Le të themi kështu: pjesa më e madhe janë nëna “mjaftueshëm” të mira. Të këqijat sigurisht nuk janë ato që përveç familjes i kushtohen edhe diçkaje tjetër… Nëna e keqe është shfaqur në filmin “Carrie” (Vështrimi i Satanait) i Brain de Palma. Ishte viti 1976 dhe Margeret Uajt, kështu quhej gruaja, kishte tronditur njerëzit me ndëshkimet dhe dëshirën e saj për të asgjësuar të bijën. Sot, mbi tridhjetë vjet më pas, fantazma e saj kthehet ë shikimin sadist të Erika Sayers, mamaja e mjellmës së zezë që e shtyn Ninën e saj të dalë në kërcim dhe kërkon një përqendrim të tillë, saqë e shtyn në çmenduri. Nga sheshi i xhirimit në realitet hapi është i shkurtër. Në librin e saj “Gjëmimi i mamasë tigër”, autorja Amy Chau, që është rritur sipas parimeve të ngurta edukuese kineze (disiplina më disiplinë e botës) mbështet epërsinë e modelit të papërkulshëm oriental përkundër tolerancës perëndimore. “Në bazë të suksesit të të rinjve kinezë është një metodë edukative e mamasë tigër, që nënkupton ashpërsi dhe rreptësi”, – pohon Chau. Mes rregullave që ka përshtatur me të bijat, Sofinë dhe Luizën, janë: mos shko kurrë të luash te miqtë, mos shih TV ose mos luaj me videogame, mos fli kurrë jashtë shtëpisë, mos merr pjesë në shfaqjet e shkollës, merr gjithnjë notat maksimale. Opinioni publik është i ndarë: a është Chau një nënë e mirë apo e keqe? Dhe, më në përgjithësi, a ekzistojnë nënat e mira dhe të këqija?
Çlirohuni nga paragjykimet
“Jo, nuk ekzistojnë”, na siguron Margarita Tosi, psikoterapeute bioenergjetike në Milano. “Te çdo grua, si në përgjithësi te çdo njeri, bashkëjetojnë të dyja aspektet, të mirat dhe të këqijat”. Borëbardha dhe shtriga, Hirushja dhe njerka, si dy faqe të shpirtit tonë. “Kam frikë se jam një nënë e keqe”, rrëfen Lina 38 vjeçe dhe me një fëmijë 9 muajsh. Ma kishin rrëfyer shtatzëninë si një periudhë ekstaze, gjatë së cilës një krijesë rritet brenda teje. Përkundrazi, u ndjeva si një top i fryrë. Vetëm tani kam filluar të shihem në pasqyrë dhe ta “fal” të voglën time që më bëri të shtoj njëzet kile”. Por ndjesitë që ka Lina janë të zakonshme. “Lindin nga fakti që mëmësia në shoqërinë tonë mbetet një tabu, – shpjegon psikoterapeutja, – dhe tabuja thotë: një mama duhet të jetë gjithnjë e shtendosur, e qetë dhe e lumtur, sepse sot fëmijët janë të mirëpritur dhe të dëshiruar. Por, të lindësh dhe të rritësh një fëmijë nuk është njëlloj si të bësh një shëtitje…” Pastaj ka edhe klishe: “Një mama e mirë është ajo që u jepet pa kushteve “thesareve” të saj, është “mamaja klloçkë” që i ka rrënjët në modelin tradicional. Përkundër kësaj, nëna e keqe është ajo që nuk i sheh fëmijët e saj si objekte adhurimi dhe që përpiqet ta krijojë vetveten përtej lindjes së fëmijëve”. Nga ana tjetër, ka edhe gra që nuk përputhen as me klishenë dhe as me të kundërtën e saj: gra në dukje të dashura, që ua nënshtrojnë fëmijët e tyre shantazheve emotive të vazhdueshme (“Si ka mundësi të mos e duash mamanë tënde, që bën gjithçka për ty”)… Por, as njëri dhe as tjetri rast… Hapi i parë për të qenë me të vërtetë “e mirë” është çlirimi nga paragjykimet dhe nga stereotipat, pohojnë psikologët.
Hiqni dorë nga ndjenja e fajit
“Kur kuptova se të merresha gjithë ditën me djalin më mërziste, mendova se isha më e keqja nga nënat”, rrëfen Marsela 37 vjeçe. “Një ide që nuk arrij ta heq nga mendja edhe sot që Elio është 7 vjeç. Jam gjithë kohën në punë: çfarë do të mendojë për mua?” Mungesë kohe, butësie, gatishmërie, pranie… Tek mamatë ndjenja e fajit është e pranishme gjatë gjithë kohës. “Nuk bëj sa duhet, do të duhej të bëja më shumë, të kthehem më parë në shtëpi, të merrem më shumë me të”: nga momenti kur sjellin në botë një fëmijë, gratë ndihen të përgjegjshme për gjithçka dhe shoqëria nuk harron së kujtuari se duhet të jenë kaq të përgjegjshme për gjithçka. Por, mamaja e përkryer nuk ekziston! U duhet thënë gjithnjë mamave se janë duke bërë më të mirën. Është më mirë kështu: “njerëzore” me dyshimet e tyre, frikërat, talentet dhe defektet.
