Frika nga infeksioni i Coronës vazhdon të jetë e lartë në të gjithë botën dhe njerëzit po mësohen me normalitetin e ri, që sipas kryetarit të shoqatës GIA-s, Kanço Stojçev, karakterizohet nga dehumanizimi.
Shoqata Ndërkombëtare për demoskopinë Gallup (GIA) botoi raportin e saj të tretë që nga fillimi i krizës së Coronës. GIA intervistoi rreth 18,000 vetë në 19 shtete, përfshirë edhe disa vende evropiane, si Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Italia dhe Zvicra.
Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Kanço Stojçev, frika nga infeksioni i Coronës vazhdon të jetë e lartë në të gjithë botën edhe pse kurba e infeksioneve dhe numri i vdekjeve ka shënuar rënie. Në SHBA dhe Itali p.sh. respektivisht 71% dhe 79% e të anketuarve vazhdojnë të kenë frikë se me COVID-19 mund të sëmuren ata vetë ose dikush nga familja e tyre. Në total në të 19 vendet e anketuara 67% e njerëzve kanë frikë se mund të infektohen, kurse 30%nuk kanë.
A është frika nga rreziku e ekzagjeruar?
54% e të anketuarve mendojnë se rreziku nga virusi nuk është i ekzagjeruar, kurse 41% mendojnë se rreziku është i ekzagjeruar. Ky perceptim është më i lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë (66%), Kazakistan (61%), Bullgari (58%) dhe Moldavi (58%).
Dehumanizimi si tipar i normalitetit të ri
Sipas Kanço Stojçev “normaliteti i ri” për të cilin po diskutohet kaq shumë, përbëhet nga diçka jonormale: izolimi.
“Qeniet njerëzore janë qenie njerëzore, sepse ndërveprojnë intensivisht. Ndërveprimi në internet është një arritje që plotëson ndërveprimin tonë, por nuk duhet të zëvendësojë realitetin” – thotë Stojçev.
Ai sjell dy shembuj për atë që e quan “dehumanizim dhe largim nga liria” mësimin online dhe punën nga shtëpia.
Sipas tij shkollimi dhe edukimi nuk kanë të bëjnë vetëm me njohuritë që transmetohen përmes internetit. “Ndërveprimi mes nxënësve nuk mund të zëvendësohet nga mësimi në distancë.” – thotë Kanço Stojçev.
Po ashtu edhe “puna nga shtëpia mund të jenë produktive për sa i përket rezultateve – por puna është shumë më tepër sesa rezultatet e saj, puna është një formë themelore e ndërveprimit njerëzor.”
Më optimistët në Kazakistan, më pesimistët në Japoni
41% e të anketuarve besojnë se gjithçka do të normalizohet deri në fund të vitit, 47% nuk besojnë. Më optimistë janë banorët e Kazakistanit (65 %), Bullgarisë (61 %), Malajzisë (60 %) dhe Pakistanit (59 %), ndërsa më pak optimistë janë qytetarët e Shteteve të Bashkuara (28 %), të Mbretërisë së Bashkuar (20 %) dhe të Japonisë (11 %). Optimizmi për normalizimin varet qartësisht nga mënyra se si qytetarët e perceptojnë krizën në vendet e tyre dhe atë çfarë bëjnë qeveritë e tyre.
P.sh. në Korenë e Jugut, Malajzi, Zvicër, Kazakistan apo Bullgari, besimi tek masat që kanë marrë qeveritë e këtyre vendeve është relativisht i lartë. Kurse në Japoni (33%), Bosnjë dhe Hercegovinë (36%) dhe Britani të Madhe (38%) ky besim është mjaft i ulët.
Burimi / DW
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.