Jeta rrjedh bashkë me ju, por për ta jetuar sa më plotësisht jetën, filloni të njihni më mirë veten tuaj, vlerat, pikat e forta dhe pasionet. Mundohuni të bashkërendoni veprimet e çdo dite me vlerat tuaja personale. Veç kësaj hyni në lidhje me njerëzit e tjerë dhe tregojuni atyre që e keni shumë për zemër lumturinë e tyre.
Dalloni vlerat tuaja | Në mënyrë që të bëni një jetë koherente, dalloni vlerat tuaja kyçe. Mendoni për gjërat që janë të rëndësishme për ju dhe konsideroni se cilat janë sjelljet që admironi tek të tjerët. Mundohuni të kujtoni se cilat kanë qenë ditët më të mira të jetës suaj dhe çfarë keni bërë në ato ditë. Përdorini këto refleksione për të krijuar një listë të vlerave ku shkrihet jeta juaj dhe parimet që keni më shumë për zemër. Për shembull, mund t’i jepni më shumë vlerë vullnetit për të ndihmuar të tjerët, faktit se keni një mendje të hapur dhe të qenit bujarë.
Gjeni një qëllim në jetën tuaj | Mendoni për gjërat që ju shtyjnë të veproni, për shembull për ato gjëra që ju japin entuziazëm. Imagjinoni veten pas 5, 10, 15 dhe 20 vjetësh, ndaj bëni një listë objektivash, të cilat shpresoni t’i arrini brenda këtij harku kohor. Konsideroni se cilat janë gjërat për të cilat jeni të gatshëm të bëni sakrifica dhe se si mund t’i përdorni sa më mirë aftësitë tuaja për t’i dhënë botës kontributin tuaj personal. Ky ushtrim i thjeshtë do t’ju ndihmojë të gjeni një qëllim për jetën tuaj dhe të njihni më mirë veten.
Dalloni pikat tuaja të forta | Dalloni pikat e forta dhe talentet tuaja në mënyrë që t’i shfrytëzojini ato. Merrni në konsideratë se cilat janë gjërat në të cilat ia dilni më mirë, ato gjëra që ju vijnë natyrshëm. Krijoni një listë të aftësive dhe kompetencave tuaja për të njohur më mirë burimet që keni. Pastaj zgjidhni se cilat pika të forta dhe talente konsideroni më të rëndësishme për t’i zhvilluar edhe më pas.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.