Për herë të parë Shqipëria do të prezantohet në Garat Ndërkombëtare të Individëve me Sindromën Down, Trisome Games 2016, që do të mbahen në Firence të Italisë. Trisome Games janë gara sportive të sporteve të ndryshme si noti, atletika, xhudo etj për individët me Sindromën Down.
Shqipëria do të përfaqësohet nga Gersi Troka, një djalë 16 vjeç nga Tirana, i cili do të marre pjesë në kategorinë e notit. Gersi ka filluar të bëj not që kur ishte 9 vjeç dhe vullneti dhe suksesi i tij në këtë sport ka bërë që trajnerët dhe familjaret e tij ta nxisin të marrë pjesë në këto gara.
Këto gara do të mbahen nga data 15 deri me 22 korrik dhe Gersi do jetë njëri nga 207 pjesmarrësit e ardhur nga 30 shtete të ndryshme. Gersi do garojë në këto stile: flutur, në shpinë dhe stil i lirë.
Pjesmarrja në këtë aktivitet u bë e mundur nga Fondacioni Down Syndrome Albania ndërmjet mbështetjes së Ministrise së Arsimit dhe Sporteve dhe Federates Shqiptare të Notit. Gjithashtu kësaj nismë iu bashkuan dhe individë të ndryshëm duke dhënë kontributin e tyre.
Pjesëmarrja e Gersit në këto gara përtej faktit që tregon aftësitë dhe suksesin e tij në këtë sport, ka dhe për qëllim ndërgjegjësimin e opinionit publik këtu në Shqipëri mbi potencialin dhe aftësitë e individëve me Sindromën Down.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.