Aktualitet

May 16, 2023 | 8:30

61 vjet Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, frymëzim për brezat që nga kompozitorët, dirigjentët dhe instrumentistët e pafundmë

Nga Blerina Hima Mërtiri, arsimtare

 

Orkestra Simfonike e RTSH-së është themeluar në 16 maj të vitit 1962 si formacioni orkestral më i madh i kohës. Krijimi i saj shënoi një etapë të re në zhvillimin kulturor dhe artistik në Shqipëri dhe gjithashtu solli një ndikim të jashtëzakonshëm, të ndjeshëm dhe të menjëhershëm në zhvillimin muzikor në të gjithë vendin. Orkestrantët ishin kryesisht muzikantë të rinj, që studiuan në Shqipëri, si dhe nga profesionistë të specializuar në Pragë, Moskë, Laipcig etj. Fillimisht u quajt “Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografisë”dhe më pas Orkestra Simfonike e RTSH-së. OSRTSH mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë.

o

Koncerti i parë u realizua më 20 gusht të vitit 1962. Dirigjenti i saj ishte Mustafa Krantja dhe u luajtën vepra të Haydn, Mendelson dhe Mozart dhe veprat e kompozitorëve shqiptarë Zadeja, Harapi, Daija, Grimci, Çangu, Lara, etj., për të vijuar më pas me brezat më të rinj si Gaqi, Dizdari, Kushta, Lara, Peçi, Shupo, etj. Për vite me rradhë u realizuan produksionet muzikore për shumicën e filmave shqiptarë.

o1Janë ekzekutuar dhe regjistruar si emisione radiofonike për atë kohë veprat e para te kompozitoreve dhe njëkohësisht të drejtuesve muzikorë të institucionit si simfonitë e para të Abdulla Grimcit, Vath Çangut e më pas veprat e kompozitorëve të tjerë të cilët u bënë dhe udhërrëfyesit e zhvillimit muzikor në vend Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Tish Daija, Kozma Lara, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi etj., e deri te brezat më të rinj Limoz Dizdari, Shpëtim Kushta, Kujtim Laro, Thoma Gaqi, Aleksandër Peçi, Hajg Zaharian, Spartak Tili, Gazmend Mullahi, Sokol Shupo e deri tek më të rinjtë Vaso Tole, David Tukiçi, Ermir Dergjini, Endri Sina etj.

o4Që nga veprat e para të ekzekutuara nën drejtimin e dirigjentëve të saj të parë Mustafa Krantja e Simon Gjoni me veprat klasike të literaturës botërore e deri më pas me dirigjentët e këtij formacioni Ferdinand Deda, Eno Koço, Ermir Krantja, Jetmir Barbullushi etj, kjo orkestër ka përballuar me shumë sukses dhe vepra të literaturës së spikatur botërore romantike apo moderne bashkëkohore e drejtuar nga mjeshtra e dirigjentë të huaj, nga Turqia, Gjermania, Greqia, Amerika, Izraeli, Norvegjia, Rusia, Japonia, etj.

Me orkestrën kanë ekzekutuar instrumentistë të mrekullueshëm shqiptare, Ibrahim Madhi, Viktor Shiroka, Xhovalin Shestani, Margarita Kristidhi, Motrat Tartari, Tedi Papavrami, vëllezërit Gjezi, Klodiana Skënderi, Arben Spahiu, Aristidh Prosi, Rudina Ciko, Astrit Selita, Renato Ripa, vellezërit Papadhimitri, Nora Çashku si dhe instrumentistë të huaj nga Bullgaria, Spanja Rumania, Italia, Greqia, Franca, Izraeli, Japonia, SHBA, Australia, etj. Kjo orkestër ka treguar nivelin e saj të lartë edhe në koncertet e dhëna jashtë vendit para publikut të huaj, të cilët e kanë duartrokitur gjatë, si në Turqi, Itali, Greqi, në konkurrimin Evropian të orkestrave simfonike organizuar në Mal të zi (Podgoricë) si dhe koncertet e dhëna në Prishtinë Kosovë, apo në Maqedoni.

o2Orkestra Sinfonike e Radiotelevizionit Shqiptar konsiderohet një vlerë kombëtare e mbarëkombëtare, bazuar në vullnetin e mirë të dhjetëra e dhjetëra orkestrantëve disa prej të cilëve mungojnë e disa aktivë edhe sot që nga themelimi i saj dhe shumë e shumë artistë të tjerë që sjellin frymën e re për energjitë dhe moshën e re të tyre. Ky formacion meriton të ketë një vëmendje e përkujdesje jo vetëm për të ruajtur arritje dhe për të çuar atë akoma më përpara, për ndihmesën që ajo jep në zhvillimin kulturor muzikor kombëtar.

o3

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top