Le të mposhtim të gjitha barrierat, le t’i bëjmë ata të ndihen më të përfshirë në shoqërinë tonë. Këtu nuk flasim për të mposhtur barrierat e betonit, por ato kulturore dhe sociale të cilat pengojnë integrimin e personave me aftësi të kufizuara në fusha të ndryshme të jetës. Është ky qëllimi fisnik, për të cilin çdo vit, në datën 3 Dhjetor festohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Kjo nismë është ndërmarrë që në vitin 1981, me qëllim që të përhapet sa më shumë njohja e konceptit “aftësi të kufizuara”, në mënyrë që të jepet mbështetja e duhur, për të mbajtur larg tyre çdo formë diskriminuese dhe dhune. E mendoni se sa e vështirë mund të jetë për ta nëse do të refuzohen nga shoqëria? E mendoni nëse ata janë apo jo mjaftueshëm të përfshirë në ekzekutimin e dijeve të tyre në lidhje me një profesion të caktuar? Sigurisht që të jesh pjesë e shoqërisë, të ndihesh i përfshirë duhet që ajo të pranojë kufizimet në fjalë dhe të japë ndihmën, mirëkuptimin, pranimin e saj, mënyrë kjo që një person me aftësi të kufizuara ta ketë më të lehtë të adaptohet në aktivitete dhe punë të ndryshme.
Këtu janë disa rregulla të përgjithshme si t’i ndihmoni njerëzit me aftësi të kufizuara:
Gjithmonë trajtojini njerëzit me aftësi të kufizuara si të barabartë. Të gjithë njerëzit duan të kenë miq dhe të argëtohen. Njerëzit me aftësi të kufizuara nuk bëjnë përjashtim.
Gjithmonë pyesni para se t’i ndihmoni. Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë nivele të ndryshme të pavarësisë. Një person mund të mirëpresë ndihmën, ose ata mund të kërkojnë që ta lini të pavarur; por edhe në qoftë se ai përpiqet, “lufton me veten”, kjo është një praktikë për të përballuar situatat e përditshme.
Kurrë mos supozoni nëse dikush është apo jo me aftësi të kufizuara. Çdo njeri është i ndryshëm. Ndonjëherë, njerëzit me aftësi të kufizuara mund të veprojnë, të ndjejnë, ose mendojnë ndryshe nga ju.
Mos ia ngul sytë. Kjo është një përvojë e “sy-hapjes” , kur shikon dikë me aftësi të kufizuara në publik. Megjithatë, njerëzit me aftësi të kufizuara kanë jetë ashtu si gjithë të tjerët.
Respektoni dhe mirëkuptoni kofidencialitetin. Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë të drejtën e privatësisë. Ata nuk janë të detyruar t’ju tregojnë për paaftësitë e tyre. Nëse dikush ju tregon për paaftësitë e tij/saj është mirë të mos e ndani me të tjerët. Gjithmonë kërkoni leje për të diskutuar, para se ju ta bëni atë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.