Aktualitet

August 14, 2025 | 20:46

14-vjeçari i merr jetën bashkëmoshatarit në Maliq / Alarm kombëtar për degradimin e adoleshencës, një tragjedi që po përsëritet

Përgatiti Orjona Tresa

Pasditja e sotme ka qenë tejet e trishtë. Një ngjarje e rëndë u regjistrua në fshatin Pirg, në qytetin e Maliqit. Një 14-vjeçar, Erald Xhejo nga Zvirina, humbi jetën pas një sherri me thikë me bashkëmoshatarin e tij, 14-vjeçarin Enedio Guri nga Leminoti. Dy të rinj në moshë, por të mëdhenj në tragjedinë që mbartin tashmë e përgjithmonë.

screen-shot-2025-08-14-at-19-41-11

Nuk është e lehtë të shkruash për diçka kaq të rëndë. Më duket sikur fjalët nuk mjaftojnë për të shpjeguar dhimbjen e prindërve, shokëve, gjithë komunitetit. Por përtej lotëve, më rëndon edhe një pyetje që më pushton shpirtin: Si është e mundur që dy fëmijë, që ende nuk kanë mbaruar klasën e nëntë, të përfundojnë në këtë pikë, njëri në varr dhe tjetri pas hekurave?
Këto nuk janë thjesht “ngjarje kriminale” për  rubrikat e lajmeve. Janë histori që nxjerrin zbuluar plagët e shoqërisë sonë, mungesën e komunikimit në familje, boshllëkun emocional që zëvendësohet me dhunë, presionin e shokëve për t’u dukur “i fortë”, mungesën e mësimit të vetëkontrollit. Mesa duket, ne nuk po u japim fëmijëve tanë aftësitë për të jetuar, por po i lëmë të rriten në një botë ku një thikë në xhep duket më e dobishme se një bisedë e qetë.

screen-shot-2025-08-14-at-19-41-36

Kur fëmijët nisin të vrasin fëmijë, nuk kemi thjesht një krim. Kemi një alarm kombëtar. Një thirrje për t’u zgjuar nga gjumi dhe për të kuptuar se nuk mjafton t’i ushqejmë e t’i dërgojmë në shkollë. Duhet t’i mësojmë të duan, të respektojnë, të ndalen para se të veprojnë.
Eraldi nuk do të kthehet më. Enedio do të rritet me barrën e një faji të përjetshëm. Por nëse kjo tragjedi nuk na bën të ndryshojmë mënyrën se si i rrisim fëmijët, atëherë shumë të tjerë do të humbasin.
Kjo është një ngjarje që nuk trondit vetëm familjen e viktimës dhe atë të autorit, por mbarë shoqërinë. Sepse ajo që ndodhi nuk është një rast i izoluar. Ngjarje të tilla janë përsëritur herë pas here, duke na vënë përballë një pyetje të hidhur: Çfarë po ndodh me fëmijët tanë?
Adoleshenca është periudha më delikate e jetës. Është mosha ku formohet personaliteti, ku zemra ndizet shpejt, ku ndjenja e drejtësisë përzihet me rebelimin, ku çdo fjalë apo gjest mund të kthehet në zjarr. Por kur ky zjarr ushqehet nga dhuna, mungesa e komunikimit dhe boshllëku emocional, ai shndërrohet në shkatërrim. Siç na e përshkruajnë shkencat sociale, shkaqet mund të jenë të shumta:
Prania e dhunës në shtëpi, në rrugë, në rrjete sociale, duke e bërë agresionin të duket si mjet i pranueshëm për të zgjidhur konfliktet.
Mungesa e kujdesit prindëror real, jo vetëm fizik, por edhe emocional, ku fëmijët nuk dëgjohen dhe nuk kuptohen.
Presioni i grupit dhe nevoja për t’u dukur “i fortë” përballë shokëve.
Mungesa e aftësive për menaxhimin e emocioneve, sepse askush nuk u mëson të ndalojnë, të marrin frymë, të mendojnë për pasojat.
Kur një adoleshent zgjedh t’i marrë jetën një bashkëmoshatari, nuk kemi thjesht një krim, por një alarm të madh social. Kemi një dështim kolektiv, të familjes, të shkollës, të shoqërisë, të institucioneve, për t’i dhënë brezit të ri armët e duhura për jetën: respektin, empatinë, komunikimin.
Jeta e një 14-vjeçari u ndërpre tragjikisht. Një tjetër 14-vjeçar, do të qëndrojë përtej hekurave, dhe do të kalojë vitet më të ndjeshme të rritjes duke u përballur me peshën e një faji të përjetshëm. Dhe ne, të rriturit, duhet të shohim në pasqyrë dhe të pyesim: Sa të tjerë duhet të humbasin, që të veprojmë?

screen-shot-2025-08-14-at-19-41-24

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top