Të qenit kreativ është talent apo zotësi që mund të përsoset? Studimet të më fundit kanë treguar se në bazë të testeve, njerëzit kreativë janë inteligjentë, por inteligjenca e lartë nuk shërben në fuqizimin e kreativitetit. Me pak fjalë, njëfarë mençurie është e nevojshme, por nuk është e mjaftueshme për të pasur ide gjeniale. Kreativiteti nuk është një inteligjencë e mirëfilltë, por një mënyrë të menduari, që vepron në ndërlidhjen mes ideve dhe nocioneve.
Jini kuriozë
“Kurioziteti është pjesë e ADN-së sime: u bëj kaq shumë pyetje njerëzve, sa shpesh rrezikoj të më thonë: “Po ty çfarë të duhet?!”. E megjithatë, është një cilësi-defekt shumë i nevojshëm.” Të jetosh nga pak jetët e të tjerëve, duke dëgjuar me vëmendje, ju bën ta shihni botën nga këndvështrime të tjera, duke stimuluar idetë dhe frymëzime gjithmonë të reja.
Mos u shpërdoroni
Keni shumë ide dhe propozime për të bërë? Besoni në to. Vlerësojini dhe zgjidhni me kujdes se kujt do t’ia propozoni ato. Në vendin ku punoni, për shembull, jeni gati të bëni propozime dhe të gjeni personin e duhur që t’i kuptojë ato? Para se t’i paraqisni idetë tuaja vëzhgoni dhe dëgjoni: përdorni pak dinakëri e mësoni t’i adresoni aty ku e dini se do t’ju marrin seriozisht.
Gaboni
Ju ndodh shpesh të mendoni: “Çfarë pret nga unë eprori im?” Epo, përgjigjja e psikologëve është që të gaboni shumë! Përndryshe, eprori do të mendojë se nuk keni guxuar mjaftueshëm. Veç të tjerash, pas shumë përpjekjesh, kur bëni gjënë e duhur, është shumë mirë. Kreativiteti është edhe i mundimshëm dhe rrezikoni të dështoni, por ia vlen barra qiranë të tentoni, sidomos para eprorëve.
Kultivoni lirinë
Për të gjurmuar idetë origjinale, duhet të keni edhe një hapësirë boshe (fizike e mendore) ku të mendoni me qetësi. Gjeni një cep të qetë ku mund edhe të vini veten në diskutim, duke çmbështjellë lëmshin e mendimeve dhe duke i dhënë udhë ideve në liri të plotë.
Bashkëndani
Një sekret për të pasur kreativitet të lartë? Uluni rreth një tryeze me njerëz të fushave të ndryshme: marketing, kërkim, etj… Tregojuni atyre formate të huaja dhe më pas bëni një bashkërendim idesh (brain storming). Ndani me ta shtysa të ndryshme, të cilat pothuajse gjithmonë shndërrohen në ide suksesi.
Studioni mediat sociale
Për të ndezur dritën jeshile duhet të dini edhe për gjërat që bëjnë të tjerët, edhe në nivel ndërkombëtar. Përndryshe, rrezikoni të ngatërroni si risi një ide banale. Pra, vëzhgoni e kërkoni rreth e qark. Edhe në mediat sociale.
Përgatiti Manjola EREQI
Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 108
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.