Këshilla & Arsye

September 9, 2016 | 8:01

7 zakone të mira që duhet të mësojnë FËMIJËT

Të gjithë prindërit dëshirojnë që fëmija i tyre të jetë me edukatë dhe të sillet mirë. Po në ç’moshë një fëmijë është gati të rrijë ulur kur ia kërkoni, apo t’i vendosë në vend lodrat e veta, si dhe të jetë i sjellshëm? Cila është mënyra më e mirë që ai të përvetësojë zakonet e mira? Sekreti është të filloni t’i mësoni fëmijës zakonet e mira dhe t’ia ngulitni ato që në moshë të vogël, kur ka vetëm disa muaj jetë, në mënyrë që këto zakone më vonë t’i bëjë automatikisht. Jepni shembullin e mirë dhe shpjegojini fëmijës se përse disa zakone janë shumë të rëndësishme.

 

Cilat janë zakonet e mira që mund dhe duhet t’u mësojmë fëmijëve që në muajt e parë të jetës? Kemi përzgjedhur disa prej tyre…

 

ASNJËHERË MOS HARRONI T’I LANI DHËMBËT

T’i lash dhëmbët një fëmije mund të jetë një punë e vështirë, por bëhet fjalë për një zakon jashtëzakonisht të rëndësishëm. Lëreni fëmijën t’i lajë vetë dhëmbët! Shumë fëmijë mund ta mbajnë furçën në dorë që në moshën 1-vjeçare. Mirëpo, kini parasysh që sapo ai të ketë mbaruar, duhet ta vazhdoni ju këtë proces dhe t’ia lani akoma më mirë dhëmbët. Duhet ta vazhdoni këtë veprim derisa ai të mbushë të paktën 7 vjeç.

 

TË MBAJË RREGULL

Sipas ekspertëve, ky është një rregull që duhet vendosur kur fëmija është ende shumë i vogël. Që në moshën 18-muajsh ai argëtohet duke vendosur në vendin e duhur lodrat e veta. Natyrisht që punën më të madhe duhet ta bëjnë prindërit. Mund të përpiqeni t’i bëni ata të kuptojnë se, nëse i vendosin lodrat në rregull, do ta kenë më të lehtë për t’i gjetur më vonë. Gjithashtu, mund t’i jepni një shpërblim sa herë që rregullon lodrat. Për ta bërë sa më të këndshme këtë detyrë, blini disa kuti të mëdha që të kenë ngjyra të ndezura.

 

LANI DUART PARA SE…

Zakoni i larjes së duarve para se të hamë, duhet të ngulitet sapo fëmija fillon të ecë këmbadorazi dhe bën duart pis. Sekreti është të përpiqemi ta shndërrojmë këtë veprim në sa më argëtues. Për shembull, mund të shkumoni duart së bashku me të voglin dhe të bëni garë se kush e bën më të madhe flluskën e sapunit. Në këtë mënyrë, fëmija mezi do të presë çastin kur do të lajë sërish duart.

 

NUK LUHET ME USHQIMIN NË TRYEZË

Mënyra më e mirë për t’i mësuar fëmijës zakonet e mira në tryezë, është të uleni të gjithë së bashku. Në këtë mënyrë vogëlushi do të ketë mundësinë të shohë se si sillen pjesëtarët e tjerë të familjes dhe pak nga pak edhe ai do të mësojë si të sillet mirë. Nga fundi i vitit të parë të jetës, vogëlushi mëson se si të mbajë lugën dhe të hajë vetë. Sigurisht, nuk duhet të prisni që të qëndrojë ulur në tryezë ashtu siç dëshironi ju, të paktën për momentin. Në rast se fëmija juaj dëshiron të çohet nga tavolina, lëreni, por përpiquni ta ulni sërish pas pesë minutash. Shumë shpejt ai do të mësojë se në tryezë qëndrohet ulur për të ngrënë ushqimin që ka përpara.

 

NUK LUHET ME PJESËT INTIME

Në përgjithësi, fëmijët janë të vetëdijshëm për pjesët intime të trupit të tyre nga fundi i vitit të parë të jetës. Është shumë normale që fëmijët të luajnë me pjesët e tyre intime dhe nuk ka arsye që t’i dekurajoni. Në fakt, duke i bërtitur apo qortuar, i ngulisim bindjen se po bën diçka të gabuar. Kjo gjë mund t’i krijojë problem kur vitet kalojnë dhe ai rritet. Zgjidhja më e mirë është të bëni sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse fëmija bën një veprim të tillë edhe kur është në prani të të tjerëve, është e nevojshme ta shpërqendroni vëmendjen e tij dhe në çdo rast nuk duhet t’i bërtisni.

 

THONI “TË LUTEM” DHE “FALEMINDERIT”

Fëmijët mësojnë më mirë nëpërmjet shembullit, ndaj mundohuni t’i përdorni ju më parë zakonet e mira. Fëmijët, fare të vegjël madje, mund të kuptojnë konceptin e fjalës “faleminderit”. Ju duhet vetëm ta ushtroni duke e falënderuar sa herë që ju jep diçka. Duke vepruar kështu, fëmija do t’ju kopjojë dhe do të sillet njësoj si ju.

 

TË QËNDROJË ULUR KUR IA KËRKONI

Si mundet një fëmijë vetëm 2 vjeç të kuptojë atë që i kërkojmë dhe të bindet? Para së gjithash, gjithçka varet nga karakteri i fëmijës dhe duhet të pranojmë se shpesh djemtë janë ata që e kanë më të vështirë të rrinë ulur. Një rregull si ky është një aftësi që fitohet me kalimin e kohës. Rreth moshës 3 vjeç mund t’i shpjegoni se përse është kaq e rëndësishme të mësojë të rrijë ulur: mund të dëgjojë më mirë kur i lexon një përrallë dhe është në gjendje të kuptojë se të bërtasë dhe të ndërpresë dikë ndërkohë që flet është një sjellje e paedukatë. Sekreti për t’ia dalë mbanë? Komplimentet funksionojnë gjithmonë, ndaj sa herë që fëmija juaj qëndron ulur dhe bindet, lavdërojeni shumë dhe jepni vlerësim sa më pozitiv.

 

Këto janë thjesht disa këshilla, të cilat duhet t’i vini në praktikë për t’i mësuar fëmijët pa u munduar shumë. Janë rregulla që u mësojnë fëmijëve të jenë të edukuar, por sigurisht që duhet të veproni edhe në bazë të shijeve dhe karakterit të fëmijëve, karakteristika të cilat do t’i mësoni dhe njihni vetëm me kalimin e kohës.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top