Këshilla të vyera nga njerëz që kanë parë, studiuar dhe jetuar me të vërtetë dashurinë
MOS U PËRPIQNI TË NDRYSHONI ATË ÇKA NDJENI
“Mbani mend se për çdo karakteristikë të partnerit që juve ju pëlqen, ka dhe një tjetër që nuk ju pëlqen edhe aq. Prandaj nëse dëshironi t’ia thoni çka nuk ju pëlqen, mos hezitoni. Ka gjithmonë diçka unike në karakterin e tij që vlen shumë më tepër se çdo gjë tjetër”. Kerry Ehrin, shkrimtare dh e pro ducente e serive televizive “ Prin dërimi” dh e “Dritat e të premtes mbrëma”. -Kerry Ehrin, shkrimtare dhe producente
Tregohuni të ndershëm dhe flisni për financat
Askush nuk dëshiron të flasë për paratë, por sekretet dhe gënjeshtrat, edhe nëse bëhet fjalë për ndonjë investim të gabuar apo blerje pa kriter, gjithmonë dalin në shesh dhe shkatërrojnë besimin në çift. Kam punuar me çifte, të cilët janë treguar të pandershëm me partnerët e tyre për llogaritë bankare, por i kanë kaluar ato kriza dhe kanë ndenjur sërish bashkë. Gjithashtu kam punuar me çifte, martesat e të cilëve kanë përfunduar sepse nuk mund të linin pas shpine zakonet e këqija të të shpenzuarit të të ardhurave. Të diskutosh për borxhet, shpenzimet, kursimet, për çdo gjë – është e vetmja gjë që mund t’ju ndihmojë për të lënë pas pengesat në fushën e financave”-Karen Lee, planifikuese financiare
SHKËPUTNI KORDONIN UMBELIKAL
“Pas 30 vjetësh që kam kaluar duke ndihmuar çiftet të blejnë dhe shesin pronat e tyre, kam mësuar se si përfshirja e prindërve është një tregues shumë i mirë i lumturisë. Nëse njëri nga partnerët dëgjon vetëm mendimin e prindërve të vet, në vend të mendimit të prindërve të partnerit, e di shumë mirë se shumë shpejt do të më duhet ta shes sërish atë pronë, kur divorci të jetë përfundimtar”. Barbara Corcoran, agjente pronash
Jepini përparësi shëndetit
“Mirëqenia fizike përmirëson çdo aspekt të jetës, përfshirë edhe marrëdhënien romantike me partnerin. Ushqyerja e duhur dhe ushtrimet fizike, përveçse përmirësojnë format tona, na bëjnë të ndihemi edhe më joshës në sytë e partnerit. Kjo vlen për të fituar besimin e nevojshëm, që është shumë i rëndësishëm për intimitetin në çift e për rrjedhojë përmirëson edhe jetën seksuale”. Jillian Michaels, eksperte e shëndetit dhe mirëqenies fizike
Jepini hapësirën e duhur partnerit
“Është shumë e rëndësishme të kaloni kohë së bashku, por martesa nuk është një ishull i vetmuar. Secili prej jush ka nevojë për mbështetjen e miqve apo të familjes dhe për interesat e veta personalë. Unë e adhuroj notin dhe plazhin, ndërsa partneri dëshiron të dëgjojë muzikë klasike e të lexojë. Të kesh pasione të ndryshme e mban martesën të fortë dhe largon stresin e të qenit të varur nga njëri-tjetri në çdo moment të ditës”. Ruth e martuar prej 48 vitesh me Harris Berman
Bëj dredhi të vogla
“Nëse dëshiron diçka, bëje që të duket sikur është ideja e tij. Gjithçka duhet të bësh është ‘të mbjellësh farën’ – ajo do të rritet. Krishtlindjet e kaluara bisedova me bashkëshortin për dhuratat që duhej t’u bënim nipërve dhe i thashë: ‘Do të ishte shumë mirë nëse nipërit tanë do të kishin kompjuterat e tyre personalë. Vajzës sonë do t’i kushtojë dyfish ky shpenzim dhe ndoshta nuk mund ta përballojë dot’. Një orë më vonë ai më tha: ‘Nëse ne i blejmë një kompjuter, ndoshta tjetrin ia blen ajo si dhuratë’. Dhe unë iu përgjigja: ‘Ide shumë e mirë, Frank!’”. Dawne Polito, e martuar me Frank prej 43 vitesh
Jini e dhembshur me partnerin
“Unë punoj me shumë çifte, të cilët kanë hyrë në telashe sepse inati kundrejt partnerit ka dëmtuar të gjithë imazhin pozitiv ndaj tij. Ndodh shpesh që njëri nga partnerët ndihet i mërzitur, i vështirë, jo tërheqës dhe egoist. Ruajeni imazhin pozitiv të njëri-tjetrit edhe gjatë debateve, apo inatit e mërzitjes. Largojeni mërzinë dhe kini parasysh që partneri juaj është argëtues, ka sy të bukur, apo ju ofron mbrojtje dhe mbështetjen e duhur me ëmbëlsi. Të kesh në mendje vlerat e partnerit ju ndihmon të tejkaloni mosmarrëveshjet”. Dr. Gail Saltz, Psikiatër
Ëndërroni shumë për të ardhmen
“Bisedoni bashkë për shpresat dhe dëshirat që keni për të ardhmen tuaj. Ëndërroni se si mund të ishte jeta juaj nëse do të kishit të ardhura më të mira dhe shprehjani partnerit ëndrrat tuaja. Mund të ëndërroni sikur do të blini një shtëpi në një qytet turistik dhe sa bukur do ishte të kalonit pushimet me partnerin aty, edhe pse nuk e keni fare në plan ta bëni këtë gjë. Ky lloj të menduari plotëson motivimin dhe dëshirat për të ardhmen. Çiftet të cilat nuk ëndërrojnë një të ardhme të bukur para tyre, zhyten në monotoni dhe monotonia është armiku kryesor i një çifti.” Dr. Ben Michaelis, Psikolog
