Këshilla & Arsye

February 7, 2017 | 9:37

4 ushtrime antikompleks

Një fytyrë shumë e rrumbullakët, hundë paksa e madhe, qepalla të syve të rëna… Nuk është gjithnjë e lehtë ta pranosh veten ashtu si je në të vërtetë. Specialisti i sofrologjisë, Michele Freud, na propozon disa ushtrime për të qenë më në paqe me veten dhe për të pranuar pozitivisht imazhin që kemi për veten tonë. Për të kuptuar më mirë se cili është qëllimi i studimit të shkencës së sofrologjisë, do ta përkufizonim atë si shkenca që ka në fokus studimin e vetëdijes personale për të qenë sa më në harmoni me veten.

1

Të ripërvetësosh portretin tënd

Njerëzve u ndodh shpesh të gjenden para pasqyrës e të thonë: “Nuk po e njoh më veten… Fytyra ime është ndryshe nga ajo që unë duhet të jem, nuk jam më vetja ime…” Papritur fillojmë të kuptojmë se portreti ynë nuk përcjell më atë që ne jemi në të vërtetë. Të përpiqemi që imazhi ynë për veten të rrezatojë ndryshe:

BUZËQESHJA ÇLODHËSE: Uluni të qetë në një karrige dhe merrni frymë lehtë, duke u përqendruar
në portretin tuaj. Thithni ajrin me hundë dhe nxirreni atë me gojë. Pastaj thithni ajrin me gojë duke imituar tingujt e “O”-së dhe pasi e keni nxjerrë ajrin, përpiquni të çlodhni fytyrën tuaj.

QARTËSIA E BRENDSHME: Jepini rëndësi fytyrës. Prekeni me duar si të ishte një vend i shenjtë, sikur e zbuloni atë për herë të parë. Merrni kohën e duhur për të hyrë në komunikim me të. Imagjinoni sikur po aplikoni kremin tuaj të preferuar me një vëmendje të veçantë. E kaloni kremin në çdo pjesë të fytyrës, duke e depërtuar atë me butësi në çdo rrudhë, në qafë, rreth syve, hundës, gojës. Provoni kënaqësinë dhe rehatinë që ju japin këto veprime. Së shpejti do të ndjeni se lëkura juaj do të jetë më e butë… edhe së brendshmi.

Të ndjesh trupin tënd

Sa më pak jemi në kontakt me trupin tonë, aq më i vështirë bëhet vështrimi ynë për të. Sipas Michele
Freud, objektivi ynë duhet të jetë shkëmbimi i “trupit që ne kemi ‘kundër’ trupit që ne mendojmë se
kemi”. Kjo nënkupton faktin që ne duhet të braktisim këndvështrimin tonë të keq ndaj trupit tonë. “Trupi ynë nuk mund të modelohet sipas dëshirave tona dhe të jetë i vëmendshëm ndaj asaj që ne ndjejmë”.

ME VETËDIJE TË PLOTË: “Kur njerëzit ndërtojnë një intimitet me trupin e tyre, duke i dëgjuar
mesazhet dhe të qenit i vëmendshëm në kujdesin ndaj tij, është e sigurt që perceptimi ynë për trupin
do të ndryshojë pozitivisht”, nënvizon specialisti. Është praktikë e vetëdijes sonë të plotë. Provoni t’i
jepni rëndësi ujit në dush që rrjedh mbi trupin tuaj duke ju çlodhur e përkëdhelur. Përdorni kremin që
ju pëlqen dhe shijojeni aromën e parfumit të tij.

DIALOGU ME VETEN: Shtrihuni dhe relaksohuni. Bëjini vetes këtë pyetje: “Si ndihem tani?”. Në
çdo frymëmarrje dhe nxjerrje të frymës, përpiquni të ndjeni se si trupi juaj jeton dhe dridhet, rrahjet
e zemrës, pulsi etj. Në çdo frymëmarrje të re, vlerësoni efektet pozitive te vetja juaj (çlodhjen, rehatinë, paqen…).

