Romani “Një libër për Arbrit” është i katërti i autorit, që ka nisur të botojë që në vitin 1986, me librin e parë “ Mulliri i Brashit”, më pas botoi vëllimin me poezi “ Qyteti im”, përmbledhjen me tregime dhe novela për të rritur “Lotët e Kripur” dhe atë me tregime për fëmijë “Rrugica e fëmijërisë”. Romani “Një libër për Arbërit” është i pari në llojin e tij, i cili i kushtohet njërës prej figurave më të shquara të kombit, At Gjon Buzukut, i cili në shekullin e XV me “Mesharin” i dha një tjetër dimension gjuhës shqipe, si njëra ndër gjuhët më të lashta të Ballkanit. Me një mjeshtëri të lartë artistike, autori ka ditur të gërshetojë përpjekjet e malësorëve të trevave të veriut të vendit, për të mbajtur sa më larg pushtuesit turk nga ato zona, me ato të shkrimit të një libri në gjuhën shqipe, siç do të ishte “Meshari”. Gjithë ngjarjet e romanit zhvillohen brenda harkut kohor, mars 1554, kur at Buzuku filloi të shkruajë librin e tij dhe deri më janar të 1555, kur ai e mbaroi së shtypuri atë. Për autorin Buzuku nuk është vetëm një famullitar i thjeshtë, që shërben në viset më të thella malore të vendit, por njekohësisht, ai është një patriot dhe një atdhetar, një njeri fisnik, me një bagazh të madh kulturor, që gjithçka të tijën kërkon ta vërë në shërbim të kombit dhe të popullit të tij, i cili sa vuante nën zgjedhën e pushtuesit turk dhe përpjekjeve të tij për të myslimanizuar çdo skaj të vendit, po aq me pafuqishmërinë e Vatikanit, që ndoshta edhe qëllimshëm nuk bënte asgjë për të parandaluar kërcënimet dhe vandalizmat e pashembullta të Kishës Ortodokse serbe që shkatërronin gjithçka në kishat tona në Kosovë, siç ishte rasti më i shëmtuar, ai me sytë e Simonidës në kishën e Graçanicës. Buzuku, për autorin nuk ishte thjesht një shkrues libri litanish dhe psallmesh, por së pari, ai ishte vazhdues i asaj tradite të humbur të shkrimeve shqipe, për të cilat, kryepeshkopi i Tivarit, Adae thoshte se shqiptarët duhet të kenë shkrimet e tyre. Sipas autorit, lindja e Buzukut nuk ishte rastësi. Ai ishte produkt i kohës, asaj kohe të errët që kishte pllakosur mbarë vendin pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, dhe mishëruesi më i mirë i vlerave më të vyera të kombit tonë. Buzuku ishte njëri prej asaj gjenerate të re që po lindte edhe tek ne si rrjedhojë e përhapjes së rilindjes së madhe evropiane.
Titulli: Një libër për Arbërit
Autor: Skënder Braka
Gjinia: Roman
Shtëpia Botuese: 2M Printing Durrës
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.