UROJENI PËR AFTËSITË E TIJ
“Shumica e burrave pëlqejnë shumë të ndihen meshkuj të vërtetë dhe të jenë të vlerësuar nga e dashura e tyre. Ki parasysh t’i thuash ‘Mbrëmë ishe i mrekullueshëm’, apo ‘Më pëlqen shumë ajo çka bëre mbrëmë’ dhe largohu menjëherë pas kësaj fraze. Mos prit të ta kthejë mbrapsht komplimentin. Më pas do ta shohësh se si do të impenjohet të jetë sa më i dashur me ty pas kësaj, dhe jo vetëm në shtrat”. Dr. Abraham Morgentaler, autor i librit “Pse meshkujt dështojnë në shtrat”
Mos u limitoni në bisedat në shtrat
Të dyja, si gjumi edhe dashuria, janë njësoj të ngjashme për sa i përket qetësisë dhe mirëqenies psikologjike. Kur jemi të përgjumur, mbrojtësit tanë janë më të minimizuar dhe ndihemi më të pranishëm emocionalisht, duke e shndërruar në një moment shumë të përshtatshëm dhe të mbushur plot intimitet. Dr. Rubin Naiman, Psikolog i gjumit dhe i ëndrrave
Ruani komunikimin sekret
“Ne kemi një sistem shenjash që i përdorim me partnerin për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të tipit: Do ikim tani? A më dashuron? Dhe shumë të tjera si këto. Të komunikosh me partnerin në një mënyrë që askush tjetër të mos e kuptojë, ju bën të ndiheni më pranë partnerit”. Lois Helmstad, e martuar prej 64 vitesh me Bill
NDIQNI PASIONET E NJËRI-TJETRIT
“Bashkëshorti im pëlqen shumë të luajë golf, kështu që unë mora disa leksione golfi që të mund të luanim së bashku. Tani unë e shoqëroj shpesh atë. Është shumë gjë e këndshme të futesh në garë me të dhe ai kënaqet, sepse bëjmë një aktivitet që e pëlqen pa masë”. Misty May Treanor, Fituese e medaljes së artë në kampionatin olimpik
LËRENI TË DALË VETËM
“Kjo nuk do të thotë se ju nuk shqetësoheni për të. Do të thotë se jeni mjaftueshëm e sigurt dhe nuk keni frikë nëse ai nuk është me ju, apo nëse nuk e di me siguri se ku ndodhet. Unë nuk jam munduar asnjëherë ta kontrolloj bashkëshortin tim se ku shkon apo me kë rri, dhe zjarri i dashurisë sonë është ende i nxehtë”. Joyce Fields, e martuar prej 45 vitesh me Fredin
BËJINI KOMPLIMENTE NJËRI-TJETRIT
“Kujtojini gjithmonë partnerit se për ju është shumë joshës. Bashkëshorti im së fundmi më tha: ‘Le t’i ngjisim bashkë këto shkallë bukuroshe’. I thashë të ulte zërin, por në të vërtetë më bëri për të qeshur. Connie Kalinowski, e martuar prej 46 vitesh me Xhoin
Fantazoni për intimitetin
“Çiftet ndajnë së bashku shumë aktivitete të përditshme, si larja e enëve, ndërrimi i pelenave të fëmijës dhe pagesa e faturave. Ndaj, shpesh, në rutinën e punëve të përditshme është shumë e lehtë për çiftin të humbasë dëshirën seksuale. Shumica e çifteve të suksesshme e vendosin nevojën e tyre për intimitet në vend të parë. Mund të duket e çuditshme në fillim, por unë u them klientëve të mi që të mendojnë për cilësitë seksuale të partnerit të paktën 10 minuta në ditë dhe të krijojnë fantazi erotike. Nëse fokusoheni me të vërtetë rreth kësaj, do të kuptoni se si do të ndryshojë niveli i dëshirës suaj seksuale”. Brandy Engler, Psikolog, autor i librit “Meshkujt në divanin tim: Histori të vërteta për seksin, dashurinë dhe psikoterapinë”
BËNI PYETJEN E DUHUR
“Duhet të jini kurioz. Këtë e kam mësuar nga terapitë që kam bërë me pacientët e mi. Kur bën vazhdimisht pyetje, i jep mundësinë partnerit të flasë dhe të përgjigjet, qoftë edhe për një argument pa rëndësi. Bashkëbisedimi ju bën të ndiheni më afër me njëri-tjetrin dhe, siç dihet, është çelësi i një marrëdhënie të lumtur dhe afatgjatë”. Dr. Harville Hendrix, Terapist i marrëdhënies në çift
Gjeni një kujdestare të besuar fëmijësh
“Sipas studimeve, një tregues shumë i rëndësishëm i lumturisë në një marrëdhënie është shpesh se si një çift shoqërohet me miqtë, kështu që planifikoni një ditë për t’u takuar me ta. Dhe mos u ndjeni fajtor se do i lini fëmijët në shtëpi – sot prindërit shpenzojnë shumë kohë me fëmijët e tyre. Të kalosh kohë me miqtë, është çelësi për një marrëdhënie të fortë dhe të lumtur. Takimi me miqtë ju jep argumente të rinj për të biseduar. Të ndash me ta mendimet që keni për partnerin është një gjë që ju bën të dyve të ndiheni krenarë dhe të lumtur”. Stephanie Coontz, mësuese dhe autore e librit “Martesa, një histori nga bnindja tek intimiteti”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.