Të synojmë rritjen e shkëlqimit vetjak

“Nuk ndihem rehat në publik… më mungon personaliteti, ndihem i/e butë dhe aspak tërheqës/e”. Për të arritur këtë “vetëvlerësim, i cili na dhurohet nga të tjerët”, duhet së pari ta nisim nga paraqitja jonë
dhe mbi të gjitha nga qëndrimi ynë trupor – shpjegon specialisti. Individët që kanë vetëbesim kanë treguar se jenë kryelartë, të qeshur dhe i shohin të tjerët në sy. Pse të mos e përshtatim këtë qëndrim? Ju mund të bazoheni te njerëz që i admironi dhe që keni dëshirë t’i imitoni.

VIZUALIZIMI KRIJUES: Imagjinojeni veten si në një film, në situatën ku dikush ju shikon dhe ju
bën komplimente. Imagjinoni sikur dikush tjetër paraqet pengesë për ju, vazhdoni, edhe pse kjo gjë
ju shqetëson. Qëndroni spektatori i vëmendshëm i kësaj skene. Provoni të kaloni me imagjinatë në fillim
të skenës dhe rigjeni perceptimet e lidhura me këtë imazh.

UDHËTIMI I BRENDSHËM: Uluni diku dhe mbyllni sytë. Lejoni veten tuaj të rehatohet nga koka te këmbët, duke treguar kujdes edhe në frymëmarrje. Përpiquni ta zgjasni sa më shumë këtë ndjesi të bukur çlodhjeje. Imagjinoni një udhëtim të brendshëm me veten tuaj. Një udhëtim që do të jetë në gjendje të gjejë burimin e atij rrezatimi që ju bën të ndiheni mirë. Është bukur të mendosh për
rrezatimin e brendshëm, i cili sjell ndjenjën e besimit dhe ndriçon gjithë qenien tuaj. Në imagjinatën tuaj, rrezet e ngrohta të diellit të ndihmojnë të udhëhiqesh nga energjia që ju buron së brendshmi.

Neutralizoni fiksimet

Ka momente kur njerëzit arrijnë në ekstrem për vlerësimin e vetes ndaj paraqitjes fizike: “Nuk e duroj dot hundën time të madhe… vithet e mëdha… Vetëm defekte kam në trupin tim… i urrej krahët e mi…” Ky qëndrim negativ ndaj defekteve fizike, në shumicën e rasteve, është shprehje e një vuajtjeje të vjetër e lidhur me qëndrimin negativ të prindërve dhe të afërmve tanë ndaj paraqitjes sonë! -shpjegon Michele Freud. Janë disa ushtrime, të cilat mund të na ndihmojnë të pajtohemi me këto pjesë “të urryera” ndaj vetes:

SHIKIMI DASHAMIRËS: Etapa e parë e ushtrimit konsiston në gjetjen e disa fotove tuaja që i pëlqeni më shumë. Më pas, në një letër, bëni dy lista: Ato gjëra që pëlqej tek vetja dhe ato gjëra që nuk më pëlqejnë. Në pozicionin ulur duke u rehatuar mirë, duart drejt, vëreni defektet tuaja dhe më pas mendoni për atë gjë që ju pëlqen më shumë te vetja. Psh, mendoni për sytë tuaj, për ngjyrën, formën e tyre. Prekini ato mbi qepallë, kujtoni komplimentet e shumta që ju janë bërë për to. Ndoshta mund t’ju duket e pabesueshme, por provoni të përqendroheni për një kohë të gjatë për të ndjerë impaktin e këtyre vërejtjeve të ardhura nga jashtë për fizikun tuaj. Provoni të bëni një gjest, si psh. të shtypni majën e gishtit të madh me atë tregues. Bëjeni këtë ushtrim 4 herë rresht. Mendoni sërish për defektin tuaj duke e ribërë shtypjen e gishtit të madh me atë tregues. Gjeni imazhet pozitive dhe kështu keni mundësinë të kaloni nga njëri te tjetri, derisa ta gjeni veten të qendërzuar në aspektin pozitiv. Ky ushtrim bën të mundur heshtjen e trurit racional dhe i jep liri trurit emocional.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top