Nëse dëshironi të bëheni një femër më e fortë, patjetër që duhet të dini këto 13 gjëra. Për shembull, që njerëzit mendërisht të fortë kanë zakone të shëndetshme. Që janë të aftë të administrojnë ndjenjat, mendimet dhe sjelljet e tyre në mënyrë që të kenë sukses në jetë. Pastaj ka edhe disa gjëra që njerëzit e fortë NUK i bëjnë: zbulojini dhe bëhuni edhe ju femra psikologjikisht të forta.
- Nuk humbasin kohë duke mëshiruar veten
Njerëzit psikologjikisht të fortë nuk humbasin kohën duke menduar se si rrethanat apo njerëzit e tjerë i kanë (keq)trajtuar. Në vend të kësaj, ata marrin përgjegjësitë e rolit të tyre në jetë dhe kuptojnë se jeta nuk është gjithmonë e lehtë dhe e drejtë.
- Nuk e shpërndajnë kot fuqinë e tyre
Nuk i lejojnë njerëzit që të ushtrojnë kontrollin e tyre mbi to dhe nuk u japin të tjerëve pushtet. Nuk thonë gjëra të tipit: “shefi po më shkatërron nervat”, sepse e kuptojnë që janë në kontroll të ndjenjave të tyre dhe dinë se mund të zgjedhin të reagojnë ndaj situatave negative.
- Nuk i tremb ndryshimi
Njerëzit psikologjikisht të fortë nuk mundohen të evitojnë ndryshimet. Përkundrazi, i mirëpresin ndryshimet pozitive dhe kanë një sjellje fleksibël. E kuptojnë se ndryshimet në jetë janë të paevitueshme dhe besojnë në aftësinë e tyre të përshtatjes.
- Nuk i shpërdorojnë energjitë në gjëra që nuk i kontrollojnë
Nuk do ta dëgjoni kurrë një njeri të fortë të ankohet se i ka humbur valixhja, për shiun apo trafikun e rënduar. Përkundrazi, këta njerëz fokusohen në atë çka mund të kontrollojnë në jetët e tyre, duke pranuar se, ndonjëherë e vetmja gjë tek e cila kanë kontroll është pikërisht sjellja e tyre.
- Nuk shqetësohen që t’u pëlqejnë të tjerëve
Njerëzit mendërisht të fortë kuptojnë se nuk duhet t’i pëlqejnë askujt e nuk kanë pse kënaqin askënd. Nuk kanë frikë të thonë ‘jo’ dhe të flasin kur është e nevojshme. Mundohen të jenë të sjellshëm e të drejtë me të tjerët. Kuptojnë si mund të sheshojnë inatet me njerëzit e tjerë që nuk i kanë pëlqyer e kënaqur.
- Nuk kanë frikë të ndërmarrin rreziqe
Nuk bëhet fjalë për aventura të çmendura, por marrin përsipër rreziqe të llogaritura mirë kur ata e vlerësojnë që është rasti i duhur. Marrin kohë për të peshuar mirë rreziqet dhe përfitimet para një vendimi të rëndësishëm dhe informohen me kujdes mbi pasojat e vendimeve të tyre para se të veprojnë.
- Nuk e kanë kokën pas në të kaluarën
Njerëzit e fortë nuk humbasin kohë duke menduar për të kaluarën. E pranojnë gjithçka kanë kaluar në jetën e tyre dhe e dinë çfarë kanë mësuar prej saj. Por nuk i përjetojnë vazhdimisht përvojat e këqija dhe as fantazojnë për ditët e lavdishme. Në vend të kësaj, ata jetojnë të tashmen dhe planifikojnë të ardhmen.
- Nuk përsërisin pafundësisht të njëjtat gabime
Njerëzit mendërisht të fortë pranojnë përgjegjësitë e sjelljes së tyre, mësojnë nga gabimet dhe për pasojë nuk përsërisin pafundësisht të njëjtat gjëra. Nga ana tjetër, ata shohin përpara dhe vendosin në mënyrë më të vetëdijshme për të ardhmen e tyre.
- Nuk ndjejnë mëri për sukseset e të tjerëve
Njerëzit mendërisht të fortë vlerësojnë dhe festojnë sukseset e të tjerëve. Nuk ndihen ziliqarë ose të pafatë kur të tjerët kalojnë përpara tyre. Në fakt, ata e dinë se suksesi vjen nga puna e madhe dhe punojnë fort për të arritur sukseset e tyre në jetë.
- Nuk dorëzohen që në dështimin e parë
Njerëzit e fortë nuk e shohin dështimin si një arsye për të hequr dorë. Ata e përdorin dështimin si një mundësi për t’u rritur e përmirësuar. Dëshirojnë të vazhdojnë të provojnë deri sa të arrijnë suksesin.
- Nuk kanë frikë të jenë vetëm
Njerëzit e fortë e pranojnë vetminë dhe nuk i tremben heshtjes. Nuk kanë frikë të jenë vetëm me mendimet e tyre dhe t’i përdorin momentet negative në mënyrë produktive. E shijojnë qëndrimin vetëm dhe nuk janë të varur nga shoqëria me të tjerët, por dinë të jenë të lumtur edhe me veten.
- Nuk mendojnë që bota u detyrohet ndonjë gjë
Njerëzit e fortë nuk mendojnë se kanë të drejtë për gjërat në jetë. Nuk janë rritur duke menduar se të tjerët duhet të kujdesen për ta apo që bota u detyrohet ndonjë gjë atyre. Nga ana tjetër, kërkojnë mundësi, duke u bazuar vetëm te meritat e tyre.
- Nuk presin rezultate të menjëhershme
Si të jenë duke punuar për të përmirësuar shëndetin e tyre, si për punën apo për të nisur një biznes të ri, njerëzit mendërisht të fortë nuk presin rezultate të menjëhershme. Ata e ushtrojnë zotësinë e tyre dhe kuptojnë që ndryshimet e vërteta kërkojnë kohë.
Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.