme të paraqitjes së vetes në rrjetet sociale. Nëse e përdorni profilin e Facebook-ut për t’i dhënë një imazh të mirë vetes keni predispozitën që të tjerët t’ju admirojnë dhe miratojnë. Kjo gjë ndikon vetëm për një kohë shumë të shkurtër për mirëqenien, duke mos tërhequr asnjë burim mbështetjeje sociale dhe shtuar dukshëm ndjenjën e vetmisë. Efekte të kundërta ndodhin në rastet kur të rinjtë e përdorin Facebook-un me një prezantim të ndershëm për veten, jo me qëllim për të marrë admirimin e të tjerëve, por për mbështetje dhe ngrohtësi afektive. Në këto raste rritet mbështetja sociale e perceptuar dhe, për rrjedhojë, mirëqenia personale kontraston ndjenjën e vetmisë.

Studimi

Kalojmë gjithnjë e më shumë kohë në shoqërinë e të ashtuquajturve miq apo më mirë të themi, në shoqërinë e të panjohurve brenda realitetit virtual dhe, në fakt, gjithnjë e më shumë kohë të vetmuar në ekzistencën tonë reale. Ky ka qenë një fakt i njohur edhe më parë. E dinim ose të paktën kishim dyshimin se do të ishte një “virozë” sociale, por tani e dimë mjaft mirë se rrjetet sociale janë një sëmundje e mirëfilltë. Këtë na e thotë një studim i zgjeruar shkencor, i bërë me tre milionë njerëz dhe i botuar në revistën “Perspectives in Psychological Sciences” dhe në të përditshmen “Times” e shumë gazeta britanike. Është një raport shumë alarmues: vetmia, konfirmojnë studiuesit e “Brigham Young University” në Utah (SHBA) përfaqëson një kërcënim të mirëfilltë për shëndetin, e ngjashme me obezitetin. Më saktë, është dy herë më e rrezikshme se sa obeziteti: njerëzit që vuajnë nga vetmia, në fakt, rrezikojnë nga vdekshmëria 14% më shumë se sa mesatarja. Rritja e kësaj përqindjeje te njerëzit obezë është 7%. Ajo që shkaktohet nga varfëria ekstreme – që të kemi mundësinë të bëjmë krahasime – është 19%. Praktikisht, mund të themi se vetmia, shkurton jetën. Dhe ajo që ka vlerë, sipas studimit amerikan, si për ata që e përjetojnë keq vetminë e tyre, si për ata që e duan vetminë si zgjedhje për të qenë të lumtur dhe për t’u marrë me veten e tyre. “Vetmia dhe izolimi shoqëror mund të duken si dy kushte krejt të ndryshme, – deklaron profesor Julianne Holt-Lunstad, i cili ka drejtuar këtë studim, – por nuk është kështu. Mund të ketë edhe njerëz të rrethuar nga miq dhe që po njësoj ndihen shumë të vetmuar. Të tjerë mund të izolohen me dëshirë sepse preferojnë të rrinë vetëm. Gjithsesi, efekti i të dy shembujve të mësipërm mbi jetëgjatësinë, është i njëjtë si për njërën ashtu dhe për tjetrën”. Është i njëjtë me obezitetin, dëmton marrëdhëniet dhe, për këtë arsye, psikologët dhe ekspertët e fushës duhet ta analizojnë me shumë kujdes, pasi ndikimi i marrëdhënieve sociale mbi shëndetin është shumë i madh. Studimi nuk është limituar vetëm në zbulimin e këtij problemi, por ka nxjerrë në fokus edhe dimensione të tjera, duke na alarmuar me një sinjal të dytë edhe më serioz: që kur është analizuar ky fenomen, ose më saktë që kur janë marrë në shqyrtim statistikat e regjistruara, nuk ka pasur kurrë kaq shumë njerëz që jetojnë të vetmuar se sa po ndodh tani. “Po përjetojmë indeksin më të lartë të vetmisë në historinë njerëzore dhe është një e dhënë që ndikon në të gjithë planetin, – thotë doktor Tim Smith, bashkautor i studimit. – Bota e kohës dixhitale është përballë një ‘epidemie’ të vërtetë vetmie. I njëjtim term që përdoret normalisht për të përshkruar përhapjen e shfrenuar të obezitetit. Në disa mënyra, të dyja sëmundjet ecin krah njëra-tjetrës: ushqehemi shumë dhe rrimë shumë vetëm”. Vështirë të mos imagjinosh një adoleshent që kullufit fast-food i mbyllur në dhomën e tij lidhur në internet me një kompjuter, tablet, telefon apo me të gjitha këto pajisje njëkohësisht. Por nuk është vetëm një problem i adoleshentëve, po të kemi parasysh se mosha që luan më shumë videolojëra është midis 25-40 vjeç dhe ndër të moshuarit është rritur kaq shumë vetmia, saqë për t’u bërë atyre shoqëri duhet të kërkojmë kujdestare me pagesë. Pas mijëra viteve kohezion social, njerëzit po përjetojnë 100 vitet e tyre të vetmisë dhe nuk është e qartë nëse ka një ilaç në gjendje që të kurojë këtë sëmundje të njeriut bashkëkohor.

Përgatiti:Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top