Për të kultivuar mirënjohjen çdo ditë është e nevojshme ta jetoni atë si të ishte një stërvitje. Vetëm kështu shndërrohet në një zakon, duke u bërë pjesë përbërëse e rutinës suaj. Gjithçka lind nga mendja, e cila nëse është në një linjë dhe harmoni me zemrën, prodhon rezultate të mrekullueshme, konkrete dhe të arritshme. Nuk duhet të pretendoni asgjë në këmbim dhe duhet ta shfaqni ndjenjën e mirënjohjes tek të tjerët nëpërmjet një komunikimi të efektshëm verbal e jo verbal…
1. Prindërit ju kanë dhuruar gjënë më të bukur, më të rëndësishme dhe më të vështirën që mund të ekzistojë: jetën. Kujdesuni për ta me gjeste të vogla të përditshme (një telefonatë, një surprizë…) dhe jini mirënjohës për gjithçka që kanë bërë për ju, edhe pse gjatë rritjes suaj kanë bërë edhe gabime. Janë qenie njerëzore dhe si të tillë nuk janë të përsosur.
2. Dilni çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje para pasqyrës dhe falënderoni jetën për atë që jeni, për atë që keni arritur, për gëzimet që keni jetuar, dhimbjet që keni kaluar dhe mësimet që keni mësuar. Ajo që jeni dhe që keni është një dhuratë!
3. Mos kini zili njerëzit që mendoni se janë me fat, vetëm sepse jeni të bindur që kanë apo dinë më shumë se ju. Asnjëherë mos e gjykoni një libër nga kopertina: nuk mund të dini se si është në të vërtetë jeta e të tjerëve. Vlerësoni atë që keni në jetë dhe mos nënvizoni vetëm ato që nuk keni.
4. Mësoni të shijoni atë që keni dhe ndajeni me të tjerët. Mos harroni asnjëherë t’u thoni njerëzve që i doni dhe që jeni e lumtur që janë pjesë e jetës suaj, çdo ditë. Dhe sidomos tregojeni me vepra vlerësimin për ta.
5. Çdo person që takoni po jeton e përballet me dhimbje për të cilat ju nuk dini asgjë. Jini të sjellshëm, ofroni ndihmën tuaj – edhe të vogël – dhe bëni të mundur që prania juaj të jetë gjithmonë më e mirë se sa mungesa. Jini mirënjohës edhe për atë person që nuk ju pëlqen dhe ju inatos: është pikërisht falë tyre që mund të mësoni, rriteni, përmirësoheni dhe mund të praktikoheni me durimin, keqardhjen dhe dashurinë pa interes.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.