Këshilla & Arsye

June 5, 2017 | 16:00

13 mënyrat se si puna mund t’ju çojë në mbipeshë

Pavarësisht se mund të bëni një jetë të ekuilibruar e pa shumë teprime, shigjeta e peshores vijon të shkojë gjithnjë e më lart dhe ju nuk arrini të kuptoni pse. Ndoshta është faji i punës: siç shpjegon Health.com, ata që bëjnë një punë para kompjuterit, jo vetëm që janë të detyruar të qëndrojnë ulur për shumë orë në ditë, por janë edhe më të ekspozuar ndaj ushqimeve të çdo tipi.

1

Dhe jo vetëm: nëse bëhet fjalë për një punë veçanërisht stresuese, ekziston rreziku që të rritet niveli i kortizolit, hormoni i stresit, përgjegjës i të ngrënit jashtë orareve kryesore. Por arsyet nuk përfundojnë me kaq…

1.Qëndroni ulur gjithë ditën – Kjo është një arsye e dukshme dhe e pashmangshme. Ata që bëjnë punë zyre janë të detyruar të kalojnë pjesën më të madhe të ditës të ulur para tavolinës së punës. Ata që bëjnë një aktivitet të tillë ia vënë fajin qëndrimit ulur si shkaktari i parë i shtimit në peshë, edhe pse sipas ekspertëve, shkaktarët e mbipeshës dhe të obezitetit janë të tjerë. Por megjithatë, qëndrimi ulur për tetë apo nëntë orë në ditë nuk na ndihmon. Këshillohet që pas pune të merreni me pak aktivitet fizik.

2. Udhëtoni çdo ditë – Përveç kohës që kaloni ulur në punë, duhet të shtoni edhe atë që kaloni ulur në makinë apo në mjetet e transportit publik që përdorni kur shkoni në punë. Nëse deri më sot, jeni ndier me fat që keni gjetur një vend të lirë ku të uleni, duhet të dini që kjo nuk është një gjë e mirë për trupin tuaj, që priret të bëjë edhe më pak aktivitet fizik.

3. Puna ju streson – Stresi nxit prodhimin në nivele të larta të kortizolit, që quhet pikërisht hormoni i stresit, që shkakton ndjesi urie të befasishme prej nervozizmit dhe shpesh çon në konsumimin e ushqimeve të gatshme e të pashëndetshme, që kanë prirjen të grumbullohen në bark apo në vithe. Dhe jo vetëm: sipas një studimi gjerman, stresi është një nga shkaqet e diabetit të tipit 2.

4. Punoni deri vonë – Keni për të dorëzuar një raport apo për të mbyllur një punë urgjente dhe për këtë arsye ju qëllon shpesh të punoni deri natën vonë. Duhet të dini se mungesa e gjumit ka një efekt të çuditshëm në organizmin tuaj: sa më pak të flini, aq më shumë hani, sidomos jashtë vakteve kryesore, gjë që shkakton shtimin në peshë.

5. Hani gjënë e parë që ju del përpara – Nëse ju duhet të lëvizni shpesh për çështje pune, me siguri ju ka qëlluar që për të kursyer kohë të shkoni në një fast food apo të hani gjënë e parë që gjeni. Ky zakon është shumë i dëmshëm për ruajtjen e peshës suaj ideale. Ekspertët këshillojnë se nëse nuk gjeni një vend ku mund të hani “mirë”, bëni një sforcim për të marrë ushqim të shëndetshëm nga shtëpia.

6. Kompania ku punoni nuk ofron programe të mirëqenies – Janë gjithnjë e më të shumta kompanitë, veçanërisht ato angleze dhe amerikane, që synojnë të reduktojnë pagesën e sigurimeve shëndetësore të punëmarrësve në këmbim të nxitjes së aktivitetit fizik apo që të jenë në formë. Për fat të keq bëhet fjalë për një shërbim ende pak të përhapur dhe shumë kompani e shmangin që të mos fusin hundën në jetën e punëmarrësve të tyre.

7. Ndiqni regjimin ushqimor të kolegëve tuaj – Shkoni shpesh për drekë bashkë apo porosisni pica për t’i ngrënë në zyrë. Por nuk është e thënë që mënyra e të ushqyerit e kolegëve tuaj të jetë e përshtatshme edhe për ju.

8. Bëni shpesh festa në punë – Ditëlindja e njërit, martesa e një tjetri apo rritja në detyrë e një tjetri akoma – të festuarit me kolegët është diçka e bukur dhe e këndshme, por nëse bëhet një zakon pothuaj i përditshëm (biskota, torta, brioshë), me kalimin e kohës e vetmja që nuk do të festojë është peshorja juaj.

9. Përdorni shumë ashensorin – Nëse qëndroni së paku 8 orë në ditë ulur, çfarë do të thoshit sikur të ngjisni më këmbë herë pas here shkallët?

10. Nuk jeni të ekspozuar mjaftueshëm ndaj dritës natyrale – Nëse punoni në një hapësirë të madhe mund të keni fatin e keq që vendi juaj i punës të jetë larg dritareve: në këtë mënyrë jeni i detyruar të mbani gjatë gjithë ditës dritën ndezur për të zëvendësuar dritën natyrale. Kjo ndikon negativisht në ritmin tuaj cirkadian, që rregullon gjumin dhe kohën zgjuar. Me kalimin e kohës, kjo ndikon negativisht edhe në metabolizmin tuaj.

11. Udhëtoni shpesh për punë – Dreka në avion, darka me investitorët, mëngjese pune – kur udhëtoni shpesh është e lehtë ta teproni me të ngrënit dhe për më tepër kaloni shumë kohë ulur dhe shpesh jeni i detyruar që të dilni nga rutina juaj duke sakrifikuar kohën që mund t’ia kushtonit aktivitetit fizik.

12.Hani në tavolinën e punës apo përpara kompjuterit tuaj ndërkohë që punoni – Është një zakon i keq, që ndikon negativisht në linjat e trupit tuaj. Nëse hani ndërkohë që punoni, jo vetëm që nuk shkëputeni asnjëherë, duke i dhënë organizmit tuaj mundësinë që të “zgjohej” pas një ndalese kaq të gjatë, por rrezikoni që të merrni më shumë kalori se ç’është e nevojshme e pa pasur mundësi t’i digjni.

13. Jeni gjithnjë “online” – Kontrolli i shpeshtë i email-eve të punës apo komunikimi i vazhdueshëm me kolegët e punës nuk ju lejon asnjëherë të çlodheni mjaftueshëm: kjo ju streson më shumë dhe si pasojë e kortizolit (hormoni i stresit) keni tendencë ta teproni me të ngrënit edhe kur nuk keni nevojë./Monitor

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top