Përgatiti: Manjola Ereqi
Në shumicën e rasteve, përballë dhuratave dhe komplimenteve rrinë të heshtur. Vështirësitë për të thënë “faleminderit” ndonjëherë lindin nga mungesa e edukatës, por më shpesh ato vijnë nga ankthi se mos ndihen në borxh kundrejt tjetrit. Por përse njerëzit e kanë të vështirë të thonë “faleminderit” përtej një kortezie të thjeshtë? Falënderimi do të thotë të jeni mirënjohës për atë që merrni, ju ndihmon të jetoni më mirë, të ndiheni të dashuruar dhe të mos ushqeni zilinë dhe të vlerësoni veçanti të vogla të jetës.
Ndiqni këshillat tona për të mësuar artin e mirënjohjes…
Këshilla e parë | Filloni të shprehni ndjenjat
Kur nuk themi “faleminderit”, ndërpresim komunikimin: refuzojmë ndërveprimin, mbyllemi në vetvete. Për të ruajtur marrëdhëniet, është mirë të shprehim ndjenjat tona. Mundohuni t’i thoni bashkëbiseduesit tuaj: “Nuk besoj se i meritoj kaq shumë elozhe…”, “Jam në siklet për këtë dhuratë” apo “Më bëtë të skuqem nga gjesti tuaj…”
Këshilla e dytë | Shfaqni këndvështrimin tuaj
Çdokush ka të drejtën të mendojë që komplimentet që dikush i bën janë të pajustifikuara, të ekzagjeruara apo që kanë nevojë për saktësime. Në vend që t’ju përpijnë këto mendime, është mirë t’i shprehni ato: “Më thua që kam bërë një punë të mirë, është e vërtetë, pasi shpenzova shumë kohë duke u marrë me të”, “Je shumë i sjellshëm që m’i thua këto gjëra, pasi nuk isha edhe aq i bindur”. Vështirësia për të marrë falënderime shpesh ecën në një hap me paaftësinë për të dhuruar. Të mësoni të bëni komplimente ka një avantazh të madh, pasi ju përgatit për të mirëpritur edhe komplimentet e të tjerëve. Bëheni më pak mosbesues, kuptoni nevojën për të falënderuar dhe për t’ju falënderuar. Me mënyrën e vet të reagimit dikush mund të bëhet model apo një pikë referimi edhe për ju.
Këshilla e tretë| Flisni me gjuhën e trupit
Nëse, pavarësisht gjithçkaje, e keni të pamundur të thoni faleminderit, ka mënyra të tjera për të treguar mirënjohjen tuaj: një shikim i ngrohtë, apo një buzëqeshje mund të kenë të njëjtën vlerë. Dhe, meqë nuk është asnjëherë vonë për të shprehur mirënjohjen, një dhuratë apo një kompliment i thjeshtë i dhënë në ditët e mëpastajme janë të vlefshme dhe të çmuara, alternativa të “faleminderit” të heshtur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.