Profecia për vrasjen e tij ishte plotësuar që në të gjallë, atëherë kur shprehja që lëshoi si kushtrim u ngjit mbi altar: “Vritmëni, por gjakun mblidhmani se do t’u shërbejë për të shkruar shkronjat shqipe”.
I rrallë si burrë në jetë, ai do të ishte i rrallë edhe në vdekjen e tij. U helmua me një dozë të përqendruar, por ai qëndroi shtrënguar pas shalës së kalit të tij për të mos e treguar dobësinë njerëzore në syrin vëzhgues të armiqve të gjuhës shqipe, që po e ndiqnin me ankth rrëzimin e tij.
Pas kësaj do të kthehej në legjendë, por jo vetëm me vdekjen e tij, por dhe me shprehjen tjetër monumentale që u përhap anë e kënd trevave shqiptare: Edhe 99 herë po të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.
Ishte Petro Nini Luarasi. Sot në Tiranë një gjimnaz fort i njohur me emrin e tij kremton 60-vjetorin.
Një ceremoni e veçantë në këtë jubile, bëri bashkë personalitete dhe figura të shquara të vendit, dikur ish-mësues dhe nxënës të këtij gjimnazi. Në këtë jubile, Presidenti i Republikës Ilir Meta, e dekoroi gjimnazin Petro Nini Luarasi me titullin, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
“Jeni me fat që dekoratën e keni marrë nga ky gjimnaz, duke marrë emrin e një prej martitëve, kontribuesve të Manastirit dhe alfabetit të gjuhës tonë, një atdhetar i madh e me shumë dinjitet e merita të panumërta siç ishte Petro Nini Luarasi. Mirënjohje të thellë mësuesve ndër dekada të “Petro Nini Luarasi”, të cilët, krahas performancës së lartë profesionale në shkollë, kanë demonstruar vlera qytetare e njerëzore dhe kanë shërbyer si model për nxënësit e studentët e tyre.
Duke i uruar për këtë përvjetor të rëndësishëm, gjeneratat e petroninsave, të cilët me kontributin e tyre të vyer në të gjitha fushat e jetës, kanë ngritur lart jo vetëm emrin e shkollës, por edhe të Shqipërisë, pata kënaqësinë të vlerësoja këtë gjimnaz me titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’”.
Ceremonia jubilare përkoi me një takim brezash të ish-mësuesve dhe ish-nxënësve, me vlerësime çertifikatash mirënjohjeje nga ana e drejtorisë së shkollës, si një vlerë e çmuar përgjatë 60 viteve që nga krijimi i saj.
Për Teuta Braçaj, drejtoreshën e gjimnazit Petro Nini Luarasi, ky takim emocionues bart peshë nga gjurmët që kanë shënjuar në lëmin e arsimit parauniversitar mësimdhënës të shquar.
“Në një ndërtesë dykatëshe në vitin ’59 u ngrit shkolla që mban emrin e atdhetarit të shquar, Petro Nini Luarasi. Arsyet apo rruga deri këtu është e gjatë, dhe arritjet janë të shumta. Strukturat kanë ndjekur parime të shëndosha të punës në grup. Nxënësit, mësuesit kanë qenë një trup i vetëm në rrugën drejt suksesit. Gjurmët e skalitura në mendjet e nxënësve, çmojnë sot punën që kemi bërë. Tek çdo pllakë është aty si nxënës a mësues. Armë e fortë për ‘Petro Nini Luarasin’ ka qenë edukimi, dhe ndihemi krenarë për kontributin e dhënë për qytetarët e sotëm të këtij vendi. Gjurma e drejtorëve ka qenë risia, humanizmi, altruizmi. Parimet e punës në grup dhe tolerancës qytetare na kanë ndjekur në këtë udhëtim. Ne punojmë fort me besimin se arsimi është e vetmja rrugë për të ecur përpara”.
Botuar në revistën “Psikologjia”, në numrin 143
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.