Ndërsa plakemi, çmenduria mund të bëhet një shqetësim i vërtetë. Mendjet tona mund të mos jenë aq të mprehta si më parë dhe të bëhen lehtësisht harruese ose të paqarta. Jo domosdoshmërisht duhet të jetë kështu. Dijetarët tani besojnë se mund të bëhet një punë e madhe për të parandaluar ose ngadalësuar rënien njohëse të pleqërisë. Edhe të luash lojëra të caktuara ose të bësh ushtrime të caktuara mund të bënte ndryshim. Ne kemi bashkuar studimet më të fundit dhe gjetëm një gamë të tërë aktivitetesh që do t’ju ndihmojnë të mbani mendjen tuaj aktive. Cilin nga këto do të provoni?
- Shah
Sipas një studimi amerikan të publikuar këtë vit, njerëzit që përfshihen në lojëra strategjike si shahu janë dy herë e gjysmë më pak të predispozuar të zhvillojnë Alzheimerin (forma më e zakonshme e çmendurisë). Shahu është veçanërisht i përshtatshëm për të strukturuar mendjen, është i lehtë për tu mësuar dhe çdo lojë është krejtësisht e ndryshme.
- Shkrimi i letrave
Hulumtimi shkencor i botuar në Medical Journal of Neurology sugjeron që njerëzit që shkruajnë letra në pleqëri kanë një rënie mendore më të ngadaltë sesa ata që nuk e bëjnë këtë. Besohet gjithashtu se dërgimi dhe marrja e letrave ndihmon ata që tashmë kanë simptoma të çmendurisë, sepse kjo mund t’i ndihmojë ata të mbajnë gjallë kujtime të mira dhe të krijojnë lidhje me të dashurit e tyre.
- Joga
Një studim i vogël i kryer nga UCLA dhe Instituti Buck në vitin 2014 tregoi se yoga dhe meditimi mund të kthejnë humbjen e kujtesës. Mendohet se joga me kalimin e kohës ndihmon në uljen e stresit dhe stërvit mendjen duke stimuluar, ata që e praktikojnë atë, të mbajnë mend pozicionet dhe të përqendrohen në frymëmarrje, lëvizje dhe vizualizim.
- Dëgjoni muzikë
Të dalësh për të dëgjuar, luajtur dhe/ose kënduar këngët tuaja të preferuara është një mënyrë jashtëzakonisht e efektshme për të menaxhuar dhe zvogëluar simptomat e Alzheimerit. Një nga studimet e shumta të publikuara këtë vit e tregoi atë duke përdorur pajisje diagnostikuese të rezonancës magnetike: studiuesit kanë zbuluar një rritje të aktivitetit të trurit dhe lidhjeve kur pacientët dëgjonin muzikën e tyre të preferuar. Bëni një listë këngësh që ju pëlqejnë dhe dëgjojini sa herë të keni mundësi.
- Lexoni
Është konstatuar në mënyrë të vazhdueshme që të lexuarit për kënaqësinë personale ose përqendrimi në fjalë kyçe zvogëlon rrezikun e përkeqësimit mendor. Pse nuk shkoni në bibliotekën tuaj lokale ose, akoma më mirë, të krijoni një klub librash për të kombinuar leximin dhe shoqërizimin?
Parandalimi është gjithmonë më i mirë se kurimi, kështu që mos harroni të monitoroni shëndetin tuaj mendor (por edhe fizik!).
Burimi / https://www.genertel.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.