Këshilla & Arsye

November 27, 2019 | 8:05

3 këshilla për të jetuar të lumtur

Lumturia është një gjendje e natyrshme e trurit dhe prodhohet nëse veprojmë në mënyrën e duhur. Ja disa këshilla praktike për të eliminuar pengesat që ju largojnë nga lumturia, për t’u ndier mirë me veten dhe për të qenë në harmoni me botën.

Jini pozitivë | Barbara Fredrickson, profesoreshë psikologjie rekomandon se duhet të jeni pozitivë. “Sjellja pozitive ju bën më të bukur dhe më të shëndetshëm, favorizon uljen e tensionit, pakëson dhimbjen, ul rrezikun e sëmundjeve virale, si dhe garanton cilësi më të mirë të gjumit. Rritni numrin e ndjenjave pozitive dhe shumë shpejt do të përfshiheni nga pozitiviteti. Gjeni kohë për të zbuluar anën pozitive të çdo situate. Mos u ankoni dhe as mos arrini në përfundime negative për veten. Çfarëdolloj shpërqendrimi i shëndetshëm që mund t’ju ngrejë humorin – disa minuta vrap apo aktivitet fizik – është një zgjedhje e shkëlqyer”.

Çlodhuni dhe mendoni | Daniel Goleman, psikolog dhe shkrimtar nga Massachusetts sugjeron: “Meditimi ju ndihmon të menaxhoni me lehtësi reagimin ndaj stresit dhe për ta marrë veten më shpejt kur kaloni ngjarje traumatizuese. Këtu qëndron çelësi i lumturisë. Në një studim, disa njerëz që bënin punë shumë stresuese, ndoqën një kurs meditimi për tetë javë dhe në fund të eksperimentit rrëfyen se ndiheshin më të lumtur dhe se kishin kujtuar se cila ishte arsyeja pse ata e pëlqenin punën e tyre në fillimet e saj. Edhe fillestarët mund të përfitojnë nga meditimi, por duhet praktikë. Disa vite më parë kalova një mbrëmje me Yongey Mingyur Rinpoche, murgun tibetian i njohur si ‘njeriu më i lumtur në botë’. Si ka arritur në këtë nivel? Me ushtrim të vazhdueshëm. Pas takimit me të kuptova se e merrte veten menjëherë pas kundërshtive dhe mosmarrëveshjeve. Mbi këtë aftësi rehabilitimi shkenca dhe studiuesit bëjnë llogaritjet për parametrat e lumturisë.”

Kultivoni optimizmin | Sonja Lyubomirsky, profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë sugjeron të tregoheni të lumtur: “Kam zbuluar se nivelin e lumturisë mund ta ndikojmë nëpërmjet mënyrës se si veprojmë dhe mendojmë. Kam zbuluar disa aktivitete që na bëjnë të lumtur, të gjitha gjëra që njerëzit e kënaqur mund t’i bëjnë spontanisht. Shprehni mirënjohjen, kultivoni optimizmin, evitoni çdo formë obsesiviteti, jini të sjellshëm, gjeni kohë për miqtë, zhvilloni strategji për të përballuar vështirësitë, mësoni të falni, apasionohuni ndaj ndonjë aktiviteti dhe jini të gatshëm të zbuloni horizonte të reja, shijoni kënaqësitë e jetës, synoni gjithmonë kundrejt objektivave të rëndësishëm. Dhe në fund, praktikohuni!”

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 143

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top