Ditët e gjata verore fillojnë të zhduken, fillon të fryjë më shumë erë, gjethet thahen e bien nga pemët, mëngjesi dhe darka janë më të freskëta: ka ardhur vjeshta! Kjo stinë është për tokën një periudhë ndryshimi, e cila mund të jetë e vështirë edhe për trupin tonë të mësuar me nxehtësinë dhe “lehtësinë” e verës.
Kemi përzgjedhur tri këshilla të thjeshta për të përballuar më mirë vjeshtën…
Forconi imunitetin | Ndryshimi i stinëve është një periudhë kritike edhe për sistemin tonë imunitar dhe është pikërisht ky momenti më i mirë për ta përforcuar e të jemi të përgatitur e të fortë në dimër. Edhe në këtë rast ndihma e parë e një rëndësie thelbësore vjen nga ushqimi: pini shumë, hani çdo ditë ushqime krudo, perime të pjekura, fruta (edhe të thata) shtoni konsumimin e ushqimeve që përmbajnë vitaminë C. Pastaj keni edhe zgjidhjet natyrale për të përforcuar mbrojtjet e imunitetit, si: trëndafil i egër, sambuko, hudhër, zink, propolis, etj.
Si në farmaci apo erboristeri mundeni të gjeni produkte të ndryshme të gatshme, të përgatitura me një përzierje bimësh mjekësore, enkas për të forcuar sistemin imunitar.
Pushoni sa më shumë | Vjeshta është momenti ideal për të hyrë në letargji, por fatkeqësisht nuk mund ta bëjmë këtë gjë. Sigurisht që mundemi të pushojmë pak më shumë, nëse kemi nevojë ose të paktën të ngadalësojmë ritmin frenetik. Gjumi i mjaftueshëm (rreth tetë orë) është i rëndësishëm dhe do të ishte mirë nëse do të mësoheshim me ritme të njëjta ose të ngjashme çdo ditë. Më saktë, të flemë në të njëjtën orë dhe të zgjohemi në të njëjtën orë. Një këshillë e mirë që mund të jetë e vlefshme përgjatë gjithë vitit është që të hani të paktën dy-tri orë para se të flini. Në këtë mënyrë thjeshtësohet tretja dhe e njëjta gjë ndodh edhe me gjumin tuaj.
Kujdesuni për veten | Është shumë e rëndësishme që në këtë stinë t’i jepni vetes disa momente relaksi, si: duke bërë një banjo të ngrohtë, të shihini një film, të lexoni një libër, të pini një gotë çaj, të dëgjoni muzikë, etj. Këto gjëra janë të rëndësishme për të rimarrë energjinë e humbur dhe të ndihmoni edhe trurin tuaj. Me ndihmën e partnerit, por edhe vetë, mund t’i dhuroni vetes masazhe qetësuese duke përdorur për shembull vaj bajamesh të ëmbla ose vaj farash susami (të ngrohur në banjo mari për 5 minuta), ndoshta edhe duke përdorur vaj esencial. Një këshillë e mirë është që të meditoni për të paktën 10 minuta çdo ditë, duke u ulur në një pozicion të rehatshëm, me sytë mbyllur dhe të relaksoheni duke marrë frymë në mënyrë të lehtë e të thellë.
Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.