Kur flitet për martesa dhe marrëdhëniet bashkëshortore, opinionet janë të ndryshme. Kjo ndodh për faktin se mentaliteti i njerëzve ndryshon nga një individ te tjetri, nga një provincë te tjetra, nga një kulturë në kulturën tjetër. Koncepti i martesës vetë si pjesë e zhvillimit të shoqërisë ka ndryshuar, duke marrë parasysh dhe zhvillimet ekonomike, kulturore, industriale, në fushën e edukimit apo shkencës e teknologjisë. Le të marrim shembullin e zhvillimit të teknologjisë për shembull.
Nëse dikur ishte e domosdoshme që lidhjet midis dy njerëzve të krijoheshin në kontakt të ngushtë, tashmë ka marrë goxha përparësi lidhja virtuale. Njerëzit njihen edhe kur janë larg. Zhvillojnë një marrëdhënie në largësi, falë teknologjisë si: kompjuteri e telefoni. Edhe mediat sociale kanë rëndësinë e tyre dhe hapin e fundit e bëjnë në kontakt nga afër. Kuptohet që ka një përqindje të caktuar, ashtu siç ekziston ende një përqindje sado e vogël e martesave me shkuesi, po themi, ose rekomandim. Sa të suksesshme janë? S’ka garanci dhe rikthehemi te thënia e popullit që “martesa është fat”. Dhe sërish ne këtu, si pjesëtarë të shoqërisë, “hahemi” me veten tonë, sepse nga ana tjetër pranojmë dhe teorinë që dhe vetë partnerët e kanë në dorë që një martesë të qëndrojë e fortë dhe, pse jo, e freskët ashtu si në fillimet e veta. Duke u nisur nga kërkimet dhe vëzhgimet që specialistë të martesës kanë bërë, pasi kanë studiuar çifte të moshave të ndryshme apo dhe kulturave të ndryshme, është arritur në konkluzion që, edhe pse neve na nuk pëlqen të na këshillojnë kur vjen puna për martesën tonë, prapë ka vend për sugjerime.
Lumturia nuk është gjithmonë gjëja më e rëndësishme
Lumturia shkon e vjen. Çiftet që janë të suksesshëm mësojnë se cilat gjëra, qoftë dhe më të voglat, kanë forcë graviteti të lumturisë ndaj partnerëve.
Çiftet mësojnë gradualisht vlerën e njëri-tjetrit në situata kur duhet t’i gjenden partnerit
Kur çiftet ndodhen përpara situatave të vështira, ata që dinë, kapen fort pas partnerit, duke ia lënë dhe kohës pak në dorë. Është vërtetuar që koha gjithmonë ka nxjerrë mundësi të reja përpara, të cilat kanë ndihmuar nga dita në ditë për të kaluar çfarëdolloj problemi që mund të jetë shfaqur në jetën e çiftit.
Të gjithë ne që jemi pjesë e një çifti duhet të ndryshojmë sjelljen
Mënyra për të përballuar problemet në martesë s’mund të jetë e njëjtë gjithmonë. Në qoftë se do të përdorim të njëjtën taktikë për të hedhur pas problemet tona, do të kemi të njëjtat rezul-tate. Ndoshta duhet të ndryshojnë ne vetë dhe jo veç sjelljen për momentin.
Në martesë, përparësi duhet të ketë partne-ri, edhe pse bota nuk rrotullohet veç rreth tij
Fundja-fundit, kjo është dhe substanca e martesës, që partnerët të jenë prioritet për njëri-tjetrin. Këtu futen dhe rastet kur një nga partnerët nuk shkon mirë me familjen e tjetrit partner. Të dyja palët duhet të dëgjohen dhe të konsiderohen në këndvështrimin e duhur si ndihet partneri.
Dihet që komunikimi është thelbi i një lidhjeje martesore. Kur partnerët janë në grindje e sipër shumë gjëra dalin nga goja, siç themi ne: fjala e fundit. Nëse këto fjalë nuk kanë dalë vërtet nga zemra, duhet kërkuar falje. Sa nga ne e bëjnë?
Le të pyesë gjithsecili veten, sa herë janë përqafuar pas një grindjeje, sa herë kanë kërkuar falje nën zë. Jo çdo krizë në familje është fundi i një martese. Krizat janë si furtunat, të frikshme, të zhurmshme, shkaktojnë dëme, por po të ecësh përpara dhe të dish si t’i kalosh, i jep shumë më shumë vlera partnerit dhe lidhjes. Sugjerime mund të japësh shumë. Edhe pse bazën këto sugjerime e kanë te vetë eksperienca e njerëzve, sërish jemi ne njerëzit që nuk i pranojmë të gjitha, pasi çdo përvojë martesore është specifike dhe s’ka asgjë për të mësuar nga ajo. Fundja-fundit, martesa është ajo që gjithsecili ka si qëllim në jetë dhe për të ruajtur të fortë duhet “të paguajmë”. A ka lumturi të përjetshme? Po Eternitet a ka?
Revista Psikologjia
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.