Këshilla & Arsye

October 12, 2019 | 8:04

4 këshilla si të përmirësoni jetën sociale

Nuk jeni të detyruar të shkoni çdo darkë në lokal për të zënë miq. Nëse doni të përmirësoni jetën sociale, duhet të mundoheni pak. Megjithatë, ajo që ju nevojitet është pak durim dhe dëshirë për t’u vënë në lojë, në mënyrë që të ndërtoni një rrjet të ri marrëdhëniesh…

Çfarë prisni nga një miqësi? | Për të përmirësuar jetën sociale, duhet të dini se çfarë dëshironi kur takoheni me dikë. Ndalni dhe mendoni se me kë tip personi do t’ju pëlqente të dilni. Çfarë bëjnë në jetë? Si sillen? Mendoni për miqtë e vjetër dhe pyesni veten se përse e vlerësoni shoqërinë e tyre. Cilat janë pasionet që ju bashkojnë? Si sillet me ju? Cilat janë interesat dhe shijet që keni? Këto janë pyetje thelbësore për të kuptuar se si duhet të jetë një mik i mirë.

Kushtojini vëmendje pamjes | Buzëqeshni, kujdesuni për higjienën, vishuni në mënyrë të këndshme dhe kujdesuni për pastërtinë e rrobave që vishni. Nuk bëhet fjalë për t’i kushtuar vëmendje aspekteve sipërfaqësore, por për të dhënë një përshtypje të mirë. Në këtë mënyrë, njerëzit do ta kërkojnë shoqërinë tuaj. Kujdesuni për higjienën personale. Ruani një stil elegant, që të pasqyrojë personalitetin tuaj. Nuk duhet të ‘pispilloseni’ për të treguar se jeni njeri i shoqërueshëm. Mjafton të kujdeseni për veten.

Gjuha e trupit | Njerëzit kanë tendencën të afrohen me persona që janë të shoqërueshëm dhe që falin energji pozitive. Gjuha e trupit është një nga mënyrat më të thjeshta për të manifestuar këtë prirje. Për të transmetuar besueshmëri duhet t’i mbani duart mbi kofshë dhe shpatullat drejt, duke hapur kraharorin. Shikojeni në sy bashkëbiseduesin tuaj dhe buzëqeshni shpesh. Trupi duhet të jetë i drejtuar nga personat që ju flasin. Kjo mënyrë qëndrimi tregon se jeni të vëmendshëm ndaj atyre që ju qëndrojnë pranë.

Ruajini miqësitë | Pothuajse të gjitha marrëdhëniet përmirësohen me kalimin e kohës, por duhet edhe përkushtim që ato të zhvillohen edhe më shumë. Frekuentimi i shpeshtë do t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë është e rëndësishme në një marrëdhënie dhe se çfarë bisedash ju stimulojnë më shumë. Do të përfitoni shumë edhe në miqësitë e reja, të cilat shpesh ndërtohen falë miqve të vjetër. Takohuni me miqtë për të biseduar, të paktën një herë në javë. Mos hezitoni të organizoni fundjava apo darka me miqtë më të afërt. Sipas psikologëve, miqtë janë të rëndësishëm për të kaluar një jetë në harmoni dhe pa stres.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 142

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top