Mirëqenie

February 9, 2017 | 10:54

A ekziston vërtet solidariteti femëror?!

MeriTë dashura mike, ju ftoj të hidhni sytë përreth, në jetët dhe miqësitë tuaja, të vëzhgoni çdo detaj me kujdesin e veçantë kërkues. Ju siguroj se do të gjeni qoftë edhe një detaj që do të bëj ndryshimin, një detaj që do të thyejë pritshmëritë tuaja idealiste, sepse do të gjeni solidaritet dhe josolidaritet, por ju jeni të trajnuara mjaftueshëm sa të bëni sikur kuptoni dhe s’kuptojni nëse ekziston apo jo? Sepse femrat e dinë të vërtetën për veten e tyre dhe cfarëdo që të ishte e vërteta, asnjë femër s’do të habitej më shumë sesa një burrë. Nuk di nëse ky quhet solidaritet?!

Ndërsa solidariteti i meshkujve vërtetohet në çdo situatë, duke filluar që nga situatat banale të jetës së përditshme, deri në çështje të mëdha politikanësh, kurse femrat duket se e kanë të vështirë të jenë kaq “easygoing”, sikurse meshkujt. Rrjetet e tyre janë shumë më vulnerabël, madje duket se mjafton një mashkull për t’i përçarë. Solidariteti, nuk mund të jetë i plotë mes femrave.

1

5 arsye, plus 5 situata të njohura

1-Gjithmonë do të ketë diçka që do t’i ndajë dy femrat, qoftë edhe një arsye minimale apo sipërfaqësore për të cilën dy meshkuj nuk do të diskutonin kurrë, psh, (Të gjithë e dimë që femrat fiksohen me pamjen e jashtme në mënyrë të habitshme, mjafton kjo arsye për të manipuluar solidaritetin mes tyre, sepse në të kundërt si do të shpjegohej që një femër e bukur vihet në “alert” nëse pranë saj do të qëndrojë një tjetër femër e bukur?!)

2-Solidariteti mes femrave është aq i brishtë, sa edhe edhe një miqësi mes tyre. Thuhet se “Solidariteti mes femrave ekziston po aq sa edhe nderi mes hajdutëve”, rrëfej se jam habitur pa masë kur e lexova këtë shprehje, por pastaj dalëngadalë fillova ta besoj, për më tepër pasi solla në mendje disa histori të dëgjuara “vërdall” psh: Kujtoj sa e sa herë nëpër tavolina baresh, ne përfundojmë duke dëgjuar meshkuj që shajnë femra dhe pranë tyre shohim femra të tjera që i mbështesin ata?! (është e çuditshme të shohësh femrat që shfaqen kaq shumë paragjykuese për njëra tjetrën, madje mund të jenë edhe më “gojëhidhura” sesa meshkujt mund ta imagjinojnë të jenë ndonjëherë, a thua se lufta brenda llojit është po aq e ashpër dhe më vjen në mendje thënia latine e Plautit “lupus est homo homini, femina feminae lupior…” (“burri ështe ujk për burrin, femra për femrën edhe më shumë”)

3-Jo pak herë kemi dëgjuar shoqet tona të thonë se do të parapëlqenin një shef\drejtues mashkull, sesa një shefe\drejtuese femër, duke pretenduar se burrat janë më të sinqertë dhe më të kuptueshëm. Është i qartë fakti se femrat kanë pritshmëri më të mëdha për meshkujt, sesa për njëra tjetrën, madje edhe duke iu referuar vlerave intelektuale. Për aq kohë sa femrat të mendojnë kështu, nuk mendoj se do të bëhet fjalë për solidaritetin mes tyre (he pra vajza, kjo është një situatë e njohur besoj)

4-Nuk ka kufij që një grua nuk mund të shkelë për të patur vëmendjen e një burri, menjëherë pasi ka konstatuar që ai burrë vlen dicka për sytë e saj (historia është plot me shembuj të konflikteve të nisura nga gratë, për gratë (dhe më kujtohet gjyshja kur me aq lezet thotë “bëj kujdes çupë, se ta merr tjetra burrin.’’

