Vera është rasti më i mirë për të forcuar marrëdhënien në çift, duke kaluar kohë së bashku, duke bërë eksperienca të reja dhe duke eksploruar botë të tjera. Por a është çdo gjë fushë me lule? Fatkeqësisht, jo. Sipas studimeve, duket se numri më i madh i ndarjeve ndodh pikërisht në këtë periudhë të vitit. Si t’ia bëni që ta kaloni kohën së bashku në harmoni dhe të mos grindeni? Ndiqni këshillat tona që të evitoni debatet gjatë pushimeve…
Bëni kompromise
Ju doni të bëni pushime të qeta nën çadër ndërsa partneri pushime në kërkim të aventurave. Kjo mund të jetë një arsye për të bërë debat, ndaj është e nevojshme të bëni kompromis me njëri-tjetrin. Të lëshosh pe ndaj partnerit e bën atë të ndihet i vlerësuar. Nëse i dashuri ju propozon që një ditë të bëni ekskursion, mund të pranoni, duke propozuar që ditën tjetër do të shkoni në plazh, nëse është kjo ajo që dëshironi. Një ide e mirë për të dy mund të jetë të bëni një listë me dy-tri gjëra që secili prej jush i ka përzemër dhe t’i përfshini dëshirat tuaja gjatë pushimeve. Nuk është e nevojshme të bëni çdo gjë së bashku. Kaloni kohë me veten tuaj, edhe vetëm për të shëtitur. Ju bën mirë ju dhe partnerit. Shprehjani haptazi partnerit që keni nevojë të kaloni kohë me veten dhe se nuk po shkoni të shëtisni se nuk duroni dot praninë e tij!
Flisni, flisni, flisni
Komunikimi është ndoshta elementi më i rëndësishëm në një çift. Sa herë prisni që partneri të kapë në ajër se çfarë keni në mendje dhe sa herë keni përshtypjen se besoni se e dini se çfarë dëshiron ai? Sjellja tipike “E di unë se ç’është më mirë për ty, ndaj do kujdesem vetë”, ku ju merrni vendime për tjetrin, flisni në emër të tij, e dini gjithmonë se çfarë ndjenjash provon ai, mund të duket një formë përkujdesjeje dhe dashurie, por në fakt, shpesh e çon lidhjen në një marrëdhënie prind-fëmijë. Mesazhi pas “E di unë se ç’është më mirë për ty” është që ju në fakt nuk e dini dhe, për arsye të ndryshme, nuk jeni në gjendje të kujdeseni për veten. Lëreni partnerin të lirë të shprehë vetveten, inkurajojeni të thotë atë që mendon dhe bëni edhe ju të njëjtën gjë. Partneri mund të imagjinojë atë që ju kalon ndër mendje, por nuk do të jetë asnjëherë i sigurt se çfarë mendoni ekzaktësisht. Flisni hapur për ndjenjat tuaja, emocionet.
Mendoni në kohë se çfarë do të merrni me vete
Duket banale, por nuk është. E dini se sa çifte grinden për gjërat që kanë harruar në shtëpi apo se kanë shkuar vonë në aeroport, apo sepse kanë humbur avionin? Janë të gjitha situata që mund të evitohen, nëse përgatiteni në kohë. Filloni të vini mënjanë gjërat që duhet të merrni me vete, të paktën disa ditë përpara se të udhëtoni. Nisuni nga shtëpia mjaftueshëm kohë përpara. Ka gjithmonë një lokal në aeroport ku edhe nëse shkoni para kohe, të pini një kafe në qetësi deri sa të vijë orari i nisjes.
Qëndroni në të tashmen
Gjithmonë duhet të bëni gjëra së bashku, por gjatë pushimeve që do të kaloni si çift duhet patjetër të keni projekte për t’i ndarë me njëri-tjetrin. Të keni një plan se si do t’i kaloni pushimet është gjë shumë e mirë, por pa e ekzagjeruar duke ndjekur programin që keni bërë deri në detaje. Shijoni çdo moment të pushimeve, edhe gjërat e paparashikuara që mund t’ju ndodhin. Në ato momente, është e lehtë të humbisni qetësinë dhe të thoni fjalë që do të ishte mirë t’i evitonit. Kur vëreni se inati po ju kaplon, merrni frymë thellë dhe kujtoni: çdo gjë ndryshon, çdo gjë kalon!
Shkëputuni nga pjesa tjetër e botës
Jeni me pushime dhe e keni luksin të keni kohë për t’iu kushtuar vetes dhe partnerit. Mos u shpërqendroni me smartphone-in, tabletin, kompjuterin. A është e nevojshme të kontrolloni postën elektronike apo rrjetet sociale aq shpesh sa e bëni zakonisht? Sa herë inatoseni kur partneri merret me celularin ndërkohë që ju i flisni (apo bëni dhe vet të njëjtën gjë pa e kuptuar)? E pra, hiqni dorë nga kjo mani dhe shijoni momentet me partnerin. Bëni të mundur që këto të jenë momentet tuaja!
Rikthehuni sërish fëmijë
Pushimet janë dhe rasti për të shijuar gjëra të reja, për të dalë nga zona e rehatisë dhe ju japin mundësinë të riktheheni për pak kohë në moshën e fëmijërisë. Lini mënjanë gjykimet, të cilat ju largojnë nga vetja dhe të tjerët. Të luajturit i dhuron harmoni jetës dhe të luani së bashku është edhe më argëtuese. Mund të zbuloni anë të vetes dhe të partnerit, të cilat i kishit harruar prej kohësh.
Shtyjini për më vonë diskutimet serioze
Nëse gjatë një bashkëbisedimi me partnerit, kuptoni se po rrezikoni të debatoni, mundohuni ta shtyni diskutimin deri sa të ktheheni nga pushimet. Kjo nuk do të thotë të fshihni kokën nën rërë dhe të bëni sikur nuk ka ndodhur gjë, por evitoni të shpërdoroni kohën e çmuar që kaloni gjatë pushimeve. Ndoshta pas disa kohësh, do të kuptoni se ai argument që ju bezdiste aq shumë në ato momente, nuk është edhe aq shqetësues ose do të keni një këndvështrim tjetër që do t’ju lejojë ta përballoni situatën me më shumë harmoni.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.