Dëshmi

November 11, 2021 | 8:16

7 shkrimtarë të famshëm dhe zakonet e tyre të çuditshme

Nga Focus / Përktheu Adela Kolea

 

Pikësëpari, edhe shkrimtarët më të aftë e popullorë mund të bien viktimë e të ashtuquajturës “fletë e bardhë”, e vënë në dukje si dukuri më 1947 nga psikoanalisti, Edmund Bergler: Një bllokim i natyrës psikologjike, që e pengon atë që shkruan për të vijuar shkrimin dhe ndonjëherë, për të kompletuar qoftë edhe një faqe.

01

Historia e letërsisë përbën njëkohësisht edhe një histori më vete për t’i kapërcyer këto vështirësi, duke aplikuar rituale ekstravagante nga shkrimtarët.

Ja disa prej tyre:

1-LART E POSHTË

dan-brown

Autori DAN BROWN.

Të varesh kokëngulthi, me kokën poshtë e këmbët lart, është kura e zhbllokimit të shkrimtarit, zgjedhur nga Dan Brown, autor i bestseller si “Kodi da Vinci” e “Ëngjëj dhe Djaj.” Sipas Brown-it, kjo terapi e ashtuquajtur “e përmbysjes”, duke u varur në një tub kokëposhtë, e ndihmon atë që të përqendrohet e të zgjedhë fjalët e duhura. Sa më shpesh e praktikon këtë ritual, aq më shumë ndihet i lehtësuar dhe i vjen frymëzimi.

Një tjetër zakon i Dan Brown është ai që të mbajë në tryezën e punës, një klepsidër. Pas çdo ore që kalon, ai ndal punën e tij, reflekton e bën gjimnastikë. Sesa kjo, e frymëzon në të shkruar, s’dihet por, të paktën mban trupin në formë.

2-SKEDA

Autori VLADIMIR NABOKOV.

Autor i “Lolita”-s, ai kishte zakon që pjesëza nga romani i tij i radhës, t’i shkruante nëpër copa letre, tip biletash e t’i mbante të ruajtura nëpër kuti. Në këtë mënyrë, kur i bashkonte rrëfimet e tij, sekuencën e tyre e përziente siç dëshironte. Ndonjëherë, edhe nën jastëk mbante të tilla copëza letre, në rast frymëzimi për të shkruar.

3-NË PROVË

aaron-sorkin

Autori AARON SORKIN.

Skenarist i serisë televizive, “The West Wing” e “Newsroom”, njëkohësisht edhe i filmit “The Social Network” mbi lindjen e Facebook-ut, ka deklaruar se ka thyer hundën gjatë realizimit të një skenari.

Si i ndodhi kjo gjë?

Ai pohon se dialogët e skenarëve të shkruar prej tij, parapëlqen t’i përsërisë para pasqyrës. Por, një ditë në një provë të tillë, aq shumë i qe afruar pasqyrës, saqë ishte përplasur në të, me pasojë thyerjen e hundës.

4-LAKURIQ

victor-hugo

Autori VIKTOR HUGO.

Autor i kryeveprave si, “Të Mjerët” etj, detyronte veten që kur të shkruante, të qendronte krejtësisht i zhveshur. Kur i qe afruar data e dorëzimit e romanit “Katedralja e Parisit”, pati urdhëruar ndihmësin e vet që t’ia sekuestronte të gjitha veshjet, që ky vetë të mos kishte mundësi që të dilte nga shtëpia. Kjo, edhe në ditët më të ftohta të dimrit, ku qendronte i mbështjellë vetëm me një mbulesë të leshtë, ndërkohë që shkruante veprën “Katedralja e Parisit.”

5-I SHTRIRË

truman-capote

Autori TRUMAN CAPOTE.

Autor ky, të cilit i detyrohemi për kryevepra si, “Me gjakftohtësi” apo “Mëngjes te Tiffany”, preferonte të shkruante i shtrirë. Rrëfehet se ka shkruar bocat e para të çdo romani të tij, çdo tregimi apo artikulli, i shtrirë në divan, duke pirë kafe, çaj, koktejl, sipas orarit. Dhe, po ashtu si Hugo qendronte i zhveshur, më tepër për komoditet, sesa për imponim ndaj vetes.

Në fakt, përveç të qenit shkrimtar, Capote ishte edhe një ‘dandy’, i pasionuar pas elegancës e modës. Këtë e dëshmon edhe kronika mondane e viteve ’60 -’70, ku ai shfaqet me veshje elegante e origjinale.

6-SUPERSTICIONE

jack-kerouac

Autori JACK KEROUAC.

Autor i librit “Në rrugë”, ai ishte një frekuentues i njohur i jetës së natës dhe i dedikonte shkrimit, orët nga mesnata deri në të gdhirë. I pëlqente të shkruante nën dritën e qiririt dhe sa herë vendoste penën mbi fletë, lutej e çdo natë zbulonte supersticione të reja, që i stimulonin venën krijuese.

Nga hëna e plotë, te magjia e numrit 9 – i përsëriste disa gjëra 9 herë – rituale disi të kthyer në formë manie këto por, e frymëzonin për kryeveprat e tij.

7-NË HOTEL

maya-angelou

Poetja amerikane MAYA ANGELOU, për të shkruar, kishte nevojë që të braktiste rutinën e përditshme, ndaj merrte një dhomë në hotel dhe i sugjeronte personelit që të mos i ndërronin çarçafët e që të hiqnin çdo tablo nga muret.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top