Në fokus

January 17, 2018 | 7:35

550 vjet nga vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, MHK çel ekspozitën “Moti i Madh”

Sot është 550-vjetori i ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu. Ai ishte njeriu fisnik dhe udhëheqës ushtarak shqiptar. Skënderbeu i shërbeu Perandorisë Osmane në vitet 1423–43 dhe pas largimit nga shërbimi i saj, ai udhëhoqi një luftë të shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.

Në kuadër të kësaj dite, Muzeu Historik Kombëtar do të çelë ekspozitën me titull “Moti i Madh”. Kjo ekspozitë përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.

Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut. Objekti qendror i ekspozitës është kambana e Karpenit me tingullin e saj, si gjurmë e kohës, e cila daton në vitin 1465.

Po ashtu, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.

Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princat evropianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Objektet e ekspozuara e ilustrojnë qartë armatimin e kohës.

Ekspozita përmban ekspozitorë, të cilat paraqesin për vizitorët armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar Skënderbeut.

Projeksionet artistike me dokumentarë dhe imazhet nga filmi i Skënderbeut pasurojnë këtë ekspozitë të veçantë gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

Figura e Skënderbeut mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i luftës me fitoret e tij legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin ta përsërisnin. Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top