Sot është Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Sidës. Kjo ditë kujtohet çdo 1 dhjetor që prej vitit 1988, ditën kur ministrat e shëndetësisë nga e gjithë bota u mblodhën për të diskutuar mbi Sidën, ku u fol shumë lidhur me tolerancën, shkëmbimin e hapur të informacionit dhe përvojën në luftën kundër tij.
Rreth 34 milion njerëz në botë janë të prekur nga kjo sëmundje, e cila konsiderohet si sëmundja e shekullit. Sipas burimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, rezulton se në harkun kohor mes viteve 1981-2007 kanë vdekur nga ky virus vdekjeprurës rreth 25 milion njerëz. Këto statistika të frikshme e klasifikojnë Sidën si një nga sëmundjet më të rrezikshme dhe më masive në historinë e njerëzimit.
Dita e 1 dhjetorit, është një shenjë sensibilizimi për të gjithë qeveritë, por dhe grupet e tjera të interesit, për të kujtuar se Sida është e pranishme në shoqërinë tonë. Ekziston një nevojë urgjente e rritjes së fondeve, rritjes së kujdesit, përmirësimit të edukimit si dhe luftimit të paragjykimeve për këtë sëmundje.
Virusi HIV/AIDS është një virus që shkatërron sistemin imunitar te njeriu. SIDA, Sindroma e fituar nga mungesa e imunitetit, është gjendja që pason kur trupi i infektuar me virusin HIV kalon nga faza e mbartësit në fazën e sëmundjes.
Virusi HIV nuk mund të depërtojë nëpërmjet lëkurës së padëmtuar dhe as nëpërmjet mbrojtjes që ofron një prezervativ. Ai nuk mund të jetojë gjatë jashtë trupit të njeriut. Virusi nuk mund të transmetohet nëpërmjet kontakteve të tilla si: puthja, shtrëngimi i duarve, prekja e ndenjëses së banjës dhe përdorimi i lugëve, pirunëve dhe thikave të njëjta me personat e infektuar. Ai nuk transmetohet nëpërmjet pickimit të insekteve.
Ka tri mënyra kryesore të transmetimit të virusit nga një person në një tjetër:
Nëpërmjet marrëdhënieve seksuale të pambrojtura
Ajo e kalimit të virusit direkt në gjak, d.m.th. nëpërmjet transfuzionit të gjakut ose përdorimit të ageve të shiringave tek më shumë se një person (persona të cilët bëjnë praktikimin e drogës me të njëjtën shiringë midis tyre)
Kalimi i virusit nga nëna te fëmija, (gjatë barrës ose nëpërmjet qumështit të gjirit)
Kur virusi HIV hyn në trupin e një personi, ai cilësohet si HIV pozitiv. Njeriu mund të jetë HIV pozitiv pa e ditur se është i tillë.
Shenjat
Shenjat e mundshme të virusit HIV janë: rreth 10 % humbje në peshë, ethe për më shumë se një muaj, lodhje dhe djersitje natën. Por këto shenja nuk janë standarde dhe janë pothuajse të padukshme në jetën e përditshme. Njerëzit mund të jenë të infektuar për disa vjet, përpara se sistemi i tyre imunitar të bjerë aq shumë, saqë infeksione të ndryshme të shkaktojnë kalimin e tij nga HIV pozitiv në pacient me sëmundje të sidës. Zakonisht periudha 4-7 vjet është një kohë relativisht e shkurtër, por dhe vendimtare për një person që mund të jetë infektuar. Kjo do të thotë se nëse ka bëre një test, me kalimin e kohës padituria e infektimit me HIV mund të jetë e rrezikshme për jetën e tij. Në fakt, një person i shëndetshëm ka në gjakun e tij nga 500 deri në 1200 trupa CD4-T ose rruaza të bardha. Kur një person HIV bie me poshtë se 300 CD4-T për kampion gjaku, ai menjëherë duhet të fillojë kurimin me ilaçe antiretroiale në mënyrë të tillë që dendësia e virusit për kampion gjaku të bjerë, d.m.th të parandalojë shumimin e tij në gjak dhe nga ana tjetër të ndihmojë trupin të rrisë CD4-T për kampion gjaku.
Mjekimi
Studimet moderne janë duke bërë kërkime për gjetjen e ndonjë vaksine, e cila mund të ndihmonte në parandalimin e HIV, megjithatë dekada kërkime nuk kanë dhënë rezultate. Nga ana tjetër duhet të themi se ku virus mund të vihet në gjumë nga një seri e madhe ilaçesh, të cilat bëjnë të mundur jo shkatërrimin e virusit, por parandalimin e tij të shumohet në gjak.
A është SIDA virus i rrezikshëm?
Viruse të ndryshme sulmojnë pjesë të ndryshme të trupit të njeriut, disa mund të sulmojnë lëkurën, disa të tjerë aparatin tretës e kështu me radhë. Çfarë e bënë sidën kaq të rrezikshme? Veçanërisht, ajo sulmon një tip të veçantë qelize të quajtur: qeliza e sistemit imunitar ose ndryshe CD4-T. Pa këto qeliza, sistemi imunitar nuk është më në gjendje të sulmojë dhe të shkatërrojë viruset e bakteret. Ky proces nuk është i dukshëm dhe nuk ka asnjë mënyrë për të kuptuar nëse jemi ose jo të infektuar nga HIV. Por, një test gjaku mund të gjejë jo virusin por, antitrupat që Sistemi imunitar ka prodhuar për të shkatërruar këtë virus rreth tre muaj pas infektimit.
Nga erdhi HIV / SIDA?
Shumë ekspertë mendojnë se HIV/SIDA ishte e pranishme në SHBA, Evropë dhe në Afrikë për disa dekada ose më shumë, deri në rastin e parë të shfaqur në vitin 1959. HIV ishte identifikuar për herë të parë më 1984 nga shkencëtarët francezë dhe amerikanë, por virusit që shkaktonte vdekjen nuk iu dha emri deri më 1986. Mendohet që për herë të parë është shfaqur tek një majmun me ngjyrë të gjelbër prej të cilit pastaj është infektuar edhe njeriu.
Shiriti i kuq është simboli i solidaritetit për personat me HIV pozitiv dhe ata që janë të prekur nga sida.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.