Pra, nëse gratë do të ishim kaq solidare, pse do te na duhej të mësonim kaq shumë gjëra për rivalitetin mes nesh shoqëruar me mënyrat sesi të ruhemi prej tij, apo ndoshta “të transmetosh këtë lajm” nga femra tek femra, në fund të fund është në vetvete solidaritet?! Por që kur na qenka solidaritet të paralajmërosh femrat “se femrat e tjera janë të rrezikshme?!

5-Edhe pse lëvizjet feministe, theksojnë fitoret e arritura, rruga mbetet ende e gjatë. “Beteja” nuk duhet të ndalë kurrë, as kur luftohet për probleme të qënësishme si diskriminimi i grave, dhe as kur flitet për kufirin e brishtë të solidaritetit mes femrve, që gjithashtu përbën një fakt mbi të cilin duhet punuar, po aq sa edhe dikriminimi dhe mospërfshirja e grave. Po të kishte patur kaq shumë solidaritet mes femrave, do të kishim pozicione të barabarta në vendimmarrje, nëse femrat do ta kishin mbështetur njëra tjetrën, në parlament do të kishte një numër më të madh femrash (dhe kjo do të ishte jo për faktin se atë femër po e mbështet një burrë i fuqishëm, por sepse ajo po mbështetet nga femra të tjera në parti ), por në fakt është e pamundur sepse në një grup me 4 femra, është e sigurt që dy nuk pëlqehen, imagjino.

Solidariteti i vërtetë, vetëm për çështje më të mëdha

Është e sigurt se ekziston solidariteti i vërtet kur bëhet fjalë për ëështje të mëdha dhe më gjithëpërfshirëse, sepse nëse merremi me çështje të vogla do të jenë të shumta gjërat që do të na ndajnë, duke kompromentuar vërtetësinë e solidaritetit. Është një lloj solidariteti thuajse “mekanik” që e bën individin të shkrihet me turmën dhe të bashkohet me zërin e shumicës. E kemi njohur në shkollë kur së bashku me vajzat e tjera të klasës jemi lutur që të mungojë zysha, apo të na e spostojë provimin. E kemi njohur në punë kur së bashku me kolegen kemi “folur keq” për shefin, edhe pse me njëra tjetrën mund të mos kishim aspak marrëdhënie të mira. E kemi njohur nëpër grupe ku jemi ndjerë të barabartë, pjesë e lëvizjeve feministe në mbare botën, kur kemi urryer njëzëri burrat dhe dominimin e tyre).

Duke pretenduar barazinë, krijimit të shanceve dhe mundësive të barabarta, ndodh forcim i solidaritetit mes të pabarabartëve. Shoqëria e sotme e ashtuquajtur moderne, është bazuar më së shumti në lidhje jopersonale dhe praktike, ndryshe instrumentale psh kemi solidaritet për servilizëm, apo edhe në rastet ku s’ështe çudi që të ndodh ndonjëherë që armiku i armikut tim të bëhet miku im.

Perspektivë idealiste

Ç’duhet të bëjmë atëherë?! Mendoj se femrat së pari duhet të fillojnë të mbështesin njëra tjetrën, të mbrojnë njëra tjetrën, sa herë që një mashkull flet keq për një femër, kjo e fundit nuk duhet ta mbështesë atë dhe të thotë “jo të gjitha femrat janë njësoj”, duke bërë indirekt reklamë për veten duke theksuar se ajo është ndryshe nga ajo tjetra që ai po shan. Një femër duhet të mbrojë së pari një qënie të njëjtë me të dhe të jetë së dyti më e kuptueshme, pa gjykuar apriori.

Sepse ndonjëherë femrat mund të bëhen armiket më të forta të njëra-tjetrës, dhe kjo është tragjedi. Megjithëse, ky fakt është i njohur dhe i prekshëm në realitetin shqiptar, kjo nuk do të thotë se është kaq mbizotërues aq sa të mos gjenden gjurmë të fisnikërisë së femrave. Ka mjaft femra fisnike, sepse vlerat do të ekzistojnë dhe pse ka kaq shumë shkundje dhe tjetërsim të realitetit, vlerave, moralit.

Nuk duhet harruar fakti se në zanafillë “të përgojimit” të femrave nga femrat është xhelozia, unë sugjeroj “mjaft më!”, mjaft më duke urryer njëra tjetrën, boll na urrejnë meshkujt për gjithë ato cfarë kemi arritur!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top