Nga Orjona Tresa
Në 100-vjetorin e lindjes së një nga ikonave të artit shqiptar, artistit të vërtetë dhe babait të kinematografisë shqiptare, Kadri Roshi, u zhvillua një eveniment i rëndësishëm për të reflektuar mbi kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe për të nderuar trashëgiminë artistike që ai la pas. Me një karrierë të pasur dhe të shumanshme, Kadri Roshi shquhet si një nga pikat kryesore të artit shqiptar, duke lënë pas një trashëgimi të pazëvendësueshme në kinematografi, teatër dhe shfaqje artistike të ndryshme.
Vepra artistike e Kadri Roshit, konsiderohet si monument kulture nëpërmjet një dokumentari realizuar për të si dhe Promovimi i librit “Në jetët e të tjerëve” ku personalitete të artit, medias dhe politikës shqiptare kanë ndarë në këtë botim kujtimet e tyre personale me Kadri Roshin.
Kliti Roshi, djali i aktorit Kadri Roshi
Në këtë event të veçantë për 100-vjetorin e lindjes së tij, personalitete dhe figura të shquara të artit dhe kulturës shqiptare janë mbledhur për të nderuar një njeri të rrallë që ka lënë shpirtin e tij në secilin projekt dhe ka formuar brezat me një trashëgimi të pasur.
Kadri Roshi nuk është vetëm një artist i madh, por një simbol i përhershëm i kulturës dhe identitetit shqiptar. Kadri Roshi ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm.
Rolet e tij variojnë nga skllavi Ezop në teatrin “Dhelpra dhe rrushtë”, tek kujdestari në filmin “Lulëkuqe mbi mure”; nga mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në filmin “Liri a vdekje”, deri tek plaku Mere në filmin “Njeriu me top”.
Kadri Roshi, një yll i kinematografisë dhe skenës shqiptare lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma u nda nga jeta kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati.
Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951. Ai e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë edhe një ndër krijuesit e këtij teatri. Nga shumëkush është konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qenë një aktor brilant me një talent të lindur. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit do të kujtohet gjithnjë si kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai luajti role dhe figura të spikatura, që nuk do të harrohen kurrë.
Kadri Roshi ka marrë titujt: “Mjeshtër i Madh”, “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.
Fotot nga eventi u mundësuan nga fotografi Kristaq Janushi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.