“3 Harqet”, një urë e mirëfilltë bashkëpunimi mes artit shqiptar dhe atij francez. Falë ndjesive që arti përcjell, ai njëherësh lidh kombet mes një gjuhe unike e të patjetërsueshme. Në Muzeun Historik Kombëtar ishte ekspozita e skulptorit Claudy Pellaton dhe piktorit Enkelejd Zonja, e cila shoqëruar me titullin e mësipërm, u çel falë bashkëpunimit të këtij të fundit me Ambasadën e Francës në Tiranë, Bourgogne-Franche-Comté dhe shoqatën Art Mobile.
Kuratori i ekspozitës Krenar Zejno gjatë prezantimit të këtij bashkëpunimi artistik rrëfeu dhe motivet që trajtohen në veprat artistike. “Bashkëpunimi dhe ura si simbol, por si mund t’ia bëjmë nëse edhe ato që janë klishe t’i marrim dhe t’i çojmë aty ku e kanë kuptimin origjinë ndonjëherë shpenzohen prej shpërdorimit të tyre dhe mendoj që ky nuk është rasti i shpërdorimit”, tha Zejno.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi, i cili përshëndeti me këtë rast tha se kjo ekspozitë synonte një komunikim mes stileve të ndryshme. “Simbolikat ndryshojnë, por gjuha e artit është e përbashkët. Autorit francez i kanë bërë përshtypje urat e vjetra të ndërtuara në Shqipëri, por vetë urat janë simboli i bashkimit. Nga ana tjetër autori shqiptar nëpërmjet penelit të tij na jep perceptimin e botës së shkuar në Shqipëri. Prandaj them se nuk ka gjë më të mirë se bashkëpunimi i këtyre dy artistëve për të na sjellë këtë ekspozitë”, tha mes të tjerash drejtori Dorian Koçi.
Piktori shqiptar Enkelejd Zonja, është prezantuar vetëm me katër vepra në këtë ekspozitë, por dimensionet e veprave të tij krijojnë një marrëdhënie të shumëfishtë me veprat e autorit francez. “Ka qenë një iniciativë e Claudy Pellaton skulptorit francez për të bërë një ekspozitë me një artist shqiptar. Unë si artist do marr pjesë në një qytet në Francë me disa punë të tjera ndryshe nga këto që janë këtu, duke përfaqësuar Shqipërinë. Është një formë komunikimi mes dy vendeve nëpërmjet gjuhës së artit”, tha Enkelejd Zonja.
Piktori francez Claudy Pellaton që ka trajtuar dhjetëra motive shqiptare në pikturat dhe skulpturat e tij, shprehet se urat kanë qenë inspirimi i tij artistik. “Kam parë shumë ura në botë dhe në Ballkan, dhe sigurisht ato janë pjesë e veprave të mia, por kur vizitova Shqipërinë, vura re se këtu urat ishin shumë më të veçanta, shumë specifike, dhe unë aty shihja motive artistike. Ka diçka që më frymëzon tek këto ura dhe historia e tyre”, tha piktori Pellaton.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në datat 15-26 prill në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar! E njëjta ekspozitë “3 Harqet”, e autorëve Pellaton dhe Zonja do të të vazhdojë më tej, duke u transferuar në Francë për publikun ndërkombëtar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.