Ju ofrojmë disa këshilla të vlefshme për ta përballuar më lehtë lënien e duhanit dhe për të ndërtuar një “guidë personale”. Për ta larguar njëherë e përgjithmonë zakonin e tymosjes, mund të ndiqni disa këshilla të thjeshta dhe koncize në mënyrë që ato të shërbejnë si udhëzime për ta përballuar sa më lehtë këtë proces.
Para së të hiqni dorë nga duhani:
1.Planifikoni një datë të saktë në të cilën keni vendosur të mos tymosni. Mund ta komunikoni këtë vendim me të afërmit tuaj, në mënyrë që ata të jenë përfshirës të këtij vendimi dhe të mund t’ju vijnë në ndihmë.
2.Njoftoni njerëzit që ju rrethojnë se keni vendosur të hiqni dorë nga duhani. Në këtë mënyrë do të fitoni mbështetjen e tyre, të cilët do t’ju nxisin të tregoni kujdes dhe të mos bini pre e tundimit për ndonjë tymosje të rastit.
3.Filloni të ndryshoni stilin e jetës. Bëni shëtitje në këmbë më shumë se zakonisht, ndryshoni mënyrën e të ngrënit dhe përpiquni të çlodheni më shumë.
4.Eliminoni nga ambienti juaj rrethues mjete si tavllë, çakmak, cigare, paketa cigareje etj. Në shtëpi, në zyrën e punës (ambientet ku shpenzoni kohë më të gjatë) etj.
5.Përtypni çamçakëz sa herë turbulloheni nga tundimi për të tymosur cigaren e radhës. Kujdes! Çamçakëzët antiduhan përmbajnë sorbitol dhe nëse konsumohen në sasi të mëdha, mund të kenë efekte laksative.
6.Shmangni takimet me miq që pinë duhan.
7.Mos qëndroni në ambiente ku ju mund të jeni duhanpirës pasiv. Mos frekuentoni ambiente ku pihet duhan (të paktën në momentet e para kur po përpiqeni të hiqni dorë nga vesi i duhanpirjes).
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.