Për disa, ambicia është i vetmi faktor i rëndësishëm për formësimin e karrierës, për disa të tjerë ambicia bën ndryshimin midis suksesit dhe dështimit… Nëse ambicia luan një rol thelbësor në rritjen tonë profesionale, atëherë çfarë duhet të bëjmë me veten për ta fuqizuar më mirë atë?
Për një imazh më të kompletuar
Një motiv i fortë për të fituar një imazh të kompletuar në shumë aspekte të jetës është edhe angazhimi profesional. Femrat janë të vetëdijshme se puna u kursen shumë kënaqësi personale, por imazhi pozitiv për veten duhet të shërbejë si një stimul tepër i fortë për t’iu nënshtruar jetës profesionale jo vetëm si një detyrim i ritualit të jetës së përditshme, por edhe si një element thelbësor për të fuqizuar ambicien femërore.
Jepini kuptim motivimit tuaj
Çelësi për të qenë sa më afër ambicies është të kuptosh motivimet personale. Mënyra më e mirë për të nxitur ambicien është prirja për të rrezikuar. Kjo prirje për t’u përballur me sprova të reja nuk u përket vetëm meshkujve. Njerëzit ambiciozë nuk qëndrojnë për shumë gjatë në një vend pune, përkundrazi provojnë të jenë edhe jashtë zonës së tyre të rehatisë.
Mos e lini kohën të shkojë
Femrat në përgjithësi janë të prirura për t’i zvarritur gjërat për shkak të angazhimeve gjithëpërfshirëse si familja, shtëpia, partneri, fëmijët etj. Stop justifikimeve! Koha ikën dhe mundësitë mund të rrezikojnë t’ju ikin nga duart. Nëse jeni duke shpresuar dhe pritur për një ndryshim, do të rrezikoni duke pritur gjithë jetën.
Vendosini qëllime vetes
Kur keni qëllime për vetveten, jeni më e motivuar për t’i realizuar ato. Nëse keni planifikuar të jeni aktive në ndjekjen e seminareve, trajnimeve që i përshtaten profilit që pëlqeni të punoni, mos neglizhoni të jeni e pranishme.
Identifikoni aftësitë personale
Kujtoni aftësitë dhe njohuritë që ju kanë ndihmuar të fitoni një pozicion në një punë të caktuar. Kështu do të ndihmoni veten për të kuptuar se vleni dhe se jeni të aftë për të realizuar një detyrë në mënyrë të suksesshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.