Sukseset e shqiptarëve në botë janë të mëdha. Një ndër emrat e publikuar së fundi është edhe ai i Edor Kabashit, shqiptarit i cili na bën të ndihemi krenarë. Shkencëtari Kabashi ka marrë çmimin “ENCALS Young Investigators Award” apo ndryshe çmimin ENCALS për Studiuesit e Rinj për vitin 2015.
38-vjeçari nga Durrësi u nderua si shkencëtari më i mirë i grupmoshës nën 40 vjeç falë punës shkencore të tij në fushën e gjenetikës, në specializimin e ngushtë të sëmundjes së ALS-së, Skleroza Amiotrofike Laterale.
Ky çmim iu dha në Dublin nga Amar Al Chalabi, një nga neurologët më të mirë në botë.
“Çmimi ENCALS për Studiuesit e Rinj ka për qëllim, identifikimin e shkencëtarëve më të aftë dhe më të zgjuar dhe jepet për kërkime në çështje të pazgjidhura në lidhje me sëmundjen ALS”, shkruhet ndër të tjera në motivimin e çmimit për dr. Kabashin.
Por, kush është Edor Kabashi?
Ai është nga Shqipëria, shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Durrës. Ishte viti 1995 kur së bashku me familjen e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që do të arrinte sukses, kjo u pa që herët në punët e tuij studimore. Ai mori çmimin e Presidentit Bill Clinton si një nga studentët më të mirë të Amerikës. Studioi për biologji dhe psikologji në Mount Saint Mary’s College në Emmitsburg, Maryland, SHBA. Më vonë studimet i vazhdoi në Francë e më pas në Montreal në Kanadë ku u diplomua në biologji në vitin 2000. Në këtë vend Edori në vitin 2006 mori gradën doktor në neurologji dhe neurokirurgji. Në vitet 2008 dhe 2011 fitoi çmimin “Brain Star” nga Instituti i Kërkimeve në Fushën e Shëndetit Mendor, në Kanada. Prej vitit 2011, ai drejton grupin kërkimor në departamentin e sëmundjeve neuro-degjenerative, në Institutin e Neuro¬shkencës në Paris, Francë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.