Marrëdhënie

February 1, 2019 | 14:18

7 këshilla për të ruajtur martesën

Marrëdhënia në çift, martesa dhe të gjitha lidhjet në përgjithësi mund të kenë shumë “armiq”. Shpesh të papritura, shqetësuese, problemet e vogla e të mëdha mund të shkatërrojnë (edhe përgjithmonë) një marrëdhënie. Por nuk është e thënë që gjithçka të humbasë, dhe nëse ndonjëherë ka ende kohë për të përmirësuar gjërat, njësoj si për shëndetin: të parandalosh është më mirë se sa të kurosh.

  1. Flisni për dëshirat tuaja si çift

Nëse jeni e lidhur me dikë dhe mendoni të përkushtoheni në një marrëdhënie afatgjatë, së pari, është e rëndësishme të sqaroni me partnerin, nëse edhe ai është i interesuar, përtej të gjitha aspekteve të tjera të marrëdhënies. Ekzistojnë shumë lloje të ndryshme marrëdhëniesh dhe pritshmërish mbi atë që nënkupton një marrëdhënie. Mënyra më e mirë për të kuptuar se si ndihet dhe çfarë përjeton partneri, është që ta pyesni atë. Flisni së bashku për të ardhmen e lidhjes suaj. Mendoni për dëshirat që lidhen me të ardhmen tuaj.

  1. Ndani objektivat e jetës personale me partnerin

Çfarë dëshironi nga jeta? Ku do të doni të jeni pas dhjetë vitesh? Çfarë karriere imagjinoni për veten? Këto argumente ju ndihmojnë të kuptoni se si do të jetë marrëdhënia pas shumë kohësh ose nëse ndërveprimi e mirëkuptimi me partnerin do të shndërrohet në një çështje edhe më të komplikuar. Dallojini menjëherë mospërputhjet. Nëse ju pëlqen të udhëtoni shumë në dy vitet e ardhshme, por partneri nuk dëshiron, ky është një argument për të cilin duhet të flisni së bashku. Marrëdhëniet që detyrojnë njërin prej jush të bëjë gjëra që nuk dëshiron t’i bëjë, nuk janë të shëndetshme.

  1. Bëhuni njësh me partnerin tuaj, por sërish jini vetvetja!

Kjo sfidë ju vë përpara një dimensioni që kërkon dashuri dhe vetë-identitet. Partnerët e suksesshëm identifikohen tërësisht me njëri-tjetrin. Ata shpesh mbarojnë fjalinë e njëri-tjetrit, paramendojnë atë që partneri i tyre mund të jetë duke menduar në situata të ndryshme, si dhe janë në gjendje të ndjejnë atë që tjetri mund të ndjejë në rast se një situatë e caktuar mund të ndodhë. Ata janë të lidhur fort, por njëkohësisht i japin hapësirë vetes për të përmbushur interesat vetjake. Njiheni partnerin tuaj! Paralelisht, bëni të njëjtën gjë për veten.

  1. Përkushtohuni ndaj partnerit

Pasi e keni vënë në provë marrëdhënien tuaj, mendoni se ka mundësi të mira për të krijuar një lidhje të qëndrueshme, mund të jetë momenti të përkushtoheni në diçka më serioze. Kur jeni gati, bëjini të ditur partnerit se dëshironi të bëni një hap më serioz në marrëdhënie dhe që jeni gati të bëni më të mirën e mundshme për ta ruajtur të shëndetshme atë. Sigurisht, çdo marrëdhënie është e ndryshme, ndaj flisni me partnerin.

  1. Jini të ndershëm me partnerin

Një nga aspektet më të rëndësishme në një marrëdhënie që synon jetëgjatësinë, është ndershmëria. Nëse doni një lidhje të shëndetshme, gjëja e parë që duhet të keni është SINQERITETI,sidomos mbi faktin se çfarë dëshironi nga kjo lidhje dhe çfarë ju bën të lumtur. Nëse jeni të frustruar për diçka, flisni me partnerin, ndajeni bashkë problemin dhe dëgjoni se çfarë dëshiron edhe ai. Një tjetër tipar i ndershmërisë është të jeni një dëgjues i mirë. Është e rëndësishme të jeni të pranishëm për partnerin dhe të jeni gati për ta dëgjuar kur ai dëshiron të shprehet me ju.

  1. Të jesh partner dhe prind!

Shtatzënia dhe lindja e fëmijës janë periudha më e bukur e një martese, por ato sjellin dhe një situatë të re në martesë. Disa meshkuj fillojnë të ndihen të izoluar dhe të pasigurt, ndaj dhe e perceptojnë partneren si të painteresuar dhe të papërfshirë ndaj tyre. Disa femra përfshihen plotësisht me fëmijën dhe nuk e kuptojnë se përse bashkëshortët nuk përfshihen. Si rezultat çifti rritet në distancë. Bashkëshorti fillon dhe kërkon vëmendjen e miqve, punës, ndërsa gruaja thellon vetminë me fëmijën e saj. Në qoftë se partnerët nuk gjejnë një balancë midis intimitetit dhe prindërimit, atëherë martesa e tyre është në rrezik.

  1. Gjeni miq të përbashkët

Është një karakteristikë tipike: mikesha juaj sapo është lidhur me dikë dhe tani e sheh shumë rrallë. Sa më shumë kohë të kaloni me partnerin, aq më e vështirë bëhet mundësia për të gjetur kohë për të qëndruar në shoqërinë e miqve dhe për të pasur një jetë sociale, si dhe për të pasur një lidhje të shëndoshë dhe harmonike. Për t’i bërë gjërat më të thjeshta, mundohuni t’i bëni të dyja gjërat njëkohësisht. Gjeni miq të përbashkët, me të cilët të kaloni kohë së bashku si çift.

Mundohuni t’i evitoni situatat ku kaloni kohën e lirë vetëm me miqtë e partnerit. Shumë mirë nëse ka shumë miq, por mundohuni të krijoni miqësi të reja së bashku. Nëse një ditë lidhja juaj do të shkatërrohej, do të ndiheni sikur keni humbur edhe të gjithë miqtë.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top