A e dinit se nga çdo gjë që themi, vetëm 7% e fjalëve tona përthithet nga të tjerët? Fjalët nuk kanë në fund të fundit kaq shumë rëndësi. Pjesën më të madhe të asaj që komunikojmë e shprehim nëpërmjet gjuhës së trupit (55%) dhe me tonalitetin e zërit (38%). Ndaj është e qartë që edhe në sjelljen që bëjmë nuk ndikon vetëm ajo që themi, por edhe se në ç’mënyrë e themi nëpërmjet gjesteve dhe lëvizjeve.
Përbërësi joverbal ka një rol shumë të rëndësishëm në komunikimin asertiv. Fjala asertiv është përcaktuar nga amerikanë Alberti dhe Emmons si ajo “sjellje që e lejon një person të veprojë në interesin e tij, të mbrojë këndvështrimin pa ankth të ekzagjeruar, të shprehë me sinqeritet ndjenjat dhe të mbrojë të drejtat e veta, pa injoruar ato të të tjerëve”.
Përbërësi joverbal ka një rol shumë të rëndësishëm në komunikimin asertiv. Kush ka një komunikim të tillë, kryesisht synon që t’i japë vlerë ideve të veta. E keni parasysh se çfarë mund të ndodhë në një mbledhje pune? Do të ketë kolegë agresivë që do të bëjnë gjithçka për të imponuar me dhunë idetë e tyre, pa marrë parasysh arsyet e kolegëve. Ka edhe kolegë të tjerë që do të sillen si pasivë, duke ndenjur në heshtje dhe pa u përpjekur që t’i japin vlerë këndvështrimit të tyre. Po asertivët? Personat asertivë do t’i njihni menjëherë, sepse dinë të bëjnë me sukses një hap pas gjatë një debati, duke nxjerrë në pah pikët e forta dhe ato të dobëta. Kjo është sjellje prej lideri të vërtetë. Persona të tillë janë të aftë të kanalizojnë vëmendjen e të gjithëve drejt një drejtimi të përbashkët konstruktiv.
Sekreti i vërtetë i komunikimit asertiv dhe efikasiteti i tij është DËGJIMI AKTIV, madje më në detaje DËGJIMI EMPATIK. Sjellja asertive parashikon një dëgjim të vazhdueshëm dhe të kujdesshëm ndaj asaj që thonë personat e tjerë. Një person asertiv di ta peshojë kohën dhe t’i menaxhojë me zotësi pauzat, duke pasur kështu kohë për të menduar se si të përgjigjen në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kemi përzgjedhur 5 sugjerime që ta bëni sjelljen asertive mënyrën tuaj të të komunikuarit.
Jini të sinqertë, tregojini konkretisht gjërat
Para së gjithash, të qenit asertiv do të thotë të jeni të qartë dhe konçizë, do të thotë t’i tregoni gjërat dhe faktet ekzaktësisht ashtu siç janë dhe me seriozitetin e duhur në bazë të rrethanave. Mos harroni se sinqeriteti është një tjetër element thelbësor i sjelljes asertive. Nuk mund të pretendoni që të tjerët t’ju marrin seriozisht, nëse nuk thoni të vërtetën apo më keq akoma, nëse talleni me ta.
Ndani gjendjen tuaj shpirtërore me të tjerët
Siç e kemi shprehur edhe më sipër, një person asertiv shpreh dukshëm ndjenjat e veta dhe gjendjen e tij shpirtërore, pasi është mjaft i hapur kundrejt të tjerëve. Ndaj mos kini frikë të thoni dhe të përshkruani atë që ndjeni në një çast të caktuar. Të komunikoni me qartësi atë që ndjeni është një mënyrë shumë e nevojshme dhe e efektshme për të hyrë në empati me
bashkëbiseduesin tuaj
Përcaktoni qartë atë çka dëshironi
Duke qenë se njerëzit nuk kanë dhuntinë të lexojnë brenda mendjes, shprehni me qartësi atë çka dëshironi të thoni. Ky është hapi i parë për të komunikuar në mënyrë korrekte dhe objektive. Ekzaktësisht ashtu siç shpreh gjendjen e vet shpirtërore pa vështirësi, një person asertiv komunikon në mënyrë të drejtpërdrejtë atë çka synon, sigurisht në shenjë respekti kundrejt të tjerëve
Përballuni në mënyrë konstruktive
Një person asertiv jep më të mirën e vetes gjatë situatave konfliktuale. Në momentet kur agresivët e humbasin krejtësish toruan dhe kalojnë cakun, pasivët mbyllen në vetvete dhe heqin dorë të luftojnë. Ndërsa asertivi di t’i përballojë konfliktet në mënyrë konstruktive, duke qetësuar shpirtin luftarak të agresivit dhe duke stimuluar një person pasiv që ai të reagojë. Si lider i vërtetë që është, një person asertiv vepron si element dakordësie, pa e humbur nga vëmendja mendimin e vet dhe fokusohet tek e mëpastajmja, në atë që është objektivi final përtej konfliktit. Arma e vërtetë e komunikimit asertiv është se shkon përtej fazës kritike, duke parë përtej për zgjidhjen optimale e përmbushjes së objektivit të përbashkët.
Mësoni të dëgjoni në mënyrë empatike
Siç e kemi përmendur më sipër, DËGJIMI është një nga përbërësit më të rëndësishëm të komunikimit asertiv. E megjithatë nuk është e mjaftueshme vetëm të dëgjojmë. Duhet të bëjmë një hap më shumë, duke qenë se dëgjimi asertiv, është para së gjithash, një dëgjim empatik. Çfarë do të thotë të dëgjojmë në mënyrë empatike? Do të thotë të gërmojmë më në thellësi, duke shkuar përtej dëgjimit të thjeshtë të fjalëve dhe duke kuptuar në thellësi gjendjet shpirtërore dhe ndjesitë që përjeton ai që kemi përballë.
Dëgjimi asertiv ndikon në zhvillimin e një ndjeshmërie që na bën të vihemi në vendin e bashkëbiseduesit, në një pikë të tillë sa të ndjejmë të njëjtat gjëra si ai. Është e qartë që vetëm duke i kuptuar plotësisht ndjenjat e njerëzve të tjerë mund të jemi në gjendje të komunikojmë me ta në mënyrë efikase, duke i thënë ato gjëra që ata kanë nevojë të dëgjojnë. Dhe duke qenë se të qenit të kuptuar është një nevojë e lindur te çdo qenie njerëzore, të kuptojmë plotësisht gjendjen shpirtërore të të tjerëve është një përparësi e madhe: do të fitoni pikë në sytë e tyre dhe njerëzit do të kenë edhe më shumë besim te ju.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 121
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.