Për t’u rigjeneruar në nivel mendor gjatë pushimeve, nuk mjafton të ndryshoni vend e të çlodheni në vende argëtuese: përfitimet më të mëdha të pushimeve varen nga gjendja shpirtërore me të cilën nisemi për të pushuar dhe se çfarë bëni kur arrini në destinacion. Ndaj bashkë me valixhen duhet të marrim me vete edhe një dozë të mirë pozitiviteti.
1.Take your time dhe think positive | Dy shprehje në anglisht, të cilat në shqip na kujtojnë se duhet të marrim kohën e nevojshme dhe të mendojmë pozitivisht. Po në ç’mënyrë? Çdo ditë, sapo zgjoheni, caktoni objektivin psikologjik të ditës. Për shembull: “Sot dua të jem e lumtur”; sa herë që përfshiheni nga parehatia, apo mendja ju kthehet te punët në zyrë, merrni frymë thellë, përsëritini vetes fjalët magjike dhe menjëherë do të ndiheni më mirë, falë fuqisë së mendjes dhe vetëbindjes.
2.Bëni çfarë ju pëlqen | Bashkëshoqëruesit tuaj gjatë pushimeve kanë vendosur të vizitojnë një qendër tregtare në zonë dhe ju vetëm ideja ju bezdis? Nuk duhet t’i shkoni domosdoshmërisht nga pas. Kini kurajën të refuzoni ftesën e tyre në të mirë të asaj çka dëshironi të bëni realisht. Por nuk e dini ekzaktësisht se çfarë doni të bëni? Atëherë bëni një shëtitje, “humbisni” nëpër qytet, pasi ju ofron shumë stimuj. Në këtë mënyrë, veçanërisht nëse jeni vetëm, do të jetë më e lehtë të rimerrni kontaktin me veten dhe të përballeni me një situatë të re ku protagonistë ekskluzivë do të jeni ju dhe bota që ju rrethon.
3.Shkëputuni nga puna | Nisuni! Këshilla më e thjeshtë: mos merrni asgjë me vete që ju lidh me punën, hapeni celularin sa më rrallë e vetëm atëherë kur ju mungon zëri i njerëzve të dashur. Përsërisni shpesh me vete: jam me pushime, kam nevojë të çlodhem, të ndryshoj idetë, të rri me njerëzit e mi, në botën time. Nëse jeni të ngërthyer nga ankthi i mesazheve që mund të vijnë në postën tuaj, vendosni të paktën një rregull për t’i hapur ato: një ose dy orë në javë. Vetëm kaq, përndryshe nuk do të arrini të shkëputeni për asnjë çast e problemet rrezikojnë t’u shkatërrojnë gjithçka.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.