Secili prej nesh ka një fiksim në mendje, i cili shndërrohet në një rreth vicioz që vë në punë mendime negative nga i cili shpesh është e vështirë të dalësh. Të jeni të qetë dhe pozitivë nuk është gjithmonë e lehtë. Disa mënyra të menduari kushtëzojnë sjelljet tona dhe pengojnë çlodhjen mendore. Si të dalim nga kjo gjendje? Me ndihmën e ushtrimeve të përditshme…
Ushtrimi i parë
Mësoni të mos mbingarkoheni
Jeni gjithnjë në lëvizje, shtrëngoni fort dhëmbët pa bërë asnjë moment pushim, gjithnjë në radhën e parë të punëve, edhe kur të tjerët stepen e druhen… Është një kurajë që paguhet me çmim të shtrenjtë. Heroi me çdo kusht nuk ka vetëvlerësim dhe nuk di ta dojë veten. Zakonisht, ky është një problem i fëmijëve të mëdhenj, të cilët janë ngarkuar me përgjegjësi që në fëmijëri. Këta persona mendojnë se u bëjnë mirë të tjerëve dhe ndërkohë nuk e kuptojnë se limitojnë lirinë vetjake.
Rezultati: Këta njerëz nuk marrin vlerësimin, të cilin vetë ata ia mohojnë vetes; kënaqësinë dhe mirënjohjen… Nëse jeni një ndër këta njerëz, mundohuni të realizoheni për kënaqësinë tuaj dhe jo për të treguar aftësitë që keni. Dy-tre herë në ditë ndalni dhe mendoni se jo gjithnjë mund të keni nën kontroll të gjithë e gjithçka. Mësoni të doni veten, brenda jush është ende ai fëmijë që nuk di më as të qeshë dhe as të luajë… Në të kundërt, nëse keni ndjesinë se nuk i meritoni të mirat që ju ofron jeta, kjo gjë ju pengon të ndiheni të çlirët, të shpërblyer e të kënaqur. Stërmundoheni gjithmonë me mendime: të tjerët janë më të bukur, më të pasur, më me fat. Dhe duke bërë kështu humbisni perceptimin e atyre gjërave që ju rrethojnë. Ndjenja e fajita ushqen frustrimin, xhelozinë dhe mërinë. E keni inatin me ata që shijojnë jetën pa brerje ndërgjegjeje dhe pa iu dashur të paguajnë çmim të lartë. Mundohuni të kuptoni se në ç’mënyrë këto mangësi, të vogla apo të mëdha, penalizojnë jetën tuaj: në dashuri, shoqëri e profesion. Mundohuni të ndryshoni sjelljen tuaj pak nga pak, duke bërë hapa të vegjël. Mos mendoni shumë, por veproni, sepse intervali i kohës, që kalon nga mendimi te veprimi, shpesh favorizon lindjen e frikërave dhe pasigurive. Mos harroni t’i jepni përparësi nevojave dhe dëshirave tuaja. Dhurojini vetes kohë të lirë, blini një dhuratë që ju pëlqen apo shkoni në një qendër estetike.
Ushtrimi i dytë
Mundohuni të falni
Ekziston një perfeksionizëm negativ dhe një pozitiv. I pari është më shumë frenim sesa një motor, edhe kur manifestohet nën formën e hiperaktivitetit. Mjegullon kthjelltësinë, minon vetëvlerësimin dhe sfilit trupin dhe mendjen, duke shteruar energjitë jetësore deri në atë pikë sa t’i konsumojë ato. Pa llogaritur faktin që një perfeksionist vlerëson ashpër veten, gjykon këdo që është rreth e qark tij.
Rezultati: Jeton vazhdimisht nën tension. Nëse jeni ndër këta njerëz, ja një shtrim i thjeshtë për t’u ndjekur. Bëni kujdes se çfarë ndjenje fizike ju sjell një sforcim i vazhdueshëm dhe i shpeshtë (migrenë, tension, dhimbje muskujt, pagjumësi, ankth…) Mund të jetë një sinjal alarmi i nevojshëm. Dëgjoni trupin dhe ndalni në momentin kur mendoni: “Edhe një sforco tjetër!”… Bëni projekte por mos programoni deri në detaje. Perfeksioni është një mënyrë për të mjatur nën kontroll realitetin, për ta përshtatur me dëshirat tuaja. Por duke bërë kështu nuk arrini të kuptoni se keni humbur vëmendjen nga jeta e vërtetë. Mundohuni të kuptoni edhe se perfeksioni nuk ju ndihmon të përmirësoheni, sepse të gjithë ne mësojmë dhe rritemi duke gabuar.
Ushtrimi i tretë
Vlerësoni ato që keni
Nëse ju mungon gjithmonë diçka (dielli, një ngritje në detyrë, një takim…) që të mund të thoni se jeta ju buzëqesh dhe ju dhuron bujarisht kënaqësi, mundohuni të pyesni veten përse. Çfarë fshihet pas pakënaqësive tuaja? Një person i pakënaqur është edhe mendjemadh dhe është i bindur që zgjidhja e problemeve të tij është të kërkojë gjithmonë jashtë dhe jo brenda vetes së tij. Nuk është habi nëse, në fund, bëheni lehtësisht viktimë e acarimit, ankthit dhe frustrimit. Në fakt, nuk e kuptoni se kjo gjendje e vazhdueshme pakënaqësie ju pengon jo vetëm të gjeni harmoninë në zemër e në shpirt, por ndikon negativisht edhe në jetën tuaj me të tjerët: pritshmëritë vazhdimisht zhgënjyese dhe frustrimet pa mbarim e bëjnë të pajetueshëm ambientin që ju rrethon, i cili duhet të jetë burim kënaqësie për nevojat tuaja. Nuk do të vraponi më pas gjërave që ju mungojnë. Me shumë gjasa, atë që kërkoni me shumë ankth e ngulm, e keni gjetur prej kohësh. Jepini vetes çaste pushimi. Gjatë ditës, largoni mendimet dhe pranoni ndjenjat që përjetoni. Shijoni çlodhjen e trupit dhe mbi të gjitha, mësoni të jetoni të tashmen. Mësoni të bllokoni mendimet për të ardhmen, mundohuni të fokusoheni tek ajo që po bëni tani. Vetëm kështu do t’ia dilni të jetoni sa më mirë të tashmen, pa gjetur justifikime në të ardhmen. Pak nga pak, do të mësoni pa shumë mund të shijoni kënaqësinë për atë që jeni dhe jo për atë që keni.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.