Marrëdhënie

July 28, 2016 | 8:08

8 mite mbi terapinë psikologjike!

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Mund të shkosh të konsultohesh te një psikolog ose te një psikoterapist, mjafton t’i japësh dikujt një sugjerim të tillë dhe fillon menjëherë mbrojtja: nuk jam bërë akoma për te psikologu; nuk jam i çmendur; te psikologu shkojnë ata që nuk i zgjidhin dot problemet e tyre. Justifikimet mund të zgjaten pa fund, derisa individi ta pranojë të shkojë te një profesionist, apo ta gjejë numrin e kontaktit dhe ta lërë takimin “në fshehtësi totale”. Ekzistojnë mite dhe paragjykime të shumta për terapinë dhe njerëzit të cilët kanë nevojë të kontaktojnë një terapist.

1.Terapisti është për njerëz me probleme të mëdha

Studimet tregojnë se individët, por edhe çiftet shpenzojnë më shumë se gjashtë muaj për të marrë guximin që të shkojnë në terapi. Shumica gjen arsye nga më të çuditshmet dhe e justifikon veten pafund për të mos shkuar te një psikolog. Ndryshim ka kohët e fundit për çrregullimet e ankthit, sepse njerëzit kanë filluar të flasin, të lexojnë rreth këtij çrregullimi që kanë njerëzit në botën moderne. Përjashtime të forta kanë rastet kur dikush vuan nga një çrregullim psikotik. dhe ka nevojë për një psikiatër e për trajtim medikamentesh. Njerëzit shkojnë te terapisti për t’u përballur me çrregullime të ndryshme, për marrëdhëniet në çift apo edhe marrëdhëniet me veten.

2.Terapistët si gjithë të tjerët duan paratë

Shumë e mendojnë këtë gjë, por nëse terapistët do të ishin të drejtuar vetëm nga lekët, sigurisht që do të kishin zgjedhur një profesion apo do të kishin bërë karrierë në një fushë tjetër. Nëse i pyesim studentët e psikologjisë, shumica kanë zgjedhur këtë profesion sepse duan të ndihmojnë njerëzit, besojnë në një botë më të mirë.

3.Terapia nuk ka kuptim

Dëgjojmë shpesh se terapia është e pavlefshme, sepse askush nuk të tregon dot se çfarë është e mirë për ty. E vërteta është se psikologu/terapisti nuk të mëson, por është aty për të dëgjuar dhe të ndihmon që të shikosh dhe të thellohesh brenda vetes. Terapia të ndihmon të fokusohesh te vetja me ndihmën e një njeriu të specializuar, i cili punon për të kuptuar dhe drejtuar ty, që të arrish qëllimet e dëshiruara.

4.Terapia është e njëjta gjë si të flasësh me një mik apo pjesëtar të familjes

Miqtë dhe familjarët mund të japin dashuri, mbështetje, por nuk mund të të ndihmojnë kur je jashtëzakonisht i stresuar ose për më tepër kur ke nevojë të menjëhershme për trajtim të specializuar. Kjo ndihmë keqkuptohet dhe shpesh vetëm sa e zvarrit gjendjen. Ka raste kur takimin me terapistin e krahasojnë me rrëfimin te prifti apo te hoxha (nuk ka asgjë të keqe edhe rrëfimi dhe lutja, sepse ndihmojnë vërtet pozitivisht te njerëzit). Të kujtojmë faktin se terapisti është konfidencial, të dëgjon pa të paragjykuar dhe nuk të njeh, në dallim nga shokët apo të afërmit të cilëve nuk do merrje guximin t’u tregoje sekretet e shpirtit nga frika se dikush tjetër do t’i mësojë shumë shpejt.

5.Terapia është shumë e shtrenjtë

Nuk ia vlen të shpenzosh kaq shumë para për një gjë që ti mundesh ta kalosh vetë, nuk ia vlen të shpenzosh para për të paguar dikë i cili rri ulur dhe bën sikur të dëgjon, ndërkohë që mendon për diçka tjetër. E megjithatë do sugjeroja që të shkoni te psikologu që në momentet kur e ndieni se diçka nuk po shkon mirë, apo ju vetë e ndieni se keni nevojë për të folur me dikë. Ky është moment që e ndieni dhe e përcaktoni ju vetë. A ia vlen të shpenzoni për ndjenjat, emocionet, mendimet tuaja në mënyrë që të jepni maksimumin tuaj në jetë, këtë e përcaktoni vetëm ju!

6.Terapistët mund të ndihmojnë kur kanë kaluar të njëjtën gjendje

Ka një mendim se, nëse nuk ke kaluar nga e njëjta rrugë nuk mund të drejtosh të tjerët, sepse nuk e njeh. Kjo ka një të vërtetë brenda, por nuk është apriori. Shumica e terapistëve e kanë formimin e duhur për të kuptuar “dhimbjen” që po përjetojnë pacientët. Në raste të tilla do të theksoja rolin dhe modelin që mund të tregojë një njeri, i cili ka kaluar gjatë të njëjtit shteg, si p.sh: ata të cilët kanë ndaluar alkoolin, marrjen e substancave apo e kanë sfiduar sëmundjen me forcën e tyre.

7.Njerëzit që shkojnë në terapi janë të dobët

Nëse do të quanim të dobët ata që shkojnë te doktori, atëherë do të quanim edhe atë që do të flasë për veten dhe dhimbjen e shpirtit. Fatkeqësisht shqetësimet e mendjes apo të ndjenjave i kategorizojmë si të parëndësishme, mosmenaxhimi vetë shtyn te dobësitë, qarja e bën një mashkull të dobët, ankthi dhe ataku i panikut shihet si përkëdheli, e kështu me radhë derisa një ditë na vjen radha dhe atëherë fillojmë të mirëkuptojmë ata të cilët i kishim paragjykuar më parë.

8.Terapistët nuk janë të zotë për të zgjidhur problemet e tyre

Kur je psikolog apo terapist, nuk e përjashton faktin se je njeri me gjithë ndjenjat dhe emocionet, sfidat dhe sukseset e veta.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top