Prekja, përqafimi janë forma komunikimi, jo verbale, thelbësore për marrëdhëniet njerëzore. Shkenca ka treguar se përqafimi nuk është vetëm një nga “aktivitetet’ më të kënaqshme, por edhe një kurë e mirëfilltë për t’u ndier më mirë kur vuajmë nga shqetësime të vogla ose kur zgjohemi me humor të keq dhe na duket sikur dita nuk është edhe aq e bukur. Përqafimi çliron dhe përthith energji pozitive, duke përfshirë në këtë spirale mirëqenien e të gjithë organizmit tonë.
Përmirëson humorin | Përqafimi është një ilaç kundër depresionit. Në fakt, të përqafojmë ose të na përqafojnë janë dy veprime që çlirojnë dopaminën në brendësi të organizmit tonë, duke favorizuar prodhimin dhe çlirimin e endorfinave. Për të përfituar këtë rezultat të mrekullueshëm, është e rëndësishme të mësojmë që të përqafojmë duke shtendosur të gjithë muskujt e trupit.
Largon ankthin | Kur zemra fillon të rrahë me forcë dhe ndjeni se po ju kap ankthi, përqafimi mund të jetë zgjidhje shumë e mirë. Përqafimi është një mbështetje e mirëfilltë psiko-sociale që na mbron nga tensioni, situata ankthi dhe stresi, që rrezikojnë rutinën tonë. Në këtë përfundim kanë arritur studiues të ndryshëm, mes të cilëve një studim i fundit amerikan që është botuar në revistën “Psychological Science”.
Forcon vetëbesimin | Rrethanat ose personi që sot e merrni si të mirëqenë, ndoshta mund të jetë ai për të cilin do të keni nevojë në të ardhmen. Përqafimi stimulon prodhimin e oksitoksinës dhe serotoninës: në këtë mënyrë, përmirëson mirëqenien emotive dhe fizike. Oksitoksina dhe endorfinat veprojnë në mënyrë të efektshme në nivelin e vetëbesimit, duke forcuar dhe shtuar sigurinë në vetvete. Ndjenjat e dashurisë dhe afërsisë empatike që dhuron përqafimi bëjnë të mundur që ky reagim pozitiv fiziologjik të forcohet edhe më shumë.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 140
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.