Mirëmëngjes të nderuar lexues. Sot kujtojmë në ditën e lindjes, shenjtoren shqiptare, Nënë Terezën. E lindur në 1910, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu është humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për paqe. Ajo u nda nga jeta në vitin 1997.
Para se të vizitonte Shqipërinë në vitin 1991, kur diktatura kishte rënë, Nënë Tereza i shkruan një letër Ministrit të Punëve të Jashtme në atë kohë, Muhamet Kapllanit, me të cilën i kërkonte që, duke shfrytëzuar postin e lartë, ta ndihmonte për çeljen në Shqipëri të një Urdhri të Bamirësisë.
Prej atij viti, dhjetëra murgesha “motra të Nënë Terezës”, të veshura me një mantel në ngjyrë të bardhë, në konturet e të cilit dallohen qartë dy shirita të kaltër (veshja e më të varfërve të Indisë), kryejnë një veprimtari të gjerë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve në Shqipëri.
Në një intervistë për ATSh-në, prof. Kapllani ka treguar rreth takimit që zhvilloi me Nënë Terezën në vitin 1991, ndërsa ka komentuar dhe vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri, pak para shembjes përfundimtare të regjimit komunist.”Gjatë këtij takimi, i zhveshur nga çdo lloj zyrtarizmi, formalizmi apo aureole artificiale, Nënë Tereza sillej si një nënë dhe gjatë gjithë kohës më quante “my son” (biri im). U ndjeva si një bir që takon nënën e tij”, ka kujtuar Kapllani, ndërsa ka shtuar se “edhe pse e cilësuar një engjëll i dërguar nga Zoti, ajo kishte një sjellje dhe një qëndrim aq njerëzor”.
Ish-diplomati ka treguar më tej se në takim, Nënë Tereza shprehu gëzimin se më në fund mund të vizitonte lirisht vendin e saj, duke thënë sa “sa shumë e kemi pritur këtë ditë”.
Në fund të takimit, siç kujton Kapllani, Nënë Tereza ka theksuar “fund-shekulli ynë (XX), karakterizohet nga zbulime të mëdha të shkencës dhe teknologjisë, por asnjë prej tyre, nuk mund të zëvendësojë dashurinë dhe dhimbjen njerëzore”.
Vizita tjetër e Nënë Terezës në Shqipëri përkon me fillim-pranverën e vitit 1991, që ishte dhe fundi i “dimrit” të madh komunist. Kjo ishte dhe periudha kur u instalua kongregata e parë në Shqipëri. Dy shtëpitë e para bamirëse të Nënë Terezës u krijuan në Tiranë që në atë vit. Shtëpia e quajtur “Tirana 1” në rrugën e Kavajës dhe një shtëpi tjetër, ku Nënë Tereza vendosi të moshuarat.
Në korrikun e 1991, Nënë Tereza u kthye përsëri në Shqipëri me një grup mjekësh amerikanë dhe pasi vizitoi zonat e ndryshme të vendit krijoi shtëpinë e Misionareve të Dashurisë në Durrës. E më pas u çelën shtëpitë e tjera në Elbasan, Pukë dhe Korçë.
Qilimi ku është lutur Nënë Tereza, në Katedralen e Shën Palit në Tiranë
Qilimi ku është lutur Nënë Tereza deri në çastet e fundit të jetës së saj, ndodhet në Katedralen e Shën Palit, në Tiranë. Qilimi me motive popullore shqiptare, është sjellë në Shqipëri nga Monsinjor Rrok Mirdita, Arqipeshkv i Durrësit, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, në shtator të vitit 1997, kur ai u kthye nga Kalkuta (Indi), pas ceremonisë funerale të Nënë Terezës.
Në gusht të vitit 1989, Nënë Tereza erdhi në Shqipëri me protokoll qeveritar, si e ftuara e Nexhmije Hoxhës , bashkëshortes së udhëheqësit komunist Hoxha. Vizita e saj zgjati vetëm pak ditë, ndërsa kur u largua mori me vete si kujtim nga Shqipëria një qilim, të cilin e vendosi në dhomën e saj të lutjes, në Kalkuta.
Mbi këtë qilim me motive shqiptare, ajo është lutur deri në ditët e fundit të jetës. Pas ceremonisë funerale në nder të Nënë Terezës (në Kalkuta), Monsinjor Rrok Mirdita e ka marrë këtë qilim, mbi të cilin Nënë Tereza është lutur për tetë vjet, deri me 5 shtator 1997, kur ajo u nda nga jeta.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.