Kultivoni tërësinë tuaj
Sigurisht, edhe mamatë gabojnë. “Por përgjithësisht janë gabime të pandërgjegjshme. Ada sapo është ndarë pas 11 vitesh martesë. Çdo mbrëmje e merr të birin 11 vjeç në shtrat dhe në fundjava nuk e lë një minutë: “Eshtë i trishtuar se babai nuk është më me ne”, justifikohet. Por, nuk duhet harruar: mama kaq dukshëm “të mira” në përgjithësi i mërzisin fëmijët. I bëjnë të varur. Madje ato ndoshta nuk e kuptojnë, por në këtë mënyrë janë duke i përdorur fëmijët për interesat e tyre, për të mbushur vetminë… Duhet të jesh në gjendje të thuash: “Mjaft më! Duhet nxitur tek të vegjlit dëshira për të zbuluar botën, për të dalë nga marrëdhënia ekskluzive…” Ajo për të cilën kanë nevojë fëmijët është një nënë mrekullisht e papërsosur. Sekreti është të argëtoheni, të mos vetësakrifikoheni, të rriteni si grua në përvojën e mëmësisë, pa i shpërfillur interesat dhe pasionet. Eva 49 vjeçe, nënë e dy binjakëve, tregon: “Nuk reshta kurrë së qeni shoqe, e dashur dhe grua në karrierë”. Sot vajzat e saj janë të rritura dhe e ëma e ka më të lehtë, por më parë bënte akrobaci, e nuk mund të ishte ndryshe. Të shkosh në kinema me shoqet, të organizosh një darkë me qirinj me partnerin, të shkëputesh një çast vetëm për veten… të kesh pasione për t’ua transmetuar më pas fëmijëve, duke u lënë ama atyre të drejtën e patjetërsueshme për të qenë vetja. Kjo do të thotë të jesh nënë e mirë, ose siç thotë psikanalisti Donald.W. Winnicott, një nënë “Mjaftueshëm e mirë. Kjo përbën ndryshimin: të kultivosh tërësinë tënde. Dhe të zbulosh prindërimin ditë pas dite, secila sipas mënyrës së vet”.
Identikiti ynë
Edhe pse nuk ekziston një kufi i qartë mes nënës së mirë dhe asaj të keqe, psikologët i tregojnë tiparet më tipike të të dyja figurave… duke dalluar madje edhe një të tretë.
Mamaja e mirë
E ngrohtë, siguruese, mirëpritëse, empatike, moralisht e pranishme, e aftë për të zgjidhur problemet, dëgjon nevojat e fëmijës dhe e ndihmon të realizoje natyrën e tij të vërtetë, ta zhvillojë në përputhje me talentin që ka. Është një “mama në shërbim”, që merret me rritjen e të voglit duke e shndërruar në një person të ekuilibruar, të cilit ia njeh personalitetin qysh të vogël. Të gjitha këto, pavarësisht nga koha që kalon me fëmijën.
Mamaja në dukje e mirë
Ka frikë nga braktisja. I rrit fëmijët si projeksion i asaj që do kish dashur të ishte dhe nuk ka mundur. Shantazhon “për dashuri”. Ka ndjenjën e fajit. Nuk u lejon liri të vërtetë fëmijëve, të cilët shpesh veprojnë ashtu si do mamaja. Është ziliqare dhe priret t’i bëjë përgjegjës ata për problemet e saj. Ka shpërthime zemërimi dhe arrin edhe të vërë dorë apo të dënojë (“E bëj për të mirën tënde”), pastaj pendohet dhe kërkon ndjesë (“Nuk desha, por ti më detyrove”) në mënyrë që fëmija të ndihet akoma më shumë fajtor dhe të mendojë se e ka “merituar”. E përdor qetësinë si armë kontrolli.
Mamaja e keqe
Braktisëse, e ftohtë, nuk kujdeset për fëmijën qysh në vogëli, e painteresuar dhe ia vesh atij “shkatërrimet” e jetës së saj. Kritikon gjithnjë çdo sjellje të tij dhe ia shkatërron vetëvlerësimin derisa e bën të varur. Përdor dhunën për të fituar respektin e fëmijës. Është një person “jo i përzgjedhur”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.